PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR TË SIPËRFAQES PREJ 28,018 HA, NË GJIRIN E LALËZIT
VENDIM Nr. 585, datë 13.7.2016 PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR TË SIPËRFAQES PREJ 28,018 HA, NË EKONOMINË PYJORE “RROTULL”, TË NDODHUR NË GJIRIN E LALËZIT, BASHKIA DURRËS, QARKU DURRËS, QË DO TË PËRDORET PËR NDËRTIMIN E NJË KOMPLEKSI TURISTIK REZIDENCIAL, HOTELIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
1. Sipërfaqja pyjore prej 28,018 (njëzet e tetë presje tetëmbëdhjetë) ha, në ngastrat 70abcd të ekonomisë pyjore “Rrotull”, që do të përdoret nga shoqëria “Omnix Albania”, sh.p.k. për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial, hotelier, të hiqet nga fondi pyjor publik dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipërfaqja, sipas ngastrave pyjore, jepet në tabelën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Sipërfaqet pyjore që hiqen nga fondi pyjor dhe që janë pronë publike e shtetit, sipas kartelave të pasurisë së paluajtshme, bashkëlidhur këtij vendimi, të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në funksion të lidhjes së marrëveshjes me shoqërinë “Omnix Albania”, sh.p.k.
3. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Publike të bëjë çregjistrimin e sipërfaqeve pyjore, të identifikuara sipas pikës 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë pyjore/kullosore” dhe ta regjistrojë në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial, hotelier”.
4. Vlerat përkatëse të pakësimit të volumit të lëndës drusore, të sipërfaqes së hequr dhe të infrastrukturës së saj të paguhen nga subjekti “Omnix Albania”, sh.p.k., në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr. 391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, të ndryshuar.
5. Ministria e Mjedisit dhe Shoqëria “Omnix Albania”, sh.p.k., të hartojnë marrëveshje të përbashkët, lidhur me pyllëzimin e një sipërfaqeje tjetër.
6. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTRI Niko Peleshi