Çmimet e trojeve dhe shtëpive në 11 qarqe
Qytetarët që do të rivlerësojnë shtëpitë dhe pronat, duke përfituar nga ulja e taksës në 2 qind do të përdorin çmimet minimale fiskale të ndara sipas 11 qarqeve. Botohen të plota çmimet fiskale të shtëpive dhe apartamenteve për 64 bashkitë e vendit, të ndara sipas qarqeve. Mbi këto çmime minimale fiskale do të llogaritet rivlerësimi i shtëpive, sipas vlerës së tregut.
Tabela shpreh çmimin e apartamenteve dhe pronave për metër katror, të ndara sipas 11 qarqeve dhe zonave kadastrale të pronave. Në rast se një qytetar do të rivlerësojë apartamentin e tij do t’u referohet çmimeve të miratuara nga qeveria, sipas qytetit dhe qarkut ku banon.
Në rast se një qytetar nga Durrësi ka një apartament me sipërfaqe 100 m2, për këtë qytet qeveria ka përcaktuar si çmim minimal fiskal 68,540 lekë/m2. Nëse ky qytetar do të rivlerësojë shtëpinë, vlera e shtëpisë të tij do të jetë 6,854,000 lekë. Në rast se ai shtëpinë e ka blerë 4 milionë lekë, për rivlerësimin ai do të paguajë taksë 2 për qind të diferencës të çmimit të rivlerësuar më atë të shitjes.
Në këtë rast, ai duhet të paguajë në hipotekë 57,080 lekë. E njëjta llogaritje do të përdoret edhe për rivlerësimin e pronës. Nëse një qytetar në Shkodër ka një pronë 1000 m2 të regjistruar në zonën kadastrale nr.8591, për këtë zonë qeveria ka miratuar si çmim minimal fiskal 8500 lekë për metër katror.
Në rast se ky qytetar do të rivlerësojë pronën e tij, çmimi që do t’i referohet hipoteka do të jetë 8500 lekë dhe vlera e pronës të tij do të jetë 8,5 milionë lekë. Në rast se kjo pronë kur është blerë ka pasur çmimin 6000 lekë për metër katror diferenca nga rivlerësimi është 1,5 milionë lekë. Taksa që do të paguhet për rivlerësimin do të jetë 2 për qind e 1,5 milionë lekë, që është 30,000 lekë.
Në rast se qytetarët do t’i shesin shtëpitë apo pronat e rivlerësuara sipas çmimit të tregut, për të llogaritur taksën e shitjes do të përdoret çmimi i rivlerësuar që do të regjistrohet në hipotekë.
E njëjta skemë llogaritjeje do të përdoret edhe për qytetet e tjera, sipas çmimeve fiskale të miratuara nga qeveria, ku secili person i interesuar mund të kryejë vetë llogaritjen e përfitimit nga amnistia për ta kthyer pronën në vlerën e tregut. Për kryeqytetin, çmimet fiskale janë të ndara në 11 zona, kurse për rrethet e tjera është i përcaktuar vetëm një çmim.