Albspirit

Media/News/Publishing

Refugjatët!

Fragment nga Ilir Levonja

Vetëm kur dolën në fushën e Ersekës ata u kujtuan se aventura e arratisjes qe realitet. Të gjitha ato gota fërneti, shakatë, paratë e hedhura etj…, aty u bënë ujem i syve të trishtë që koteshin bregoreve si brinjë kraharori në malin e Gramozit. Ato kurrizore që binin poshtë deri në fushë, distanca e kilometrave i mbante akoma të vogla. Xhadeja në fillim dukej sikur po i futej malit që aty, mirëpo pas pak zuri të ecë paralel me shpatet e zhveshura. Madje qe si fushë. Shoferi i dha gaz dhe mjeti sikur u çlirua nga të përpjetat dhe kthesat. Sikur iu përtërinë forcat dhe ashtu plot hare po u thoshte refugjatëve që ai për vete ia doli t’i sillte deri aty. Shpejt do vinte radha e tyre.

Ata deri atë botë rrinin gjysëm të gjumosur. Zhytur në ato skuta të mëndjes duke ripërtypur atë që lanë pas dhe atë që i pret përpara. Edhe pse në një mjet, afër njëri-tjetrit, prapë ishin mijëra halle larg. Madje edhe dyshues, edhe mosbesues, edhe të kujdesshëm duke shtrënguar me këmbë paimet e refugjatit. Megjithëse hera-herës i hidhnin ndonjë vështrim shoqi-shoqit dhe çonin buzën në gaz. Prapë, mëndja e tyre kulloste tek kalimi i kufirit, tek ushtarët e grekut. Në atë të ftohtë që ata mezi e kishin pritur.

-Aq të zhveshur janë? e pyeti Marko.
-Duken të tillë nga larg, kur afrohesh vë re që ka drurë plot. Madje atje ku do kalojmë ne është edhe një pyll me dushqe edhe një lloj si pishë e egër. Ka edhe bredha, shkozë. Ka edhe arra, thana. Një radhe kam ngrënë thana sa jam kënaqur. Më duket se në shtator. E ku di unë se çfarë drurësh ka atje. Drurë, gjithfarësojesh, – tha Armandi me të qeshur.

Qeshi edhe Marko. I erdhi mirë që shoku dukej shumë i lumtur. Madje kishte marrë një lloj përskuqje të fytyrës duke ia larguar përfundimisht atë zbehtësinë karakteristike. Ndofta nga pija. Por zakonisht kur njeriu pi shumë, zbehet në fytyrë. Kështu ndodhte me Enjanin. Kurse Armandi qe zbukuruar.

-Kemi edhe shumë? -pyeti një djalë tek të trembëdhjetat.
-Edhe nja gjysëm ore që të arrijmë në Ersekë, – ia ktheu burri në moshë.
-Pse nuk jemi në Ersekë? – pyeti djali.
-Jemi, por jo në qytet brenda, – ia ktheu burri.
-Pse kaq e madhe qënka Erseka, sa të duhet një gjysëm ore që ta arrish qëndrën? -pyeti sërish djali.
-Aman mor bir se gjithmonë me pyetje. Qyteti është si shtëpia me kopësht, me oborr. Ne sapo u futëm në oborr. Jemi tek porta, e merr vesh. Duam gjysëm ore dhe kaq. Se në çfarë kilometri jemi, çfarë rëndësie ka.? Duam gjysëm ore dhe pikë, – tha burri disi i bezdisur.-Ka rëndësi se në bazë të kilometrave gjejmë edhe distancën edhe shpejtësinë, – vazhdoi djali duke ia ngritur nervat më keq tjetrit. Që me sa dukej, duhej të ishte i ati.

Për një çast Marko vuri re se rruga përpara kishte në të dya anët kolipse të larta. Më tutje ca plepa a kavakë që në atë stinë dukeshin si hollakë qiellore me atë zbardhëdhimin e lastarëve të zhveshur. Bëri buzën në gaz pasi u kujtua për rrugët në kohën e diktaturës, që ishin ashtu. Nga të dya anët me pemë, me trungjet të lyer me gëlqere deri në lartësinë e një gjoksi burri normal. Madje brenda në qytet, Ersekë, hasën akoma parrulla të tipit rroftë partia e punës. Apo një tjetër në një mur pallati, lart frymën revolucionare etj. Diku, në një repart ushtarak dalloi atë syrin ngjyrë blu, vigjilent pranë karabinës. Tek-tuk ca fshatra rrinin rrëzë Gramozit si togje gërmadhash. Dikur shoferi ia mori

Seç këndon bilbi fushës së Kolonjës,
Manushaqe e prillit në mes të dëborës.

Përtej dukeshin ca shtëpi në anë që i lidhte një rrugë e kalldrëmtë. Në kopshte kuqëlonin ca mollë vocërrake.

-Kumbulla? -pyeti djali.
Të gjithë qeshën me të madhe.
-Jo, janë mollë, -i tha Marko.

Burri që ishte me ‘të bëri buzën në gaz.

-Ka edhe kumbulla or çun, plot ka. Ja gjithë këto kopshtije me kumbulla janë. Pa ç’raki që bëjnë, – tha shoferi. -Pikë e mjaltit. Pi robi e zhdëpet e nuk i dhëmb koka fare të nesërmen. Pse? Se është frut safi, pa asnjë lloj helmi. Ja kështu.

Marko e shikoi me vëmendje djalin. Ndërsa i ati dukej i nervozuar, ndofta për shkak se nuk e dinte se si do t’i shkonte rruga, i biri krejt i çlirët. Pa asnjë ankth kufiri, pagesash për ndërmjetësit, motin e keq në mal, policinë greke etj. Për ‘të tërësia e këtyre elementeve qe një lloj hiçi sikundër atij njeriu që ecën nëpër gjumë. Ndaj shpesh njerëz të tillë e kanë rrugën të pa cënuar. Megjithatë një lloj trishtimi endej në sytë e gjithkujt, arratija edhe e këtyre fëmijëve. Këtij brezi kaq inteligjent që çuditërisht, në një apo tjetër mënyre, ose iknin jashtë. Ose fikeshin aty duke u kthyer në zanatçinjë provincash që merreshin me tavolina dominosh.

Ndofta në një të ardhme Greqia do mburret me këta shkencatarët ”e saj” të rinj, me këta profesorë, artistë e sportistë. Ca do i veshi me ar e nacionalizëm blu, ca të tjerëve do u japi veç një çatizë me qera. Por që baballarëve, për shkak të kushteve të mira, për shkak të rrugës pa baltë, ujit njëzet e katër orë, të ardhurave deri diku të mjaftueshme, do u duket parajsa vet. Mbase në një të ardhme do ironozojnë vetveten.

Por atëhere nuk do të ketë asnjë rëndësi, kjo thjesht se do të jetë tepër vonë. Dhe këta veç keqardhjes për çfarë ndërtuan, për çfarë përfaqësuan do e shohin veten si ai kurbani i kohëve të moçme. Edhe pse në formën e një ure që i çoi në parajsë fëmijët e tyre, prapë do i mbysi limontia e këtij përfytyrimi. Këta njerëz që po ikin nga malet, plot nervozizëm, frikë e pasiguri, të paktën do e tregojnë me krenari si sakrificë personale. Nga ana tjetër bijtë e tyre nuk do harrojnë të mburren për arritjet greke duke përmendur lavdinë e saj dhe asnjëherë dhunimin e saj çnjerëzor në kufijtë me Shqipërinë.

Në një farë mënyre apo një tjetër, e bën këtë edhe ata shqiptarë që ishin pjesë e Perandorisë Osmane dikur. Që morën pozita, që u bën qytetarë, duke mëshiruar fatin e një vendi të vogël dhe duke u quajtur vet me fat që ishin pjesë e asaj anije gjigande. Do ketë edhe nga ata që bëhen heshtak të së vërtetës së hidhur. Që nuk do ndihmojnë në dritësimin e së ardhmes. Por mbajtjen peng të saj, nën atë që quhet peng të përjetshëm duke mos zbuluar mënxyrat. Kësisoj që jeta e mëtejshme të mos ketë pengje. Të mos ngrihet në ikje të sojit të kësaj dite, por të njeriut kur viziton njeriun. Të zogut në qiell dhe pa të përçudnuar kufijsh.

Share:
Please follow and like us: