Albspirit

Media/News/Publishing

Adhuruesja e Stalinit emërohet Ministre Arsimi në Rusi

 


Adhuruesja e Stalinit emërohet Ministre Arsimi në Rusi

Emërimi i Olga Vasiljevas nga Presidenti Vladimir Putin si ministrja ruse e arsimit dhe shkencës ka krijuar polemika të ndezura, duke nxitur reagime të forta nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e pakicave fetare në vend.

Zonja Vasiljeva është historiane e Kishës Ortodokse, e cila e ka shkruar temën e dizertacionit mbi politikat sovjetike ndaj kishës në vitet 1942-1948, kur Bashkimi Sovjetik ishte nën udhëheqjen e Josif Stalinit.

Në fund të qershorit, kur ajo ende punonte si zëvendës-shefe e drejtorisë presidenciale për projektet publike, zonja Vasiljeva citohet të ketë thënë gjatë një fjalimi para një forumi rinor se gjëja më e rëndësishme për mësuesit e shkencave sociale dhe humane është “platforma e këndvështrimit botëror” mbi të cilën qëndrojnë.

“Është e pamundur të ndërtohet e ardhmja pa themele; këto themele janë patriotizmi, çdo gjë tjetër është e paimagjinueshme,” citohet të ketë thënë zonja Vasiljeva.

Në të njëjtin fjalim, ajo është shprehur me kritika të forta ndaj Ogonyok-ut, revistës që u bë një zë i fuqishëm për ndryshime demokratike në Bashkimin Sovjektik në fund të viteve 1980, por iu referua me tone pozitive Stalinit, duke thënë se ai “ringjalli patriotizmin”.

Ishte e pritshme që kundërshtarët e presidentit aktual rus të revoltoheshin nga emërimi i Olga Vasiljevas si ministre e arsimit dhe shkencës më 19 gusht.

Andrei Illarionov, ish-këshilltar ekonomik i zotit Putin, i cili është bërë një kritik i ashpër i presidentit rus, e cilëson emërimin e zonjës Vasiljeva “një akt simbolik”. Ai shprehet në një postim në blogun e tij (hhtp:/aillarionov.livejournal.com/943109.html) se emërimi u bë në 25-vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit kundër udhëheqësit reformator sovjektik, Mikhail Gërbaçov nga pasues të vijës së ashpër komuniste, si dhe në ditën kur Vladimir Putini po vizitonte Krimenë, gadishullin e Ukrainës në Detin e Zi që u aneksua nga Rusia në 2014.

Federata e Komuniteteve Hebraike në Rusi i bëri thirrje zonjës Vasiljeva të sqaronte qëndrimin e saj ndaj Stalinit dhe rolit të tij në historinë e Bashkimit Sovjetik dhe të mos linte “vend për paqartësi, pasi kjo ka rëndësi jo vetëm për arsimin, por edhe për të ardhmen e vendit”.

Nikita Petrov i grupit për të drejtat e njeriut Memorial, i cili u themelua në 1989 për të mos lejuar rikthimin në totalitarizëm dhe për të ndihmuar në rehabilitimin e viktimave të regjimit sovjetik, tha për Shërbimin e Zërit të Amerikës në Gjuhën Ruse se nuk beson që komentet pozitive që zonja Vasiljeva bëri në qershor për Stalinin ishin aksidentale, por ai shton se nuk beson gjithashtu se qeveria ruse po përpiqet të ringjallë terrorin shtetëror të periudhës së Stalinit, apo ta justifikojë atë.

Por zoti Petrov shton se po ringjallen “mekanizmat ideologjike” megjithëse kushtetuta ruse kërkon respektimin e “larmisë ideologjike” dhe nuk lejon zbatimin e ndonjë “ideologjie shtetërore ose të imponuar”.

“Si rezultat po shohim në shkolla përpjekje për të nxitur një program mësimor historie të bazuar jo mbi fakte, apo njohuri të sakta, por mbi bazën e mekanizmave ideologjike, interesat shtetërore, patriotizmit, madje edhe vlerave të fesë ortodokse. Ideologët e Kremlinit nuk e shohin historinë si shkencë, por si instrument për të ushqyer ndërgjegjen patriotike,” thotë zoti Petrov.

Megjithatë, injorimi i krimeve të regjimit sovjetik do të ushqejë cinizmin që në fakt solli rënien dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, thotë zoti Petrov.

Historiani Boris Sokolov, i cili i ka analizuar artikujt dhe fjalimet e zonjës Vasiljeva, tha për Shërbimin e Zërit të Amerikës në Gjuhën Ruse se komentet e saj pasqyrojnë qëndrimin e paqartë dhe shpesh konfliktual të autoriteteve ruse ndaj periudhës së Stalinit. Megjithëse bëhen zyrtarisht kritika të buta ndaj shtypjes që ushtronte ky regjim, nga ana tjetër lavdërohen politikat e jashtme “perandorake” të regjimit, thotë zoti Sokolov.

Anëtari i shoqatës Memorial, Yan Rachinski tha për Zërin e Amerikës se nuk beson që Putini apo kryeministri Dmitri Medvedev janë “simpatizantë të Stalinit” apo “të prirur për të justifikuar regjimin shtypës sovjetike”. Por ai thotë se udhëheqësit e lartë të Rusisë nuk e kuptojnë që sistemi i vlerave që ata kanë përqafuar po ndihmon për ringjalljen e stalinizmit, të cilin ai e përshkruan si adhurim për rolin e shtetit, ndërkohë që shpërfillet plotësisht jeta e individit.

“Komentet e zonjës Vasiljeva, para se të bëhej ministre, mund të përmblidhen në një temë të vetme: po, kishte viktima gjatë regjimit të Stalinit, por nga ana tjetër u zmadhua territori i shtetit; u arrit fitore në Luftën II Botërore; u realizua industrializimi, si dhe një numër arritjesh të tjera,” thotë zoti Rachinski. “Me sa duket, ministrja e re e arsimit në Rusi beson se synimi më i rëndësishëm për vendin është shtimi i territorit dhe fuqisë ushtarake, jo mirëqënia e shtetasve të tij”.

Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus të Vollgogradit, Andrei Bocharov njoftoi këtë javë se një ndër aeroportet në kryeqytetin e rajonit, Vollgograd, do të ripagëzohet si Aeroporti Stalin.

Qyteti i Vollgogradit në 1925 mori emrin Qyteti Stalin në nder të diktatorit sovjetik. Në 1961, tetë vjet pas vdekjes së Stalinit, qytetit iu rikthye emri i vjetër, Vollgograd.

Please follow and like us: