Albspirit

Media/News/Publishing

Sell: Rusia nuk ka kapacitet ta sfidojë SHBA

“Lufta e Ftohtë ka qenë luftë globale midis dy super-fuqive të atëhershme… Rusia, nën Putinin, nuk mund ta përsërisë këtë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomati amerikan, Louis Sell. Sipas tij, Rusisë i mungon ideologjia, ka ekonomi të dobët dhe ushtri të dobët krahasuar me SHBA-në. Sell flet edhe për të ashtuquajturin Puç i Gushtit, i cili ka çuar në rënien e Bashkimit Sovjetik.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sell, libri juaj i fundit “From Washington to Moscow” (Nga Uashingtoni në Moskë) ka të bëjë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Cilat kanë qenë shenjat e para të kolapsit? Puçi i vitit 1991?

Louis Sell: Puçi i gushtit të vitit 1991 ka krijuar bazën për rënien e menjëhershme të Bashkimit Sovjetik. Por, proceset që veçmë kishin ndodhur për disa kohë, edhe po të mos kishte puç, do ta shembnin brenda një viti ose dy. Forcat që kanë udhëhequr vendin në copëtim kanë qenë të inkurajuara nga disa gabime të Gorbachevit (presidentit sovjetik) dhe të tjerëve. Puçi ka qenë një lloj nxitësi, por jo edhe shkaku i vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndryshuar qasja diplomatike e SHBA-së ndaj Bashkimit Sovjetik pas përpjekjes për puç?

Louis Sell: Natyrsisht se po. Puçi ka qenë ngjarje dramatike dhe ka sinjalizuar dy gjëra. Një ka qenë rritja e Boris Yeltsinit (president i parë i Federatës Ruse). Yelstin ka udhëhequr rezistencën ndaj puçit në Moskë. Gorbachev është kapur në pushim, në një zonë turistike në Detin e Zi. Pas puçit, fuqia e vërtetë në Moskë ka qenë Boris Yelstin. Gorbachev është kthyer në pozitën e tij, por ka qenë një lloj pozite në hije dhe forca e vërtetë ka qenë Boris Yeltsin si president i Rusisë. Shtetet e Bashkuara që, në njëfarë mënyre, kanë hezituar kundrejt Yeltsinit, duhej ta kuptonin realitetin e pozitës së tij. Administrata e Bushit (presidentit të SHBA-së) kishte ende simpati për Gorbachevin, i cili ka bërë dëshpërimisht përpjekje ta mbajë gjallë Bashkimin Sovjetik. Por, më vonë, administrata Bush është dashur të pranojë realitetin se ai vend po shkonte drejt shpërbërjes. Ngjarja kyçe ka qenë pavarësia e Ukrainës më 1 dhjetor.

Radio Evropa e Lirë: Përveç entuziazmit për fundin e komunizmit, duhet të ketë pasur edhe frikë, apo jo?

Louis Sell: Po, sigurisht. Kur një vend i madh si Bashkimi Sovjetik nis të copëtohet, mundësitë për probleme ekzistojnë. Në të njëjtën kohë, Jugosllavia, siç e dini, është shpërbërë dhunshëm dhe ka pasur frikë serioze se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Bashkimin Sovjetik. Për faktin se Bashkimi Sovjetik ka qenë super-fuqi bërthamore, njerëzit kanë qenë të shqetësuar për sigurinë e arsenalit sovjetik.

Radio Evropa e Lirë: Një konstatim interesant ka dalë nga libri juaj: Rënia poshtëruese e Bashkimit Sovjetik dhe ngjarjet që e pasuan, kanë ndihmuar vënien e themeleve për rritjen e Vladimir Putinit. Si ka ndodhur një gjë e tillë?

Louis Sell: Mendoj se janë dy arsye. Njëra është se rënia (e Bashkimit Sovjetik) ka ndodhur shumë shpejt. Bashkimi Sovjetik ka qenë super-fuqi bërthamore dhe, në njëfarë forme, kjo ka qenë maja e fuqisë së saj për një dekadë apo më pak. Dhe, populli rus që ka dominuar Bashkimin Sovjetik dhe që është identifikuar më shumë me të, ka prirje që identitetin e tij ta lidhë me një Rusi që është superfuqi. Por, kjo ka marrë fund shumë shpejt dhe krejt papritmas ky shtet që së bashku me SHBA-në konsiderohej super-fuqi, është zhytur në varfëri, kaos dhe rënie ekonomike. Për një moment, sipas disa matjeve, ekonomia ruse ka qenë e njëjtë me atë të Holandës. E gjithë kjo ka qenë shqetësuese për popullin rus. Arsyeja e dytë ka qenë premtimi për reforma ekonomike dhe demokratike në vitet 1990, i cili fatkeqësisht nuk është realizuar në mënyrën që është shpresuar. Vitet 1990 janë karakterizuar me jostabilitet dhe rënie ekonomike. Ky ka qenë një zhgënjim i madh, që ka minuar besimin e njerëzve në alternativën e demokracisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju po ashtu keni theksuar nevojën që Perëndimi t’i tregojë Rusisë se agresioni në Ukrainë dhe aventura në Siri dhe gjetkë nuk mund të kenë sukses dhe do të kenë kosto. Cilat janë mjetet që Perëndimi i ka në duar, por deri më tash nuk i ka përdorur?

Louis Sell: Mendoj se Perëndimi, në rend të parë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, duhet të bëjnë dy gjëra. Fillimisht, duhet t’i bëhet e qartë Rusisë dhe regjimit të Putinit se ky lloj i politikës agresive ndaj fqinjëve, se agjenda anti-perëndimore nuk do të kenë sukses. Duhet t’i kundërshtojmë këto. Po ashtu duhet t’i mbajmë duart hapur nëse Rusia e ndryshon politikën e saj të bashkëpunimit. Nëse veprojmë kështu, nuk mendoj se do të kemi një Luftë të dytë të Ftohtë. Duhet të mendojmë me koka të ftohta, në atë kuptim se cilët janë interesat shtetërorë. (Rusisë) duhet t’i thuhet se agresioni në Ukrainë është gabim dhe ne duhet t’i sigurojmë Ukrainës mjetet me të cilat do t’i rezistojë agresionit, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë ushtarak. Dhe, Ukraina t’i përdorë ato në mënyrë efektive dhe demokratike, por kjo, sipas mendimit tim, është ende një çështje e hapur. Ukraina po përballet me pushtim nga Rusia. Rusia ka pushtuar dhe ka ankesuar Krimenë, ka inkurajuar pushtimin dhe luftën që po vazhdon në lindje të Ukrainës. Andaj, duhet t’i ndihmohet Ukrainës, nuk ka kuptim nëse nuk i ofrohet ndihmë ushtarake për t’iu kundërvënë këtij pushtimi në mënyrë të duhur.

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni quajtur veten “fëmijë i Luftës së Ftohtë”. Ju sapo thatë se mund të ketë Luftë tjetër të Ftohtë, por disa thonë se Lufta e Ftohtë tashmë ka nisur…

Louis Sell: Nuk mendoj se Rusia ka kapacitet të sfidojë Shtetet e Bashkuara në të njëjtën mënyrë që ka bërë Bashkimi Sovjetik në Luftën e Ftohtë. Lufta e Ftohtë ka qenë luftë globale midis dy super-fuqive të atëhershme. Rusisë i mungojnë dy gjëra. Së pari, ajo nuk ka ideologji globale. Putin nuk ka fare ideologji. Janë nacionalizmi dhe ksenofobia e me to nuk mund të udhëhiqet në pjesën tjetër të botës. Komunizmi ka qenë ideologji globale. Është paraqitur si mënyrë e re e ristrukturimit të të gjithë shoqërisë njerëzore. Kjo ka qenë e rreme, por ka tërhequr njerëz në mbarë botën. Rusia, nën Putinin, nuk mund ta përsërisë këtë. Së dyti, Rusia, në planin global, është më e dobët se Bashkimi Sovjetik. Popullsia e Rusisë është më pak se gjysma e asaj të SHBA-së dhe po zvogëlohet. Ekonomia ruse është 25 ose 30 përqind e asaj amerikane dhe ajo po dobësohet. Në disa vitet e fundit, Putin ka bërë shumë për të revitalizuar ushtrinë ruse, por kjo ka ndodhur dy dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Dhe, shumë indikatorë tregojnë se Rusia mbetet shumë prapa fuqisë ushtarake amerikane. (REL)

Please follow and like us: