Albspirit

Media/News/Publishing

Në vendin ku fluturohet me pras në …

Në vendin ku fluturohet me pras në …

Dr. Bledar Kurti

Një tërmet i fuqishëm tronditi Italinë qendrore në orët e para të ditës së sotme i cili shkaktoi vdekjen dhe lëndimin e shumë personave. Duke ndjerë keqardhje për humbjen e jetëve dhe shkatërrimin e një qyteti të tërë nisa të pyes veten po sikur (largqoftë siç thotë populli) të ndodhë diçka e tillë edhe në vendin tonë? A kemi një shtet, bashki, struktura të emergjencave civile të cilat do jenë menjëherë në gadishmëri të ndihmojnë të lënduarit, të shpëtojnë të zënët nën rrënoja, të rindërtojnë qytetin, e më pas të sigurojnë strehim, asistencë me ushqime e me pará për ata që mbeten pa shtëpi e katandi? Jo, absolutisht jo!

Dhe më zuri frika. Ndaj nisa të inkurajoj veten që jetojmë në vendin e shqiponjave krenare, të rilindjes së qyteteve, të vendit me zhvillimin ekonomik më të lartë në Ballkan, ku shëndetësia është falas, ku ushtria aq e aftë është sa që jo vetëm mbron atdheun por pastron edhe plehrat, ku policia nuk i afrohet arave dhe fushave periferike “me gjelbërim” por qëndron pranë qytetarit e veshur me uniforma “trendy”. U mundova të bind veten që po jetojmë në vendin e gjeneratës tjetër, me projekte stadiumesh luksoze, me instalacione artistike abstrakte duke filluar që nga hyrja e kryeministrisë e deri tek kryqëzimet e rrugëve nacionale, me sfinkse buzë detit e me kulla vigane në Korçë e gjetkë, ndaj nuk duhet të kemi frikë sepse jetojmë në vendin e mrekullive, në vendin e së ardhmes.

Por pas këtyre mendimeve u ktheva me këmbë në tokën e këtij vendi ku qeveria dhe ata që e besojnë këtë mrekulli virtuale fluturojnë me pras në b …. E çfarë ngushëllimi për ndonjë katastrofë të mundshme natyrore mund të kemi në këtë vend? Në spitalet tona nuk ka ilaçe. Ambulancat vijnë pas një ore në gjendje të zakonshme e jo më në raste katastrofe. Ushtria ka vetëm katër helikopterë dhe pak automjete. Të mos flasim për bashkitë drejtuesit dhe drejtueset e të cilëve do ishte me fat ti gjeje në detyrë, ti gjeje esëll, larg ndonjë kazinoje, apo parukerie, dhe më e rëndësishmja pa asnjë plan emergjence, pa staf të kualifikuar, etj.

Në këtë vend ku fluturohet me pras, qytetari nuk ka ujë, nuk ka drita, nuk ka ilaçe, dhe më e rëndësishmja qeverisësist nuk kanë dashurinë dhe as dashamirësinë më minimale ndaj qytetarëve, ndaj asnjë shqiptar nuk ka as edhe sigurinë më të vogël që në rast fatkeqësie shteti, bashkia, apo autoritetet e posaçme do i gjenden pranë. Edhe nëse arrin të shpëtosh kokën, jeta që të pret më pas do jetë e tmerrshme, ku ndihma ekononike është qesharake dhe kërkon një kalvar të gjatë burokratik për tu marrë.

Në vendin ku fluturohet me pras, çudia më e madhe tre ditë zgjat. Ditën e parë qeveritarët do qajnë përpara kamerave televizive; ditën e dytë bëhen postime me grafika të bukura në facebook; dita e tretë është fillimi i procesit të harresës për viktimat dhe nisja e planifikimit për tenderat dhe pallatet shumë-katëshe në truallet e rrënojave.

Në vendin ku fluturohet me pras, ku njerëzit ushqehen me propagandë dhe ëndrra të orkestruara, mungojnë kushtet bazike dhe njerëzit me përkushtimin minimal. Teksa fluturojmë lart e më lart në qiejt pakufi me prasin nga pas për shkak të lumturisë që na vjen nga rritja ekonomike, nga reformat e papara, nga fjalimet tejet prekëse të liderve supreme, largohemi nga e vërteta e hidhur që të zgjuarit e lanë me kohë këtë vend, ata që mbetën po largohen dita ditës, më fatkeqët kanë mbetur nga halli, ëndërrimtarët presin llotarinë amerikane, të mjerët presin “sezonin e korrjes” ndërsa idealistët trokasin në dyert e partive.

Teksa krenohemi me lavdinë tonë kopile, nëse e krahasojmë veten me vendet e tjera kuptojmë që vetëm lojrat olimpike të Rio 2016 kushtuan 4.51 miliard dollarë, një shumë më e madhe se e gjithë GDP e Shqipërisë. Teksa hedhim sytë nga Brukseli për shpëtim e dijmë fare mirë që do duhen të paktën edhe dy dekada të tjera për tu anëtarësuar në BE. Në vendin ku fluturohet me pras, përtej realitetit sureal dhe vitual të lumturisë së injektuar nga propaganda, ne e dijmë fare mirë që çdo shqiptar jeton me frikë konstante, qoftë për gjërat minimale dhe jetike, ashtu edhe për rastet e katastrofave.

Ndaj edhe shqiptarë duan të largohen. Tërmete ka kudo në botë, por në vendet e tjera qytetari e di që qeveria do bëjë më të mirën për ta ndihmuar dhe përkujdesur për të, ndërsa këtu, i vetmi ngushëllim që i mbetet çdo shqiptari për raste të tilla tragjike është ajo shprehja e njohur nga të gjithë që “Rrufeja nuk bie kurrë në hale.”

 

Please follow and like us: