Europa e trazuar debaton për burkat, nixhabin dhe burkinin
Më poshtë sjellim hollësi nëse burka dhe burkini(që mbulojnë gjithë trupin), si dhe nixhabi, që është mbulesë e fytyrës, janë të ndaluara dhe në cilat vende po diskutohet për një ndalesë të tillë. Agjencia e lajmeve Reuters sjell praktikat dhe shembujt nga nje numër vendesh evropiane.
AUSTRIA
Politikanët konservatorë austriakë kanë bërë thirrje për një ndalesë të mbulimit të tërësishëm të trupit, duke thënë se iu pamundëson femrave integrimin, duke marrë parasysh faktin se Austria është një vend kryesisht katolik. Ministri i Punëve të Brendshme, Wolfgang Sobotka, ka thënë se ai pret që një ndalesë e plotë mund të jetë problematike, në aspektin e së drejtës kushtetuese. Një zëdhënës i Gjykatës Supreme të Austrisë ka thënë se nuk ka asnjë ligj që ndalon mbulimin e fytyrës. Por, kjo gjykatë së fundmi ka dëgjuar një rast në të cilin një punëdhënës i një zyre noterie ka pushuar nga puna punëtoren e tij myslimane, pasi ajo kishte veshur një mbulesë fytyre, duke argumentuar se kjo gjë pengonte komunikimin e saj me klientët. Ajo e kishte paditur punëdhënësin e saj, por gjykata ishte pajtuar me këtë të fundit, bazuar në argumentin se mbulesa e saj e fytyrës kishte ndikuar në aftësinë e saj për ta kryer punën si duhet. Një zëdhënës i Ministrisë së Sportit tha se ai nuk kishte informacion se ekziston ndonjë rregull në nivel vendi që ndalon përdorimin e burkinit në pishina publike dhe se pishinat kanë të drejtë t’i caktojnë rregullat e tyre.
BELGJIKA
Belgjika e ka ndaluar nixhabin, e cila mbulon flokët dhe fytyrën, përveç syve, si dhe burkan, në vitin 2011. Që atëherë, 60 femra janë ndjekur penalisht për veshjen e tyre. Është e ndaluar të veshësh një burkini në shumë pishina publike komunale, por jo në plazhe. N-VA, partia flamande e krahut të djathtë, po bën thirrje për një ndalesë në nivel vendi të burkinit. MR, partia liberale frankofone, thotë se është e gatshme ta fillojë debatin rreth kësaj çështjeje gjithashtu. “Nëse lejohet (veshja e burkinit) do t’i lësh mënjanë nga shoqëria”, ka thënë Nadia Sminate, deputete e N-VA-së, për gazetën De Standaard.
REPUBLIKA ÇEKE
Nuk ka ndalesë në nivel vendi për burkan dhe burkinin në Republikën Çeke. Në vitin 2013, një shkollë në Pragë ua ndaloi dy vajzave veshjen e hixhabit. Këtë vit, një nga dy studentet paditi shkollën, duke kërkuar një kërkim falje nga ana e tyre. Deri tash nuk është dhënë asnjë vendim lidhur me rastin. Gjithashtu në vitin 2013, disa prindër protestuan kundër një mësueseje që kishte veshur një hixhab, në një kopsht publik, në një qytet në jug të vendit. Asaj nuk i ishte imponuar që të jepte dorëheqje, sepse prindërit e tjerë dhe autoritetet lokale e kishin mbështetur atë.
FRANCA
Në vitin 2010, Franca u bë vendi i parë evropian që e ndaloi burkën dhe nixhabin në vendet publike. Në vitin 2014, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut mbështeti ndalesën, por tha se ligji është i tepruar dhe mund të inkurajonte stereotipa. Burkini është ndaluar nga më shumë se dymbëdhjetë autoritete komunale, fillimisht në juglindje, ndërmjet Nicës dhe Marsejës, ku ka një përqendrim të madh të popullsisë myslimane. Kryeministri Manuel Valls, tha për gazetën nga Marseja, La Provence, më 17 gusht, se plazhet dhe hapësirat e tjera publike është e nevojshme të mbrohen nga shfaqjet religjioze, duke thënë se burkini është një shenjë e nënshtrimit të femrës. Më 25 gusht, gjykata më e lartë administrative e vendit do të nis seancën dëgjimore të kërkesës së një grupi francez “Liga për të Drejtat e Njeriut” për ta kthyer mbrapsht ndalesën e burkinit në qytetin mesdhetar të Villeneuve-Loubet. Kërkesa e këtij grupi më herët ishte refuzuar në një gjykatë të shkallës më të ulët. Në vendimin e saj, gjykata kishte thënë se ndalesa e burkinit “ishte masë e domosdoshme”, në kontekstin e sulmit në Nicë dhe vrasjes së një prifti katolik nga militantët islamik.
