Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Gratë në përqindje, 4 herë më shumë fjalime sesa burrat në parlament

Gratë në përqindje 4 herë më shumë fjalime sesa burrat në parlament/ Nga Afrim Krasniqi

Statistikat e Institutit të Studimeve Politike (www.isp.com.al) dhe databasewww.politike.al mbi diskutimet parlamentare janar – korrik 2016 nxjerrin në pah disa tregues interesantë gjinore, – gratë deputete janë në përqindje shumë më aktive sesa burrat deputetë. Konkretisht, bazuar në të dhënat në përqindje, rezulton se 90% e grave deputete kanë diskutuar në parlament, vetëm 10% e tyre nuk kanë diskutuar (3 nga 30). Në total, të dhënat zyrtare tregojnë se 30 gra dhe 77 deputetë meshkuj kanë diskutuar në parlament përgjatë sesionit legjislativ janar-korrik 2016.

Në listën e 17 grave më me shumë fjalime në parlament, dominuese janë gratë opozitare (zënë përkatësisht vendet 2-3-4), ndjekur nga Doda (PDIU) me 9 fjalime, Mehmetaj (LSI) me 8 fjalime. Nga gratë deputete të opozitës rezulton se të gjitha kanë diskutuar, madje disa prej tyre figurojnë në listën e diskutuesve më me shumë fjalime në parlament. krasniqi grafik

Kryeson listën e deputeteve të opozitës Topalli (14 fjalime), Vokshi e Hajdarmataj (10 fjalime), ndjekur nga Halimi (7 fjalime), Elmazi e Tabaku (5 fjalime). Nga lista e grave deputete të PS rezultojnë dy deputete pa asnjë fjalim parlamentar (Arapi dhe Shkreli), kurse në krye të listës me më shumë fjalime nga gratë socialiste figurojnë Leskaj (20 ndërhyrje), ndjekur nga Gjylameti e Dhima (8 fjalime), Hysi e Kushi (7 fjalime), Hafizi, Spahiu e Agalliu (6 fjalime), etj.

Dy elementë të tjerë me rëndësi sidomos për ligjërimin parlamentar, kanë vlerë në statistikat gjinore të Kuvendit.

E para, me gjithë numrin e lartë të grave e vajzave diskutuese në seanca, problematikat që lidhen me pozitën e gruas dhe çështjet sociale nuk kanë zënë ndonjë vend prioritar. Fjalimet e deputeteve gra e vajza kanë qenë kryesisht politike dhe në sinkron me ligjërimin / porosinë / vendimmarrjen politike të liderit / partisë, pra “politikisht korrekt”, çfarë nuk ndihmon në promovimin e modeleve gjinore si modele parlamentare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.krasn grafik

Së dyti, vetë midis grave deputete ka pasur replika të ashpra, në disa raste edhe denigruese, duke imituar gjuhën e ashpër të burrave parlamentarë dhe duke dëmtuar përpjekjet për krijimin e një lotimi gjinor cilësor, sidomos pas nismës për krijimin e aleancës gjinore mbipartiake në parlament.

Parë në këtë prizëm, rritja e përqindjes dhe e përfaqësimit gjinor në parlament (qoftë si numër deputetësh qoftë si numër diskutuesish në seancat plenare) nuk ka dhënë rezultate pozitive të pritshme dhe është dukshëm larg pritshmërive publike për modelet e reja politike me ngjyra liberale, qytetare, institucionale në jetën politike dhe në jetën parlamentare. Ky nuk është lajm i mirë. Ndaj statistika se gratë, në përqindje, folën 4 herë më shumë se burrat në parlament mbetet lajm formal, dhe nuk do të thotë se kemi një parlament 4 herë më të mirë, përkundrazi.

Please follow and like us: