Ministri i Mbrojtjes shkarkohet për korrupsion nga Parlamenti
Ministri irakian i Mbrojtjes, Khaled al-Obeidi i dyshuar për korrupsion u shkarkua sot nga Parlamenti, raportuan disa deputetë.
“Rreth 142 deputetë votuan pro heqjes së mandatit ndaj ministrit dhe 102 kundër këtij vendimi, gjatë një procesi me votim të fshehtë”, bënë të ditur për median dy deputetë. Tetëmbëdhjetë të tjerë abstenuan.
Kryeministri Haider al-Abadi humbi në këtë mënyrë një prej aleatëve më të ngushtë sunitë, ndërsa forcat qeveritare po përgatiten për një ofensivë ushtarake për çlirimin e Mosulit, fortesë e rëndësishëm e grupit të Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe qyteti i fundit më i madh i vendit nën drejtimin e xhihadistëve.
Në fillim të gushtit, ndaj ministrit Obeidi u drejtuan pyetje në Parlament me dyshimin për përfshirje në afera korruptive.