Shpëtim Nazarko sulmon Ben Blushin
Analisti Shpëtim Nazarko në një analizë për gazetën “Panorama”, teksa argumenton për polemikën “Shqipëri- Kosovë” pas largimit të lojtarëve të Kombëtares, ‘sulmon’ deputetin socialist Ben Blushi, i cili në polemikën e tij për këtë çështje shkruante se ‘nëse pavarësia politike ka të bëjë me Serbinë dhe është betejë me e lehtë, në pavarësinë kulturore të cilën ajo e ka me Shqipërinë, Kosova po triumfon’.
“Kuturisa dhe unë t’u jap përgjigje disa miqve të mi në Facebook, rreth disa ngjarjeve të fundit, por zgjodha ta bëj nëpërmjet gazetës.
Zgjodha ato më përfaqësueset, dhe sigurisht jo të tëra. Për shembull, dikush më thoshte: A do shërbejë lëvizja e disa lojtarëve të Kombëtares që ishte në Francë si fillesë e polemikave që do çojnë në distancim të dy popullsive shqiptare? Personi që më shkruante nisej nga fakti se në skenë zbritën “artileri të rënda të opinionbërjes”.
Kishte bërë shumë përshtypje një deklarim aksiomatik i dikujt: kombi kosovar po krijohet rreth futbollit…”- shkruan Nazarko në “Panorama”.
Sipas tij, Blushi ka gabim në analizën e tij.
“Po të ishte gjallë gjyshi i Blushit, do t’ia shpjegonte shumë thjesht gabimin në analizë. Dhimitër Shuteriqi, për mendjen time, ishte një shkrimtar mesatar apo nën mesataren, por edhe një nga njerëzit më të kulturuar të vendit të tij. Dhe kjo është arsyeja kryesore, pse ai ka zënë një vend në panteonin e letrave tona”- shkruan Nazarko.
Madje sipas tij, Blushi s’mund të merret seriozisht si shembull polemisti.
“Po Blushi nuk mund të merret seriozisht si shembull polemisti. Megjithëse ka shkruar disa libra dhe me tirazh që janë edhe mbi ato të Kadaresë, ato janë harruar më shpejt sa janë shkruar. Se janë shumë më afër spektaklit sesa kulturës apo mesazhit qe reflektohet prej kultures kombetare”, shkruan Nazarko.