GJERMANIA
Konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, duan një ndalesë të pjesshme të mbulesës së fytyrës, por partneri i tyre në koalicion, Partia Social-demokrate(SPD) e kundërshton këtë ide. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ka thënë se mbulesa e fytyrës nuk ka vend në Gjermani, por ka sugjeruar se një ndalesë nacionale e saj do të ishte e vështirë. Ministrat e brendshëm konservatorë rajonalë duan që femrat të detyrohen ta tregojnë fytyrën e tyre përderisa janë duke vozitur, kur e bëjnë regjistrimin tek autoritetet, te kontrollet e pasaportave dhe në protesta. Ata gjithashtu duan që mbulesa e fytyrës të ndalohet në shkolla, universitete, në shërbime civile dhe në gjykata, për gjykatëset dhe dëshmitaret. Merkel ka thënë se gratë që veshin një mbulesë të tillë kanë “pothuajse asnjë mundësi të integrimit”. Një gjykatë gjermane mori vendim më 22 gusht se një grua myslimane nuk mund ta veshë një nixhab në një shkollë nate.
ITALIA
Rajoni i Lombardisë në veri të Italisë e ka ndaluar përdorimin e burkas në spitale dhe zyra publike, që janë pjesë të qeverisë rajonale, që nga 1 janari i vitit 2016. Ministri i Brendshëm, Angelino Alfano, ka thënë se Italia nuk do ta ndjek shembullin e disa qyteteve franceze për ta ndaluar përdorimin e burkinit, duke thënë se një ndalesë e tillë mund të jap kundër efekte.
HOLANDA
Ndalimi i burkas është duke u debatuar në Holandë që një dekadë, por gjithmonë ka hasur në kundërshtime praktike dhe kushtetuese. Në vitin 2015, një ndalesë për shmangie të gjuhës fetare ishte imponuar në “mbulimin e fytyrës” në situata të caktuara. Kjo përfshinte shkollat dhe vendet ku konsiderohej e domosdoshme që të shihej fytyra e dikujt apo identifikimi i tyre për shkaqe sigurie: në aeroporte, në gjykata, në transportin publik dhe në hyrje të ndërtesave publike. Këto situata nuk përfshinin rrugët apo plazhet. Ndalesa përfshin edhe mbulimin e fytyrës në forma të tjera, siç është vendosja e helmetave të motoçikletave.
SPANJA
Në vitin 2010, një këshill i qytetit verilindor të Lleidas ndaloi përdorimin e burkas dhe mbulimit të fytyrës në forma të tjera që “vështirësojnë identifikimin dhe komunikimin” në ndërtesat komunale. Qytete të tjera spanjolle, kryesisht në rajonin verilindor të Katalonisë, kanë vendosur ndalesa të ngjashme. Ndalesat u kthyen mbrapsht në vitin 2013 nga Gjykata Supreme spanjolle, e cila thoshte se komunat nuk kishin autoritet për të imponuar një ndalesë të tillë. Ka pasur shumë pak diskutime publike lidhur me mundësinë e vendosjes së një ndalese në nivel vendi në Spanjë, ku shumë pak femra e përdorin mbulesën.
ZVICRA
Në Zvicër, një grup që ka udhëhequr një iniciativë të suksesshme për të bllokuar ndërtimin e minareve të reja në Zvicër në vitin 2009, po vazhdon me një fushatë të ngjashme për të vendosur një ndalesë të plotë të burkas, para votuesve nacionalë. Një kanton, në jug të Italisë, në Tessin, vendosi një ndalesë të burkas në vitin 2013, që hyri në fuqi më herët këtë verë. Ata që e shkelin këtë ndalesë mund të përballen me dënime. Një politikan nga social-demokratët në Zyrih, Mario Fehr, tha këtë muaj se ai gjithashtu e mbështet një ligj që ndalon burkan, pasi njerëzve në shoqëritë liberale duhet t’u kërkohet që ta tregojnë fytyrën. Ai është kritikuar nga anëtarët e partisë së tij për komentet e tij, sipas medieve zvicerane.