Tërmet edhe në Azi, tronditen Mianmari, Tailanda dhe India
Një tërmet 6.8 ballësh ka tronditur edhe vendin aziatik të Mianmarit, duke dëmtuar tempujt antikë të qztetit të Baganit dhe duke i marrë jetën të paktën 1 personi.
Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në perëndim të qytetit Çauk, në 84 kilometra thellësi, ka bërë të ditur Instituti Gjeologjik Amerikan.
“Lëkundjet janë ndjerë edhe në Tailandë, Bangladesh dhe Indi. Të paktën 66 objekte antike në Bagan kanë pësuar dëme”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Arkeologjisë për rrjetin informativ britanik BBC.
Deri tani një person është konfirmuar i vdekur në qztetin e Pakokut, për shkak të shembjes së një ndërtese.
Ndërkohë, video të postuara në rrjetet sociale tregojnë re të mëdha pluhuri të ngritura nga zonat e monumenteve antike. Qyteti i Baganit është një atraksion i madh turistik dhe në të ndodhen mijëra monumente budiste.
“Tërmetet janë të zakonshme në Mianmar dhe tempujt janë dëmtuar edhe më parë por janë restauruar, ka deklaruar korrespondenti i BBC në vendin aziatik”, Jonah Fisher.