Artur Zheji: Kosova ime hallemadhe!
Ka një varg të vjetër Agolli, “Shqipëria ime hallemadhe”, bëhej fjalë sigurisht për Shqipërinë e para luftës dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sa here që dëgjoj lajme nga Kosova, më vjen në mend ky varg, ose më saktë togfjalëshi “hallemadhe”.
Tani e në këto ditë Kosova, do të ndeshet me një Dilemë shumë të madhe.
Duhet në emër të demarkacionit dhe të nëgociatave të të Mëdhenjve, që ua imponojnë atyre, si të vegjël që janë dhe si të vegjël që jemi, rreth 8.000 hektarë Malit të Zi, apo rreth 80.000.000 metra katrorë truall shqiptar. Një pikë fare e vogël në letër dhe në hartë. Por një lëmsh në stomak, për ata që kanë derdhur gjak e vlagë, për një Kosovë të pamvarur.
Paradoksi është se Presdienti Hashim Thaçi, është dakortësuar në parim për këtë, edhe partia e tij, pas tij, edhe Isë Mustafa gjithashtu, edhe një pjesë e inteligjencës politike dhe jo vetëm e Kosovës.
Rrebelët, opozita e Kosovës, ka deklaruar “luftë”. Dhe kanë fluturar granatat, pas gazit lotsjellës dhe janë deklaruar përplasje të forta.
Kosova ime hallemadhe pra, do të hyjë në vjeshtë në një stuhi përplasjesh, që ndoshta do të shënojnë një kulm dramatik. Udhëkryqi është i trishtuar dhe ngërçi shumë i madh.
Sepse për mendimin tim, edhe Autoritetet edhe Opozita kanë të drejtë.
Jo për konformizëm, por fakti që Podgorica i ka kthyer shpinën Moskës, është një fat i madh, për shqiptarët.
Një mrekulli gjeopolitike e ndodhur vetëm këtë shekull. Me ndihmën dhe mbështetjen e atyre ndërkombëtarëve që kërkojnë këtë “dhuratë” nga ana e Kosovës.
Ndërkohë që historikisht, të gjithë e dinë se mbi 50% e territorit të sotëm të Malit të Zi, ka qenë deri një shekull më parë, tokë shqipfolëse, shqiptare e shkelur dhe e jetuar.
Opozita, në anën tjetër të Udhëkryqit, bërtet drejtësisht për një Padrejtësi! Përse duhet Kosova, të shpërblejë me territoret e veta, Malin e Zi?!
Personalisht mendoj se termat “Tradhëti Kombëtare” që adresojnë Opozita ndaj Thaçit dhe Mustafës, janë të tepërta, por 8.000 hektarë tokë shqiptare do të dorëzohet me duart tona, edhe njëherë.
Them Kosova ime se nëna ime ishte gjakovare, por edhe sepse, këso kohe, gjithmonë e më pak, flasim ne të Tiranës, për ata të Prishtinës, përjashto futbollin dhe xhelozitë e vogla për Kombëtaren tonë.
Sepse edhe po të mos isha gjysëm Kosovar në genet e mia, çdo shqiptar është 100% nga Kosova, njësoj si edhe nga Shqipëria.
Kosova ime hallemadhe, duhet të zgjedhësh me dhimbje një nga të dy rrugët e përpjeta që ke përpara. Por pa shkaktuar dhimbje të tjera, mbi trupin e popullit tend të rraskapitur nga skllavëria e dikurshme, nga luftrat dhe nga zhgënjimet e thella që sot përjetohen, nga grabitja dhe keqqeverisja.
Jo dhunë dhe JO vrasje shqiptarësh të tjerë, kaq di të them sot, por nuk mundem të rri pa e thënë, sepse paralajmërimet janë të frikshme dhe vetëtimat e largëta, po sjellin një stuhi të madhe.