Turqia tërheq ambasadorin e saj në Vjenë
Ministri i Jashtëm Mevlut Çavushollu tha se themelet për vazhdimin normal të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Austrinë nuk ekzistojnë më, kështu që ambasadorin tonë në Vjenë e kemi thirrur në Ankara për konsultime dhe rishikimin e këtyre marrëdhënieve.
Pas takimit kokë më kokë të Ministrit të Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) me Ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë Andrei Galbur dhe delegacioneve në selinë e ministrisë u organizua një konferencë e përbashkët shtypi.
Shefi i diplomacisë turke tha se kohët e fundit Austria është kthyer në një epiqendër të ksenofobisë, racizmit dhe islamofobisë në rritje, duke cilësuar si qasje aspak miqësore masat që ka marrë ky vend për të rritur ndjenjat antiturke në mesin e qytetarëve të Evropës dhe Austrisë; nismën e këtij vendi për të gjykuar procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian dhe madje përçapja deri në nivele kërcënuese.
“Jo vetëm që nuk e përkrahën Turqinë pas tentativës së Organizatës Terroriste Fetoiste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY) në 15 korrik, por mbajtën një qëndrim krejt të kundërt”, theksoi Çavushollu.
Në këtë vend, vijoi ministri Çavushollu, nuk është lejuar mbajtja e një tubimi paqësor me pjesëmarrjen e shtetasve turq dhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë atje në shenjë mbështetëse ndaj demokracisë turke.
“Edhe ne kritikën tonë ua përcollëm në formën ‘Mundoheni të na jepni leksione për lirinë e tubimit, por nuk lejoni as një marshim paqësor’. Por më pas pamë që organizata terroriste PKK dhe simpatizantët e saj ishin lejuar të protestonin në Vjenë. Ne e dimë që kjo nuk pajtohet askund me sinqeritetin. Si rrjedhim, nuk mund të heshtim ndaj një qëndrimi të tillë që e mbështet terrorin”, u shpreh Çavushollu.
Menjëherë pas këtyre zhvillimeve janë eliminuar edhe themelet e vazhdimit normal të marrëdhënieve Turqi-Austri, theksoi Çavushollu, duke shtuar se Ambasadori i Turqisë në Vjenë, Mehmet Hasan Gëys (Mehmet Hasan Göğüs) është thirrur në Ankara për konsultime.