Akademik Mark Krasniqi: Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar!
Në një vjetorin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit/
Sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta të akademik Mark Krasniqit, dua ta përkujtoj atë si intelektual e shkencëtar, si figurë të shquar të kombit, si veprimtar dhe mik timin personal, me të cilin pata shumë takime si në Kosovë, ashtu edhe në SHBA. Ishte mik i familjes sime, i babait tim, i gjyshit dhe i Bajraktarëve të tjerë në Vranoc. Na lidhte edhe një gjë emocionale se të dy i përkisnim fisit te Krasniqeve. Familjet tona historikisht mbanin lidhje miqësore dhe ishim bashkë në kohët më të vështira, të pandashëm dhe këmbëngules në çështjen kombëtare, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
U lind në Gllavoçicë të Pejës, jo larg vendlindjes sime. Njihte jashtëzakonisht mirë historinë, gjeografinë dhe etnologjinë e Lugut të Baranit. Ishte shumë i sinqertë dhe i hareshëm në bisedë, komunikativ dhe i hapët, i dashur dhe i gjallë për të gjithë. Sa herë që ka ardhur në New York është kthyer në shtëpinë time. Ka qenë edhe në vitet e 90-ta kur u bë pajtimi i gjaqeve në SHBA. Ishte me Anton Çettën, Ramiz Kelmendin, Bajram e Nekibe Kelmendin, Azem Shkrelin, Riza Llukën e të tjerë. Për nder të këtij aksioni kombëtar bashkë me babain tim shtruam një darkë, ku akademik Mark Krasniqi foli për rëndësinë e këtyre pajtimeve edhe në diasporë. Gjatë kësaj periudhe kam mësuar shumëçka prej tij.
Ishte koha e Lëvizjes masive në Kosovë, ku edhe komuniteti ynë në SHBA, ishte pjesë e saj. Disa herë kam qenë me të në Washington për çështje të Kosovës, ashtu edhe në New York. Ka qenë shumë i dhënë pas kombit dhe bashkimit kombëtar. Thoshte, një komb i ndarë, perspektivën e ka vetëm në bashkimin e tij.
Në qershor të vitin 1991, kur doli numri i parë i gazetës Illyria, akademik Mark Krasniqi shkroi eskluzivisht për këtë gazetë një punim shkencor që trajtonte shtrirjen e ilirëve në Ballkan. Ai vazhdoi të jetë një prej bashkëpunëtorëve më të afërt me ne.
Të rrallë janë njerëzit e tillë që me aq dashuri iu përkushtua bashkimit kombëtar që, pushtuesit në të kalurën, na copëtuan territorin tonë etnik. Amaneti i tij, para se të jepte shpirt, kishte kuptimin e një thirrje të përgjithshme: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Kjo ishte edhe ëndrra dhe kërkesa e Rilindasëve që nga Lidhja e Prizrenit e më herët, që Shqipëria jonë të ngrihej në këmbë të veta.
Akademik Mark Krasniqi ishte shkencëtar, etnograf, shkrimtar, gazetar, publicist dhe ka ushtruar disa funksione në institucionet e arsimit, kulturës dhe shkencës në Kosovë, e mbi të gjitha ishte nacionalist, njeri me kulturë të lartë dhe civilizim evropian.
Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Pas vetes la mbi 25 vepra të kategorive të ndryshme, shkencëtore e letrare.
Akademik Krasniqi ishte nderi i kombit dhe do të përkujtohet gjithnjë si njeri, veprimtar dhe shkencëtar. Me shkrimet e tij ngriti tema jetike për arsimimin e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Nepërmjet publikimeve shkencore si akademik u angazhua t’ i rrëzonte tezat hegjemoniste e nacionaliste të akademikëve serbë, të cilët Kosovën pretendonin ta nxirrnin si “Serbi të Vjetër”.
Kur në Fakultetin Juridiko-Ekonomik në Prishtinë, Akademik Krasniqi iu kundërvu përpjekjeve serbe që Kosovën ta përvetësonin si rajon të Serbisë, atë e larguan nga vendi i punës si profesor, duke shpallur nacionalist dhe, mund të thuhet se, nëse dikujt do t’ i përkiste epitetit disident në atë kohë, ky ishte Akademik Krasniqi.
Në shumë shkrime të tij ka afirmuar tolerancën fetare dhe ishte njëri prej atyre që kudo e ka theksuar këtë element të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve. Ai përsëriste se shqiptarët janë një popull me një traditë dhe kulturë të vjetër ndërfetare në rajon.
Duke qenë i lidhur ngusht me të, kur vdiq, nga New York-u shkova të mirrja pjesë në ceremoninë e varrimit të këtij njeriu të madh të dijes në Kosovë, të cilit konsideroja se i kisha mbetur borxh. Gjok Geci dhe familja Krasniqi në shënjë falenderimi ma dhuruan flamurin kombëtar me të cilin ishte i mbështjellë arkivoli i tij. Këtë flamur të nderit do ta ruaj si kujtim për mikun tim të paharruar, akademik Mark Krasniqin.
Në pamundësi apo më mirë të themi në mungesë të një buçeti lulesh mbi varr nga dora ime, nga këtu ku jam në New York, e përkujtova me këto fjalë mikun tim, akademik Mark Krasniqin, vepra e të cilit do të mbetet kurorë e kombit.
New York, Gusht 2016
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në SHBA.