Albspirit

Media/News/Publishing

Raportimi i BIRN për landfillin e Sharrës “zhduket” nga mediat

 

Një investigim i BIRN që hedh dritë mbi implikimin e drejpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në skandalin e landfillit të Sharrës, nuk gjeti pasqyrim në asnjë nga mediat tradicionale në vend.

Gazetat e njohura, ndryshe nga herët e tjera që u kanë dhënë hapësirë artikujve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, nuk e publikuan shkrimin.

Pritej që raportimi të zinte hapësirë në faqet e gazetës Panorama, Gazetës Shqiptare, Shqiptarja.com, Shekulli, Mapo, Koha Jonë etj, për shkak se rasti ka qenë shumë i ndjeshëm. Një 17 –vjeçar humbi jetën në këtë landfill, duke punuar në të zezë për një kompani private të drejtuar nga kryetari i PS –së së Peqinit, pas thirrjeve që kishte bërë Erion Veliaj që mbledhësit e kanaçeve e plastikës të punësoheshin pranë këtij biznesi.

Por për çudi, asnjë nga gazetat nuk e pasqyroi investigimin e gazetares së BINR, Lindita çela. Artikulli “u zhduk” edhe pse është i vetmi deri tani që hedh dritë mbi skandalin që implikon Erion Veliajn.

“Para vdekjes tragjike të Ardit Gjoklaj, impianti i kompanisë “3R” shpk në Sharrë u vizitua dy herë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill, të transmetuar me datë 16 qershor, Veliaj lançoi planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që sigurojnë bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me “sigurime shoqërore”. Ftesa e Veliajt, sipas intervistave të realizuara nga BIRN shërbeu si nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania “3R” shpk. Në të kundërt, asnjë prej standarteve të premtuara nga Veliaj nuk u aplikua gjatë procesit të punës”, thuhet në artikull.

Por gazetat nuk thanë asnjë fjalë, ndryshe nga herët e tjera kur çdo investigim i BIRN pasqyrohej prej tyre. Të njëjtat gazeta kanë publikuar edhe investigime që implikonin në afera të dyshimta kryeministrin Rama, si rasti i fotos 80 mijë dollarëshe me presidentin Rama, shkrime që implikonin kryetarin e kuvendit dhe të LSI, Ilir Metën në aferën CEZ – DIA apo ish –kryeministrin Berisha e familjarë të tij në ngjarjen e Gërdecit.

Ka patur raste kur shkrimet e BIRN për Berishën, Metën e Ramën nuk kanë gjetur hapësirë  në media të veçanta, por asnjëherë kaq masivisht.

Por heshja totale për rastin e Veliajt, duke mos publikuar të vetmin shkrim që denoncon me fakte përgjegjësinë e tij mbi skllavërinë e dhjetëra fëmijëve e punëtorëve në landfillin e Sharrës që menaxhohet nga Bashkia e Tiranës, tregon se sa i rrezikshëm është pushteti i tij.

Për të njëjtën ngjarje u pushua nga puna drejtoresha e lajmeve në televizionin e Koço Kokëdhimës, A1 Televizion, Alida Tota. Një investigim i këtij televizioni mbi kantierin çnjerëzor në landfillin e Sharrës nuk e pa asnjëherë dritën e publikimit. Ai u botua më pas nga disa media online, por në asnjë nga televizionet apo gazetat e mëdha në vend.

Edhe lajmi për largimin e gazetares, ndonëse opozita e ka denoncuar disa herë si pasojë e presionit të Erion Veliajt, nuk gjeti hapësirë në këto media, të cilat, në anën tjetër kanë vazhduar edhe sot të transmetojnë kasetat që i mbërrijnë në redaksi nga stafi i Veliajt apo t’u bëjnë publicitet punimeve të rëndomta për rregullim kanalizimesh nëpër Tiranë.

Please follow and like us: