Albspirit

Media/News/Publishing

Borges, shkrimtari që la gjurmë në letrat botërore

 

Me rastin e 117-vjetorit të lindjes së tij, janë botuar 20 shprehjet më të spikatura të Borgesit.Si një prej shkrimtarëve më të mirë të Amerikës Latine, shumëkush mendon se është padrejtësi që ai nuk mori Çmimin Nobel për letërsinë.

117 vjet kanë kaluar nga lindja e shkrimtarit të njohur botëror nga Argjentina, Jorge Luis Borges. Krijimtaria e tij letrare ka lënë gjurmë të pashlyeshme në literaturën botërore duke u përcjellë brez pas brezi. Njëra ndër figurat letrare më unike të shekullit 20, përveç si shkrimtar njihet edhe si eseist,poet dhe përkthyes, dhe një figurë e rëndësishme në literaturën në gjuhën spanjolle.

Jorge Luis Borges, u lind në Argjentinë, në 24 gusht 1899. Si një mjeshtër i tregimeve të shkurtër, Borgesi shkroi për botën kriminale të Argjentinës dhe krijoi botë që rroknin magjepsjen e tij pas konceptit të pafundshmërisë.

Poemat e tij përkujtojnë kulturën unike dhe traditat e kryeqytetit, Buenos Aires, ku ai jetoi deri ditën që vdiq, në 1986.

Me një shkollim të kualifikuar, Borges nisi të angazhohej në jetën intelektuale të vendit, duke frekuentuar dhe ambientet e larta ku flitet jo vetëm për politikë. Poezitë që kishte nisur të shkruante herët nisi t’i botonte në revistat letrare.

Ajo çfarë binte në sy te vargjet e tij ishte një surrealizëm, një pasion për të folur për ëndrrat, filozofinë, apo gjithçka tjetër që dukej e padukshme në jetën reale. Në fillim të viteve ’30, ai nisi të ngrejë pikëpyetje ekzistenciale në veprat e tij. Kritikja argjentinase, Ana Maria Barrenechea, do ta quante “Irreal”.

Borges do ta ndiente veten të tërhequr nga filozofia e Heideggerit, Sartrit, Juan Ruflo. Duke e kthyer shkrimin në një mjet për të zbuluar botën dhe qenien njerëzore, Borges ka lënë pas një trashëgimi të çmuar letrash, ku çdokush mund të endet dhe t’i japë përgjigje pyetjeve që i enden rreth vetes.

Si një prej shkrimtarëve më të mirë të Amerikës Latine, shumëkush mendon se është padrejtësi që ai nuk mori Çmimin Nobel për letërsinë. “Ndihem pakëz i turpëruar që marr Nobelin, sidomos duke patur parasysh që Borgesi nuk e mori asnjëherë”, tha shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa pasi e fitoi çmimin në 2010.

Me rastin e 117-vjetorit të lindjes së tij, janë botuar 20 shprehjet më të spikatura të Borgesit:

1- Dyshimi është një prej emrave të inteligjencës.

2- Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë.

3- Vetë jeta është një citat.

4- Teksa mendoj për mitet e shumtë, është njëri prej tyre që është shumë i dëmshëm, dhe ky është miti i shteteve.

5- Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen.

6- Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar.

7- Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyes.

8- Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale.

9- Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh një fe me një Zot të gabueshëm.

10- Çdo jetë është bërë nga një moment i vetëm, momenti në të cilin njeriu gjen, njëherë e përgjithmonë, kush është.

11- Unë kam përfytyruar gjithmonë se Parajsa do të jetë njëfarë biblioteke.

12- Në përgjithësi çdo vend ka gjuhën që meriton.

13- Asgjë nuk është ndërtuar në gurë, gjithçka është ndërtuar në rërë, por ne duhet të ndërtojmë sikur rëra të ishte gur.

14- Koha është lënda prej së cilës unë jam bërë. Koha është një lum që më merr mua me vete, por unë jam lumi; është një tigër ai që më përlan mua, por unë jam tigri; është një zjarr ai që më shkrumbon mua; por unë jam zjarri.

15- Të jesh i pavdekshëm është e zakonshme; përveç njeriut të gjitha krijesat janë të pavdekshme, sepse ato nuk e njohin vdekjen; hyjnore, e tmerrshme, e pakuptueshme, është ta dish se je i pavdekshëm.

16- Çdo poezi është misterioze; askush nuk e di në tërësi atë që i është dhënë për të shkruar.

17- Shtypja e një lajmi në letra të mëdha i bën njerëzit të mendojnë se është padiskutushmërisht i vërtetë.

18- Pasqyrat dhe marrëdhëniet e shtratit janë të urryeshme, sepse e shumëfishojnë numrin e njerëzve.

19- Më së shumti vlerësoj inteligjencën, sepse ndershmëria dhe guximi i një njeriu nganjëherë nuk ndihmojnë për dialog.

20- Jetojmë në një epokë shumë torollake; për shembull, njerëzit blejnë prodhime, shkëlqimi i të cilave mburret nga vetë njerëzit që e shesin.

Please follow and like us: