Albspirit

Media/News/Publishing

OKB: Siria përjeton krizë të rëndë humanitare


Shefi i Kombeve të Bashkuara për ndihmat paralajmëroi se Siria po përjeton krizën më të rëndë humanitare deri më sot dhe se po luftohet me kohën për të shpëtuar qindra mijëra civilë të rrethuar me ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore.

“Populli sirian ka përjetuar një sulm të pashembullt dhune. Njoftimet janë të pafund për bombardime pa fund, për përdorim armësh kimike, goditje me raketa, mortaja, shkatërrime të shkollave dhe spitaleve e lagjeve të tëra me popullsi civile. Dhunime, ndalime, rekrutim të fëmijëve, dhe uri e qëllimshme vdekjeprurëse e njerëzve në qytete të tëra të rrethuaja. Të gjitha këto ndodhin kur është më e mundshme arritja e një marrëveshjeje që të lejohet dërgimi i ushqimeve tek njerëzit në nevojë”, thotë Stephen Obrien, Nën-Sekretar i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare.

Ai i bri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën duke u kërkuar të gjitha palëve një pauzë 48 orëshe në qytetin Alepo për të mundësuar dërgimin e ndihmave atje dhe tërheqjen e të sëmurëve dhe të plagosurve.

Alepo është qyteti më i madh në Siri dhe para fillimit të luftës civile atje, qendra komerciale e atij shteti. Rreth 250 mijë njerëz janë bllokuar nga forcat qeveritare të cilat kanë rrethuar pjesën lindore të qytetit që kontrollohet nga opozita.

Zoti O’Brien tha se kriza humanitare shkon përtej Alepos. Edhe pse i ka kërkuar qeverisë siriane të autorizojë dërgesat e ndihmave në 32 vende në mbarë vendin në gusht, ai tha se qeveria ka mohuar qasjen e Kombeve të Bashkuara ndaj më shumë se 50 për qind të kërkesave.

Javën e kaluar, Rusia njoftoi se e mbështet propozimin e OKB-së për një pauzë humanitare 48 orëshe të luftimeve në Alepo.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin pauzën por thonë se nevojitet një marrëveshje më e plotë për të rigjallëruar armëpushimin në mbarë vendin që do të garantonte dërgimin e ndihmave humanitare në rajone më të gjera.

Please follow and like us: