Albspirit

Media/News/Publishing

Sa për sy e faqe – Hungaria dhe refugjatët

Mijëra refugjatë presin në të ashtuquajturën zonë tranzit në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari.

Rrethuar me çelik dhe tela me gjemba është vrima përmes së cilës mund të hyjnë në Hungari mijëra refugjatë që presin gjithë durim në të ashtuquajturën zonë tranzit në vendkalimin kufitar Rëszke, një zonë që ruhet me masa të rrepta, ku ushtarët patrullojnë 24 orë rrjesht – dhe ku gazetarët nuk janë të mirëpritur.

“Fikeni menjëherë atë kamera!” – thërret polici kur na sheh se po xhirojmë. Megjithatë, ne filmojmë refugjatë që janë duke pritur përpara kontenjerit. Ata kanë arritur të hyjnë në Hungari dhe të kërkojnë azil këtu. Një e drejtë themelore kjo në Bashkimin Evropian, por këtu mund të bëjnë kërkesë për azil vetëm 15 persona në ditë.

Kushte çnjerëzore

Vetëm pak metra më tej: në anën serbe të gardhit vazhdojnë të qëndrojnë në kushte çnjerëzore rreth 800 refugjatë. Ata presin prej disa javësh përpara zonës së tranzitit, sikurse dhe 37-vjeçari Haif nga Afganistani. “Ne jetojmë në këto çadra, kudo pisllëk” – thotë ai. Duke na treguar kampin Haifi na flet dhe për historinë e tij. Sikurse shumica e njerëzve këtu, edhe ai u largua nga Afganistani për shkak të sulmeve të talebanëve islamikë. Gruaja dhe fëmijët e tij, vazhdojnë të jetojnë ende të fshehur në vendlindje. Ai thotë se kishte udhëtuar rreth 6 muaj dhe tani qe mbërthyer këtu. “Nuk kemi ku të flemë, nuk kemi as dushe, as ushqim për të qenë, madje as ujë. Në këtë kamp ka probleme të mëdha.” – thotë Haifi.

Gjueti ndaj refugjatëve

Vazhdimisht vijnë refugjatëve të rinj që regjistrohen në kamp dhe për këtë arsye thotë Haifi, koha e pritjes para kufirit bëhet edhe më e gjatë. Prandaj disa prej tyre, si këta afganë të rinj janë përpjekur t’i kapërcyejnë fortifikimet në mënyrë të paligjshme. “Ne i kaluam gardhet dhe hymë në Hungari. Ishim 30 vetë. Po njëqind metra pas kufirit 15 nga ne i arrestuan. Të tjerët vrapuan, po na ndoqi nja 4 orë një helikopter dhe na arrestuan. Pastaj na dëbuan menjëherë .” – tregon Sedeku.

Për këtë gjueti autoritetet kufitare hungareze mbështeten në një ligj të ri të diskutueshëm, për një zonë me gjerësi 8 kilometra pas kufirit hungarez. Në rast se refugjatët kapen në këtë zonë, ata dëbohen sërish në të ashtuquajturën zonë tranziti. Kjo e gjitha është në përputhje me ligjin dhe me rregulloret e BE-së ligjore, thotë komandanti Laszlo Balazs: “Hungaria respekton standardet evropiane dhe ndërkombëtare. E drejta e azilit është e garantuar për këta njerëz. Pra, të gjitha që duan të kërkojnë azil mund ta bëjnë këtë në zonën e tranzitit. Ata duhet vetëm të hyjnë përmes vendit të caktuar kufitar dhe aty të parashtrojnë kërkesën.”

Sa për sy e faqe

Për aktivistët e të drejtave të njeriut kjo gjë është vetëm sa për sy e faqe. Këtu nuk bëhet fjalë për të kontrolluar rrjedhën e refugjatëve, por thjesht për ta ndalur fluksin e tyre. “Nëse qeveria vë në dispozicion 36 milionë euro për njësi ushtarake të armatosura rëndë që të patrullojnë këtu në kufi, por nuk ka para të mjaftueshme për të strehuar një numër të caktuar refugjatësh, atëherë duhet të shtrosh pyetjen se cilat janë prioritetet e kësaj qeverie .” – thotë Szalai Balazs nga OJQ-ja „MigSzol“ Ungarn / Migrant Solidarity Group of Hungary.

Please follow and like us: