Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan luan “me dy porta”, përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Assad

Turqia e Reccep Tayipp Erdogan duket se ka krijuar koniunkturën për të luajtur mes dy portave të mëdha: Perëndimit dhe Rusisë. Pak ditë pas takimit të sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry me presidentin turk Erdogan, agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Sputnik” publikon një intervistë me Ismail Hakki Pekin, ish-shef i Shërbimit Sekret në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë. Sipas këtij zyrtari janë zhvilluar pesë takime informale mes palës turke dhe shërbimit sekret sirian të Bashar Al Asad, dy prej të cilëve në vitin 2015. Pekin thotë se qëllimi i takimeve ka qenë informimi mbi atë që ndodh në Siri dhe mënyra e rivendosjes së marrëdhënieve të prishura.

Kjo do të thotë se Ankaraja zyrtare ka ndjekur një axhendë të vetën, krejt të ndryshme nga ajo e ShBA-së e cila sheh tek Assad armikun numër një të interesave të veta në rajon. Nëse deri pak muaj më parë Erdogan akuzohej si mbështetës i grupeve radikale që luftonin Assad, sot tanket turke të urdhëruara prej tij bombardojnë vendstacionimet e tyre në veriun e Sirisë. Pa shmangur as kurdët peshmerga, aleatë të ShBA-së. Këto lëvizje dalin në media pas takimit Kerry-Erdogan kur u deklarua se “Turqia qëndron me Perëndimin”, që ngjan të jetë e pasaktë, ndonëse ShBA po bëhet gati të negociojë edhe ekstradimin e klerikut Fetyllah Gulen në mënyrë që të mos e humbasë një aleat si Turqia.

Përkundrejt Assadit mbetet aktualisht shumë pak për t’u bërë dhe një marrëveshje ndërkombëtare paqeje për Sirinë, nëse Turqia hyn seriozisht në luftë kundër militantëve që luftojnë Damaskun, mund të jetë jo e largët. Gjithnjë me idenë që integriteti territorial i Sirisë do të ruhet dhe jo sipas idesë së hedhur nga zyrtarë amerikanë se Siria do të ndahet.

Një tjetër lajm që flet për rishikim të axhendës amerikane në rajon është thirrja e John Kerryt për Arabinë Saudite, që t’i japë fund luftës në Jemen. “Kjo luftë duhet të mbarojë dhe duhet të mbarojë tani”, tha Kerry pas takimit me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, në Jeddah, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Bashkëpunimit për Gjirin Persik. Në Jemen, njësoj si në Siri përballet grupimi qeveritar i mbështetur nga sauditët dhe Houthi, një grup shiit që mbështetet nga Irani. Pas një prove force disa vjeçare në Siri dhe në Jemen, ShBA po kërkon të korrigjojë diçka, njësoj si Erdogan që sot luan me dy porta si Nasseri i Egjiptit dikur.

Please follow and like us: