Albspirit

Media/News/Publishing

Kosovarët ikin, vijnë turqit!

Shumë qytetarë të Kosovës vazhdojnë të ikin nga vendi për shkak të kushteve jo të mira të jetës dhe mos zhvillimit. Derisa një pjesë e tyre dalin ilegalisht ka edhe të tillë që duan tërësisht të shkëputen nga vendlindja e tyre.

Në raportin, të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, bëhet me dije se mbi 948 kërkesa të qytetarëve të Kosovës kanë kërkuar lirim nga shtetësia kosovare, përcjell “zeri.info”.

Vetëm në muajt prill, mars e qershor në Divizionin për Shtetësi janë dorëzuar 948 kërkesa për t’u liruar nga shtetësia.

“Gjatë periudhës prill-qershor 2016, në Divizionin e Shtetësisë janë parashtruar gjithsej 948 kërkesa për lirim nga shtetësia”, thuhet në raportin e DSHAM-it, të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Prej këtij numri 865 kërkesa janë kthyer si përgjigje pozitive, 9 të tjera janë refuzuar dhe 74 kosovarë ende janë duke pritur për të hequr dorë nga shteti i tyre, shkruan “zeri.info”.

Ndërsa, kosovarët që kanë kërkuar të largohen nga shtetësia kosovare kanë qenë prej shteteve si: Gjermania, Austria, Sllovenia, Holanda dhe Norvegjia, etj.

E përderisa këta qytetarë kërkojnë të largohen nga Kosova vetëm 41 individë, prej tyre 13 shqiptarë e pjesa tjetër janë serb, malazezë, kanë aplikuar për të fituar shtetësinë kosovare, raporton “zëri.info”.

Ndërkohë, azil kanë kërkuar 39 persona, ku shumica e tyre janë nga Afganistani dhe ka edhe nga vendet si: Siria, Libani, Irani e Maqedonia.

Kurse në këta muajt e fundit janë bërë mbi 1 mijë kërkesa për leje qëndrimi në vendin tonë.

E këtyre kërkesave prijnë shqiptarët nga Shqipëria, serbët e turqit.

Këta të fundit duket se më shumë kanë ardhur për punë sepse 114 individë me nënshtetësi turke kanë ardhur për të punuar në vendin tonë këta muaj.

E në këtë listë ka pasur edhe shtetas të Amerikës, e të Maqedonisë.

Ndërkohë, në vitin që lamë pas gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, në Divizionin e Shtetësisë janë parashtruar gjithsej 5 mijë e 577 kërkesa për lirim nga shtetësia./gazetaexpress

Please follow and like us: