FEJZO LEPENICA – VEPRIMTAR PATRIOT, PUBLICIST ANTISHOVEN
Portret* – bazuar në librin e Enver Memisha, me të njëjtin titull/
Nga IDAJET JAHAJ/
1.Libri i Enver Memishaj dhe befasia/
Në prill të vitit 2015 doli libri i Enver Memishaj “Fejzo Lepenica”. Autori, paraprakisht, na kishte bërë një ekspoze për personazhin e këtij libri. Ai kishte qenë luftëtar i 1920-tës, veprimtar i luftës për demokraci në vitet 1920-24, nëpunës në xhandarmërinë e kohës,etj. Por ajo që e bënte të veçantë këtë personazh ishte veprimtaria e tij tej kufirit tonë shtetëror, në Janinë. Ai jetoi atje për një kohë prej afro 12 vjetësh, me ndërprerje të pakta.Ishte i arsimuar në një kolegj arbëresh në Itali dhe dinte disa gjuhë të huaja. Kishte prirje gazetarie dhe në vitet 1926-1932 , në Janinë, shkroi shumë artikuj në gazetat shqiptare të kohës, ku denonconte shtypjen dhe genocidin që i bënte shteti grek popullsisë çame në trojet e saj . Pas vitit 1932 ai i rralloi këto shkrime, pasi, nga torturat e shumta që i bënë grekët, u sëmur dhe vdiq pas disa vjetësh .
Ai ishte një aspirues dhe luftëtar i së drejtës njerëzore e kombëtare , tek bashkëkombasit e tij në Çamëri. Po ashtu ai u përndoq edhe nga organet e shtetit të këtushëm (amë), sepse e urrente shtypjen monarkiste.
Duke na kallzuar këto të dhëna, autori i librit, Enveri, i cili është edhe një pasardhës në trungun e fisit të Fejzos, na shkaktoi habinë : se si një Lumas ( nga Lumi i Vlorës) shkëlqeu si luftëtar në epopenë e Njëzetës e të Demokracisë më pas, por sidomos në fushën e publicistikës, atje, tej kufirit, brenda territorit grek, duke mbrojtur me guxim të drejtat e çamëve, të cilat nëpërkëmbeshin nga ai shtet .
Historia e krahinës së Lumit të Vlorës është shumë e pasur me heronj e patriotë, me veprimtarë të pushkës , të mendjes e të penës , kundër çdo pushtuesi, nëpër kohë e shekuj, por sidomos kundër shovenëve të jugut, të cilët kanë synuar vazhdimisht të marrin trojet tona e të genocidojnë popullsinë shqiptare në atë vend. Kështu janë dalluar, midis luftëtarëve të shumtë, figura të shquara antishovene si : Shako Xhakë Tërbaçi e Selam Hasan Velça, në mesin e shekullit të kaluar, kundër hordhive greke në Mecovë, Kallabakë , më vonë në Lëkurës të Sarandës e në shumë pika të kufirit tonë jugor. Është shquar (nga kjo krahinë) sidomos kuçioti Myslym Gjoleka, biri i të famshmit Zenel Gjoleka, si një luftëtar me armë e me veprimtari organizuese kundër aneksionimeve shovene në gjysmën e dytë të shek të 19-të…
Kundër atij shovinizmi ngriti penën edhe djaloshi nga Lepenica e Lumit të Vlorës. Ai e mprehu publicistikën e tij atje, në Janinën – dikur shqiptare e tashmë në arealin grek… Dha tablo të jetës së mjerë të çamëve, me arsenal shifrash e faktesh, me rubrika të hollësishme të dhënash , të trajtimit çnjerëzor që u bënte shteti grek këtyre banorëve autoktonë. Publicistika e tij kumboi si pushkë, jehona e së cilës merr aktualitet edhe sot, kur mekanizma të fshehta e të hapura të shtetit grek tentojnë jo vetëm mohimin e çështjes çame, por edhe penetrimin e thellë në arteriet e shtetit e të shoqërisë sonë, për ekspansion…për “Vorio-Epirin “- sipas tyre, duke patur në pararojë Fanarin famëkeq të Athinës si dhe fenerin e Janullatosit në krye të Kishës sonë Ortodokse, në Tiranë.Fakti i zbulimit të këtij veprimtari, nga historiani Enver Lepenica, na befasoi. E morëm librin, të botuar ,dhe e lexuam me një frymë, duke u kënaqur nga informacioni i gjerë i tij. Dhe kështu , u njohëm me publicistin patriot, antishovenin-Fejzo Lepenica,- puna, lufta dhe pena e të cilit i shtohet një vazhde të ndritur të qiellit të atdhetarisë sonë.
