Eden Babani: Jo çdo mjekër reflekton mençuri!
Dhjetëditëshin e parë të shtatorit, e përditshmja e Tiranës “Panorama” botonte në rubrikën “Opinion” një shkrim të Fabian Zhillës, një emër i ri, – mos qofsha i gabuar, – por që, me sa duket, i suksesshëm në zërat e opinion-bërësve të sotëm. Shkrimi titullohet “Programet televizive Firmato”. Autori ka shpalosur idetë e veta lidhur me konceptimin, brendinë, vlerat ose mosvlerat e programeve televizive, si edhe lidhur me personazhet e ftuara të studio. Nuk marr përsipër të komentoj shkrimin e Zhillës, pasi s’e njoh fushën përkatëse, ndërkohë që ai operon me zhdërvjelltësi përmes konceptesh dhe idesh me të cilat mund të operojnë vetëm specialistët. Kaq e vërtetë është kjo, sa që edhe komentuesit “e prodhimit kinez” (gjetje e Zhillës për ca programe televizive) – “lejfenët e kohëve tona me emra modernë të palcës indoeuropiane, do të shtoja unë, – s’u ndien ato ditë.
Gjithsesi, bash prej shkrimit të tij, marr shkas të shpreh ndonjë opinion modest sa i takon informacionit që merr teleshikuesi përmes ndonjë “standard-analisti”, i cili dihet çka do të thotë, pa hapur ende gojën e të marrë fjalën. Për hir të së vërtetës, detyrohem të them se, në këndvështrimin tim, jo të gjithë janë të këtij standardi. Madje, ata numërohen, ndoshta, me gishtat e dorës, sado që, të paktën një syresh, do të jetë i pranishëm thuajse në çdo panel diskursi, sidomos kur është fjala për të krijuar ndonjë sherr. Si kripa në gjellë? Jo. Si sherrxhi profesionist, për të shkaktuar tension në studio e për të turbulluar ujërat, me qëllim që të mbahet teleshikuesi i ngujuar përpara ekranit, siç vëren me të drejtë Fabian Zhilla.
Tipik, ishte debat i mbrëmjes së 1 tetorit në njërën nga rrjetet televizive më të ndjekura të vendit.
Rastësisht, – dhe jam i bindur se ishte rastësi, – përballë njëri tjetrit u ndodhën dy palë analistësh, të cilët, fati e desh të dallonin jo vetëm prej këndvështrimit politik të çështjes, si rëndom, por edhe prej ndonjë vogëlsie jo fort domethënëse në pamje të parë, por që dashur-padashur më nxiti sa buzëqeshje, aq edhe ndonjë refleksion. Nga njëra anë, ishin rreshtuar tre mesoburra me mjekra e me mustaqe, ku spikatnin edhe plot thinja. Përballë, tre të tjerë pa mjekra e pa mustaqe, por me thinja.
Të parët, në mungesë të fakteve, por me besim të patundur te mjekrat e mustaqet, (shenjë diturie?… Ndoshta!), u përpoqën ta shtjellonin debatin në boshllëk, me qëllim që të krijonin lajm, duke hamendësuar mbi thashetheme. Kaq e vërtetë është kjo, sa që njëri ndër të tre (kryesori, me sa kuptova), teksa nuk pati argument tjetër të përballte kundërshtarin, në një çast tha shprehimisht se diskutimi duhej shpërngulur nga rrafshi ku po zhvillohej, – rrafshi politik, ekonomik, social dhe ai i së drejtës, – në rrafshin filozofik (!). Hajnia që ka shkaktuar në buxhet një gropë disa qindra-milionë eurosh, u dashkësh diskutuar në plan filozofik! Allah-allah! I njëjti personazh shprehu bindjen se kërkesa e opozitës për hetim të paanshëm ndërkombëtar të aferës ÇEZ u shkon “vendeve pa përvojë shtetformuese, jo Shqipërisë, shtet prej njëqind e ca vjetësh”. Mbase aludoi për ndonjë aferë të ngjashme në Kosovë, shtetësinë e së cilës jam i bindur se e ka. Nuk di ç’të them. Po, pse e përjashtoi Shqipërinë nga përvoja të njohura në shkallë botërore? Këtë nuk arrij ta kuptoj. Madje nuk di edhe në ç’enciklopedi e ka qëmtuar këtë xhevahir. Lus, së paku, që atë mbrëmje do të jetë rrekur të shesë dituri. Qoftë me aq dhe Zoti e ndihmoftë të shpëtojë nga ky kompleks!
I dyti, po ashtu me mjekër e me mustaqe, kulmin e diturisë e shpalosi në dy rrafshe të tjera, – në rrafshin e mitologjisë dhe në atë të shkencës, – duke u përqendruar sidomos në gjeologji edhe në biologji. Që të shumëzonte me zero kërkesën e opozitës për hetim ndërkombëtar të aferës ÇEZ, ai ironizoi se ajo (opozita) po e paraqit çështjen si një përbindësh (koncept mitologjik), me të cilën, sipas saj, domethënë sipas opozitës, s’mund të matet drejtësia shqiptare. Mirëpo zgjidhja qenka shumë thjeshtë dhe mund të arrihet bash prej drejtësisë shqiptare. Madje atij vetë, domethënë “standard-analistit”, i mjaftuakësh vetëm “një luspë” nga lëkura e përbindëshit, për të ngritur në këmbë përbindëshin (koncept shkencor biologjik-arkeologjik) dhe për ta vendosur në ndonjë Muze, që ta kundrojmë pa frikë ne dhe brezat e ardhshëm; ta kundrojmë si diçka e ardhur nga kushedi cila Erë Gjeologjike…
Për dreq, edhe sherrxhiu i radhës i asaj mbrëmjeje qëlloi me mjekër e me mustaqe. Ky tundte ca letra kinse dokumente dhe bërtiste Saliu! Saliu!, ose Ata! Ata!, duke nënkuptuar opozitën e sotme, pa e veçuar aleatin e saj të dikurshëm, politikanin bivalent Ilir Meta, tashmë nën akuzë se ka marrë tangjente disa milionë eurosh, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të pariparueshme. Mirëpo, a mund t’i shkohet deri në fund një debati me aq shumë njolla të zeza, me aq shumë rrethrrotullime e zikzake dhe me po aq postblloqe, siç është ai për çështjen ÇEZ? Një debat i tillë ndërtohet mbi bazën e mirëkuptimit reciprok të diskutuesve dhe të durimit për të dëgjuar kundërshtarin deri në fund, pa e ndërprerë me ulërima e ndërhyrje arrogante. Aq më pak me çjerrje e ngërdheshje, shoqëruar me simptoma të panumërta histerizmi.
Në këto kushte, bashkohem me brendinë e artikullit “Programet televizive Firmato”. Do të shtoja edhe se, kur u lihet dorë atyre që ligjërojnë “ex-cathedra”, u hapet rrugë dashur-padashur pështjellimit dhe abuzimit me opinionin publik, ndërkohë që u bëhet pritë me arrogancë ose me kinse dituri argumenteve, fakteve dhe arsyetimeve, të cilat, për fat, mbrëmjen e sipërpërmendur, qëlluan në krahun ku mungonin mjekrat e mustaqet.
Më në fund, që të jem i qetë me veten dhe me ata që më lexojnë, dëshiroj të shtoj se nuk kam ndonjë alergji nga mjekrat e mustaqet. Edhe unë kam pasur rast të lë mustaqe gjatë një fragmenti kohe të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në repartin e punës 5310, këtu e gjysmë shekulli përpara. Mirëpo atëherë nuk ishte koha e shitjes së mençurisë, ndërsa unë s’kisha as ç’të shisja, as kujt t’ia shisja. E bëja për të nxjerrë brenga e mllefe të grumbulluara te Ura e Matit, përfund Pllanës, tek punoja për hapjen e një kanali bashkë me të rinj të tjerë me cene politike në biografi, të cilëve s’u lejohej të mbanin armë, por vetëm kazmë, lopatë dhe opinga në vend të këpucëve…
Mirëpo, ç’t’i bësh? Ja që mbrëmjen e 1 tetorit, rastësia më shtyu në këto refleksione, ndoshta të gabuara (le ta pranoj pjesërisht, përpara se të ma thotë kush!). Sepse, s’ka sesi të mos e pyes veten: kujt po i duhen këto koka të zbukuruara kësisoj, teksa nuk pranojnë as argument, as fakt, as arsyetim?
Çoroditjes, sigurisht. Edhe mbajtjes nën trysni të opinionit publik që ndjek programe televizive, qoftë “Firmato”, qoftë të prodhimit kinez”…