Albspirit

Media/News/Publishing

Rusia “e shqetësuar” me ndërhyrjen e Turqisë në Siri


Tanket turke duke hyrë në Siri...

Rusia ka shprehur “shqetësim të thellë” me operacionin ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë.

Dhjetëra tanke turke dhe automjete të tjera kanë hyrë të mërkurën në territorin sirian, në zonat që kontrollohen nga militantët e Shtetit Islamik.

Burimet ushtarake u kanë thënë mediave turke se 70 caqe në qytetin Jarablus janë shkatërruar me artileri dhe sulme ajrore.

Ministria e Jashtme ruse tha se operacioni ajror dhe tokësor i ushtrisë turke mund të çojë në “degjenerim të mëtejshëm të situatës në zonën e konfliktit” dhe “t’iu japë hov tensioneve ndëretnike midis kurdëve dhe arabëve”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se operacioni është edhe kundër Shtetit Islamik, edhe kundër militantëve kurdë.

Operacioni vjen pak ditë pas një sulmi në Gaziantep të Turqisë, i cili ka lënë të vrarë mbi 50 veta. Autoritetet kanë fajësuar Shtetin Islamik për këtë sulm.

“Sulmet nga Siria kundër vendit tonë, Gaziantepit, Kilisit na kanë sjellë në pikën ku themi se ky është fundi. Duhet t’i japim fund”, ka thënë Erdogan.

Siria ka dënuar po ashtu ndërhyrjen e Turqisë.

Please follow and like us: