POEZI- NGA VAID HYZOTI
ATDHE NË SHITJE…
Kam një formular, me kërkesat për punë
Dhe në çdo profesion usta pagëzoj veten…
Lëkura nuk skuqet e turpi mërgon,
E përditshmja ime e përligj gënjeshtrën.
Por për lëkurën?E ç’ngjyre t’i jap?
Për gjuhën, për gjakun nga kapilarët tek zemra?
Dhe këmba, dhe krahu, dhe gjuha, dhe zëri
“Made in Albania” janë të tëra…
Se u formësuan udhëve të Shqipërisë
Dhe atdheu mbeti në inde, në rremba.
Tani kam dalë t’i shes a t’i jap me qera,
Të paguaje një ënderr, një shpresë.
Jam copë Atdheu i hedhur larg,
I pa bëre pis,
I fshirë me fshesë.
Dhe vijnë e më masin me sy , më pyesin
Sa e shes atdheun…
Sa?
Kaq shtrenjtë?…
Sa mua mund të blejnë 5 meksikanë a kinezë!
Në çmim paskam vënë atdhe+dinjtet…
Unë tutem e pyes atdheun brënda meje,
Në duhet pak më lirë të vë çmimin…
Mas qeranë e shtëpisë, një palë këpucë për djalin,
Para për telefonin e ca për ushqimin…
Dhe prapsem, ul pak në dinjitet,
Se s’di të përkthej qartë gjuhën e erës në këtë vend…
Kam frikë mos bërtet atdheu brënda meje,
Ai hesht dhe është gjithë shend…
Hesht e më grish ditaditës,
Të luaj si në bursë me të,
Më dhemb, se jam i atdheut shitës,
Më vret e gjithnjë gjaku me zë…
KALAJA
Kalaja e Ishmit që më mban shtëpinë,
Shtëpinë me mure bedenash,
Është plasaritur e çarë…
Çudi,asnjë gur s’i lëvizi në shekuj,
Por plasi në kohërat moderne.
Malli e paska marrë …
Si t’ia nis një pikë loti,
Aq, sa për të më parë…
PEMA E KRISHTLINDJEVE
Në hollin e madh të spitalit tim “Belevue”
Paskan vënë një pemë gjigande të krishtlindjeve.
Të gëzojnë pacientët, se janë të pamundur,
Sepse të sëmurët u ngjajnë fëmijëve.
Një pemë e madhe sa një piramidë,
Me karroca, çokollata, bastunë edhe zemra…
Si t’i hap degët e të shoh me sy
Të shoh faraonin që ballsamosën brenda.
Të shoh bamirësin, që para se të vdiste
E dhuroi pasurinë për ne si pacientë.
Dhe pakot akoma nuk qenkan poshtë pemës.
Por mbase i vënë në natën e shenjtë.
Patjetër do jenë dhurata të veçanta,
Ne fëmijët e këtushëm kemi shumë teka.
Na duhen këmbë e duar, flakone gjaku,
Presim të sjellin zemra dhe veshka…
Jemi gjithë shpresa.T’i gjejnë ku të duan,
T’ua marrin perëndive,apo në morg, këtu pranë.
Sepse perënditë dhe të vdekurit
Gjithnjë e më shumë pranë nesh janë.
Dhe ne do gëzojmë në natën e shenjtë,
Do vallëzojmë rreth pemës me krevatet-karroca…
Dhe në s’gjejmë pako, do të kuptojmë
Se s’dolën shpenzimet nga faturat tona…
DITA IME-NJË CIGARE
Një cigare e jotja
Është dita ime!
Një telefon, sa të shpërndash mjergullën e tymtë,
Sa të qeshësh bukur,
Me llastimin e përhershëm që më hedh në humnerë çdo trishtim.
Për këtë vlen zgjimi im!
Vetëm për këtë hap sytë ditëve, ndonëse e di
Që gjithë jetën mundet të mos shihemi fare.
Por ti vazhdon të marrësh pushim pesë minuta në orarin e punës
Dhe,lavdi zotit,
Akoma pi cigare!
TË MUNDJA…
Të mundja,
Çdo vajze i dhuroja lule!
Të mundja,
Kurora lulesh çoja në çdo vdekje!
Se lulet në botë janë krijuar
Për ata që duam deri në dhëmbje…
KOSTUMI I HALLUINIT
Nuk ndahesh nga shokët, e zgjodhe dhe ti
Të shkosh në shkollë me kostumin e halluinit.
”State penitentiari”* lexohet në bluzë.
Ti hesht, por rëndon fort
Barra e trishtimit!
Mes qindra modeleve që ishin në shitje,
Mes mostrave, spidermens, vampirëve gjakpirës,
Zgjodhe këtë veshje të portokalltë,
I burgosur që shëtit
Pa iu tutur frikës…
Dhe thua se kjo veshje të përshtatet,
Se vetëm kështu ia ndjen shijen festës…
Se thonj trilli të moshës s’të lënë t’i zgjatësh,
Se zërin dhe gjakun
Të duhet ta fshehësh…
S’e ke të plotë dhe festën e frikës,
Se ende nuk di të përgjigjesh nga je…
Ajrin e rritjes në Amerikë e thithe,
Dhe je jetim,
Nuk ke atdhe…
Nuk mund të udhëtosh në vendin nga erdhe,
Si shokët nuk shkon në Karaibe me pushime.
S’të pranojnë avionët…s’kanë vend për ty
Ti flatron vetëm
Në dashurinë e prindërve…
Por sot , biri im, ndërroje kostumin,
Kostum që prej vitesh babi fsheh nën lëkurë…
Nuk desha ta shihje, që të gezoje rritjen tënde,
Festo si fëmijë
Dhe jo si…burrë!
* I burgosur i shtetit
TË MË RUAJE MUA…
Krimet e mia t’i fshihje doje.
Ndofta më ndjeje,apo kishe frikë?
Sa orë për ty kam bërë roje
Vetëm nga ballkoni të më hidhje sytë…
Sa djem kam qorruar e kam vrarë,
Në skaner kaloja gjithë banorët e shkallës.
Si s’pati një insitut femëror qyteti,
Që ti mos njihje djemtë e klasës!
Rrugën kur shkoje me biçikletë
E bllokoja pa leje të policisë.
Askush mos të shihte,asnjë bori të mos binte,
Si të ishe mbretëreshë e Anglisë!
Kujdesesha për shkallët që gjithnjë të mbaja
Në dritën e syve-djegur dashurie…
Po ti u fshehe-ku e gjete atë shteg?
Hapat mbështete në shkallë mblesërie…
Po prapë besoj e bëre për mua,
Më doje dhe duhej të më humbje…
E rëndë të shtysh ditën me një kriminel
Që do mbetej gjithë jetën në burgje…
1987
PO RRIHEN DY DJEM
Dy djem gjimnazistë tallin njëri-tjetrin para një vajze,
Dhe nuk durojnë dot, shpërthejnë në grushte…
Dhe vajza hesht-ah sikur ta dija
Se cilin prej tyre do të donte të puthte…
Dy djem po rrihen dhe unë i kam zili,
Të rrihesha dhe unë për shkak të një femre!
Kurrë më në jetë nuk do bëhem i ri,
Ndaj rri e vuaj,kam shqetësime zemre!
KËNDON NJË GRUA…
Një grua e mbështjellë me kujdesin e të gjithëve,
Ka ditë që kacafytet me një sëmundje të rëndë…
Një grua përcjellë një himn për jetën,
Teksa në dhomën e spitalit
Këndon një këngë…
Një grua që frymon e jeton me tubo dhe serumë
Dhe dëgjoi mjekët:”…në dorë të zotit”.
Këndon për jetën me zërin e plotë dhe të qeshur,
Këndojnë me të dhe të afërmit
Të trembur prej lotit!
Askush nuk ankohet, se u thyen ligjet,
Se duhet qetësi e plotë për pacientët…
Kërkonin xhepa të fshehtë të fshihnin dridhjen,
Të fshihnin sytë me lotë nuk dinin
Bashkëshorti, i biri, të sëmurët dhe mjekët…
Se kurrë aq ndjeshëm në këngë s’ka ardhur jeta,
E tërë pranvera kishte shpërthyer e plotë…
Se kurrë s’kam parë këngëtare kaq të bukur,
Ndonëse pa makiazh,
Madje dhe…pa flokë!
Dhe s’di a dëgjoi vetë Jeta këtë këngë,
Nga kjo grua e dërmuar në spitalin e Bruklinit?
Po Zoti vetë ofroi zërin e tij në iso?
Nëse jo duhet Zotin
Të nxjerrim para ligjit!
ADOLESHENCA…
Si erdhi aq shpejt dhe kurrë nuk po ikën,
Një dune rëre në shkretirë më mbeti adoleshenca…
Veç dielli gjithnjë s’harron ta veshë me dritë,
Ndonëse jam urdhëruar:
Të piqem nga jeta!
Pse kujtoj me mall të gjithë çmenduritë,
Kur gjithnjë mendoja vetëm për femra?
Ende s’e di ku gjeja energjitë:
Vinin nga mishi,
Vinin nga zemra?
Isha fatkeq: gjithë vajzat që njoha
Qëlluan të çmendura si unë…
Më jepeshin shpejt (ndofta kurioze)
Dhe kishin dëshirë
Të putheshin shumë…
Dhe vonë kur shkoja në shtëpi,
Librat e detyrat flinin tek sirtarët:
S’di si e kuptonin prindërit e mi,
Mallkonin “buçat”
Dhe mua me “zagarët”!
Dhe besonin se vitet e ardhshme
Do ishin kurë për adoleshencën time…
Fundja gjithkujt i jepet jeta
Vetëm të shlyej
Të tijat gabime!
Por kanë kaluar mbase tre dekada,
Prapë adoleshenca më vjen e plotë…
Mbase do të kem jetë të gjatë,
Ose “i papjekur”
Do iki nga kjo botë!
FEMËR FATLUME
Je fatlume që u dashurove me mua,
Me fat dhe më të madh që nuk jemi bashkë.
Një jetë që vuaj…por vuajtje e një burri
Të ruan të bukur,
Siç ishe vajzë!