Janar 1945/ Komiteti NÇ i Çamërisë i shkruan letër autoriteteve greke: Do kthehemi në trojet tona
Kërkesa i drejtohej: Komitetit Qëndror të EAM-it, Komitetit Administrativ të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it, Komitetit të P.K.G. për krahinën e Epirit. Tetë arsyetimet pse duhet të lejohej kthimi i popullsisë çame në trojet e tyre në Çamëri, pas çlirimit të saj nga Napoleon Zerva
Pavarësisht se marrëveshjet mes komunistëve shqiptarë dhe atyre grekë për të ndalur kthimin e popullsisë çame në trojet e tyre në Çamëri, Këshilli nacional-çlirimtar i Çamërisë nuk i ndali përpjekjet për të bërë të mundur kthimin në torjet e tyre. Në një kërkesë zyrtare drejtuar: Komitetit Qëndror t’EAM-it, Komitetit Administrativ të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it, Komitetit të P.K.G. për krahinën e Epirit, Këshilli arsyeton pse duhet të lejohet kthimi i popullsisë çame në trojet e tyre në Çamëri. Në emër të popullit të Çamërisë, ata i kërkojnë palës greke të mos përfillë demagogjinë e armikut Napoleon Zerva, por të lejojë kthimin legjitim të në trojet e tyre në Çamëri.
Ishte koha, kur ishte shpallur çlirimi i Çamërisë. Në letër evidentohet kontributi i partizanëve të Çamërisë në luftën kundër pushtuesit nazist dhe forcave zerviste, ndërkohë që kërkohet që autoritetet e vëndit të zgjidhin menjëherë pa asnjë vonesë problemet e popullit çam, në një kohë kur shumica gjendej në një situatë emergjencë dhe shumë prej tyre po vdisnin për bukën e gojës. Shumica e popullsisë çame e përzënë me dhunë, ishte vendosur në disa qytete të Shqipërisë ku jetonin në kushte çnjerëzore. Këshilli nacional-çlirimtar i Çamërisë kërkonte gjtihashtu që të organizohej në rrethet e Çamërisë një komision i përbashkët me elemente të zgjedhur dhe të stërvitur, me kompetencë e me fuqi të plotë për dënimin e kriminelëve të luftës dhe të fillojë menjëherë nga puna.
Dokumenti
Komitetit Qëndror t’EAM-it; Komitetit Administrativ të Epirit; Komitetit Panepirot të EAM-it; Komitetit të P.K.G. për krahinën e Epirit
Të nënëshkruarit, të ngarkuar si komision nga populli i Çamërisë që u hoth në Shqipëri, duke shprehur vullnetin e popullit t’onë, ju dorëzojmë protestën që vijon: Çlirimi i Çamërisë nga fuqit e ELAS-it nga tirania e egër e Edesit, enthusiazmoi shpirtin e popullit t’onë dhe e mbushi me plot shpresa për një jetë të re.
Demagogjia e armikut Zervas për të na shtypur pati nga ana jonë përgjegjen e armëvet. Shpata e bandave tëtij kriminale, çduku qindra nga gratë, djemtë dhe pleqtë t’anë në Paramithia, në Filat, në Shpatar e gjetkë. Çdo gjë e jona u grabit, u dogj ose u çkatërrua. Çamërin e bukur e bënë hi dhe të shkretë. Një plagë e madhe dhe e rëndë na u hap nga armiku. Me gjithë këtë, populli ynë s’u përkul. Numuri i djemve t’anë partizanë u shtua dhe e vazhduan luftën me më tepër tërbim e urrejtje për kauzëne përbashkët kundra armikut të përbashkët. Ata nuk i peshuan aspak vuajtjet e sakrificat. Dëshmorët t’anë janë mburrja jonë. Populli në ndjen, beson dhe shpreson vetëm tek EAM-i dhe te P.K.G.
Populli ynë i ndjekur pa-drejtësisht e barbarisht nga atdheu i tij në mërgim, vdes nga uria dhe sëmundje. Qeveria Demokratike e Shqipërisë na ndihmoj kurdoherë sa mundi për mbrojtjen e popullit t’onë. Dhe kur përpjekja e partizanëve trima ish çvilluar në një shkallë tëgjërë dhe të ashpër, ajo s’pushoi së studjuari gjëndjen t’onë në mënyrë serioze dhe vepronjëse. Po, më së fundi, ajo nuk munt të merrte përsipër këtë përgjegjësi. Mjaft janë asto që ka bërë për neve, prandaj i falënderojmë dhe ua njohim për mirë.
Çlirimi i Çamërisë na mbushi plot shpresa për një përmirësim të gjëndjes në mënyrë të kënaqëshme. Po ndodhi dhe vazhdon të ngjajë e kundërta e hidhur e parashikimit t’onë të drejtë. Të drejtat t’ona shkelen, çështjet e popullit t’onë që heq rrezikun e urisë, vërehen me një diferencë të madhe. Hajdutët e vjetër vazhdojnë të gëzojnë të drejtat që u kish dhënë Zerva, vazhdojnë akoma të gëzojnë pasurinë t’onë dhe na prishin ato që na kanë mbetur. Ata që kapërcejnë kufirin për në Çamëri që t’interesohen për pasurinë e tyre të grabitur, hidhen e përhidhen me përbuzje nga një zyrë tek tjatra ose dëbohen, dhe fryma reaksionare e atij që ka lyer duart me gjak të pafajshmë vendos se filani s’ësht i pastër, dhe ky arestohet e burgoset “si kriminel lufte” ndërsa familja e tij pa bukë pret me padurim lajmin e gëzuar nga prindërit për punët e EAM-it në Çamëri. Se duhet të përkrahet vëndi, se gjithë një popull vdes urie, se nga veprimet e tyre varet jeta ose vdekja e tij, s’ka rëndësi të madhe për ata.
Pikëpamja e sotëme nuk ndryshon shumë nga ajo e para dhe e vjetra. Me EDES-in na ndante një hendek i math gjaku dhe sytë t’anë drejtoheshin të ngrirë nga urrejtja kundër tij duke kërkuar hakëmarrje. Ay nuk ish e mundur të bëhesh babai ynë. Po lufta na bëri të ndryshojmë. Gjaku i dëshmorëve në luftën e përbashkët kundra armikut të përbashkët për një jetë të re i vëllazëroi të dy popujt me të drejta të barabarta. Për të gjith’ ato që ndodhnë dhe vazhdojnë të ngjajnë, protestojmë duke shprehur vullnetin e mbarë popullit t’onë, protestojmë tek ju si organe përgjegjës të Epirit. Dhe do vazhdojmë të protestojmë duke shprehur vullnetin e mbarë popullit t’onë, pa pushim me çdo mënyrë, me çdo të drejtë, sepse na mohojnë të drejtat t’ona, të drejtën që të jetojmë. Me pak fjalë kjo gjëndje që është duke vazhduar, për neve është vdekje.
Dhe kërkojmë:
Të na njihen të gjitha të drejtat civile, jo në mes t’onë, por në vëndin t’onë.
Të na njihet e drejta e pasurive të grabitura.
Të na njihet e drejta e paditjes dhe e pronësisë, në qoftë se gjëndjen, të pasuris së grabitur.
KËRKOJMË:
Që autoritetet e vëndit të zgjidhin me njëherë pa asnjë vonesë problemet e popullit, dhe bile sot që ky vdes për bukë.
Që t’organizohet në rrethet e Çamërisë një komision i përbashkët me elemente të zgjedhur dhe të stërvitur, me kompetencë e me fuqi të plotë për dënimin e kriminelëve të luftës, dhe të fillojë me njëherë nga puna.
Që të formohet një komision hetimesh e cila do të jetë të drejtën t’arestojë ajo vetëm, dhe vetëm me anën e saj t’i bëhen referata gjyqit ushtarak.
Që gjithë personast prej Çamërie që janë arestuar gjer më sot, t’i dorëzohen këtij komisioni për rishqyrtimin e çështjes së tyre.
Populli ynë kërkon hakmarrje për gjithë ata pëgjegjësat e ksaj gjëndje, qofshin këta të klikës së Nuri Dinos ose të EDES-it.
Populli, në bazë të një veprimi të tillë drejtësie, mbi baza të shëndosha, është gati t’i denoncojë të gjithë bashkë me aktet e tyre.
Vdekje fashizmit – Liri popullit
Anëtarët e Komitetit N.Ç.
Musa Demi, Shane Braho, Jakup Arifi, Shuarun Avduli, Isuf Xheti, Hamit Iljazi, Xhevit Xhemali, Omer Jakupi, Mano Habibi