- Jeta dhe veprimtaria e Fejzo Lepenicës
Lindi në Lepenicë, në vitin 1902. Quhej Fejzo Tafil Memishaj, por mori mbiemrin “ Lepenica”, larg vendlindjes së tij, në Gjirokatër e Janinë, për ta evidentuar më mirë . Ishte nipi i ushtarakut të shquar -Ahmet Lepenica,- i cili planizoi sulmet në luftën e vitit 1920. Fejzua mbeti jetim që kur ishte tre vjeç, i vdiq nëna. Më vonë pati një vëlla (me babë), Zijain.
Jetoi 35 vjet. Vdiq në Janinë, në vitin 1937. Atje u martua dhe la pas dy vajza. Shkollën fillore e mbaroi në Drashovicë, në vitet 1908-1910. Plotoren e kreu në Vlorë, në shkollën e parë, në lagjen “Muradie”. Në vitet 1915-18 ndoqi një shkollë në kolegjin e arbëreshëve- Shën Mitër Korona, në Itali. Atje përvetësoi italishten. Greqishten do ta mësonte më vonë, kur punoi në zonat e Gjirokastrës e në Janinë.
Në luftën për çlirim e demokraci 1920-1924
Sapo erdhi nga Italia, në vendlindje, u aktivizua në shoqëritë patriotike, që vepronin në Vlorë e në Lumin e Vlorës. Në shtator 1918 u aktivizua në shoqërinë “Lidhja e Djelmoshave”, me udhëheqës Halim Xhelon, Jani Mingën, Kristo Karbunarën…Më pas në shoqërinë “Opinga” të Zaçe Xhelos në Mesaplik. Gjatë vitit 1919 punoi në avokaturën e Agja Libohovës, në Gjirokastër.Gjithashtu në shoqëritë “Shtizat e Qytetërimit’ dhe “ Mbrojta Shkollore” në Brataj. U njoh e lidhi miqësi me patriotë si me : Ali Çakërrin, Ibrahim Shytin, Avdul Kuçin, Ibrahim Abdullahun, etj. Me Halim Xhelon pati lidhje të ngushta për shumë kohë. Nga librari i madh Ibrahim Shyti merrte vazhdimisht libra, të cilat i lexonte me etje.
Mori pjesë në demonstratën antiitaliane në Vlorë, në vitin 1919. Në këtë kohë xhaxhai i tij, Ahmet Lepenica, ishte shquar si ushtarak, në forcimin e organeve të xhandarmërisë në Jug. Ai e merrrte kurdoherë me vete Fejzon, duke e kalitur si punonjës e veprimtar të ri, të palodhur.
Pas Kongresit të Lushnjës, më 21 janar 1920, Fejzua e ndihmoi shumë Ahmetin për kuvendin e krerëve të Vlorës, i cili u bë në vendlindjen e tyre, në vendin e quajtur “Krivovë” të Lepenicës. Ai kuvend u bë në datat 23-27 shkurt 1920 dhe u drejtua nga kryeministri Sulejman Delvina. Ishte një nga kuvendet e mëdha të Labërisë, për vendimin dhe nisjen e Luftës së Vlorës. Emrin e dashur “Krivovë” Fejzua do ta përdorte si pseudonim në shkrimet e tij të mëvonëshme.
Në Luftën e Vlorës- 1920
Fejzo u aktivizua për lajmërimet në fshatrat e Lumit të Vlorës për Mbledhjen e Mesaplikut, në Kuvendin e Baçallasë- 29 maj të atij viti, etj. Në sulmin mbi garnizonet ushtarake italiane, Fejzua u zgjodh zv. komandant i çetës së Gjorm-Lepenicës. Ishte vetëm 18 vjeç. U plagos në Llogora. Pas atij sulmi, ku u vra komandanti Sheme Jazo, Fezon e caktuan komandant çete. E drejtoi çetën me zotësi në luftimet në Bestrovë, Panaja e Nartë, si edhe në sulmet në lagjet e qytetit të Vlorës, deri në çlirimin e tij, më 3 shtator 1920.
Pas vitit 1920
Në Vlorë u organizua xhandarmëria Kombëtare. Për merita lufte djaloshin Fejzo e graduan n/officer në këto organe. Gjatë luftës e më pas ai u lidh edhe më shumë me patriotët e njohur si : Halim Xhelo, Muço Delo, Mihal Peço, At Shtjefën Gjeçovi, etj. Kudo shoqëronte Ahmet Lepenicën , i cili organizonte e kontrollonte detyrat e rendit në organet e xhandarmërisë. Fejzua u emërua komandant njësie në këto forca.
Veproi në aktivitetet e Federatës “Atdheu”, e cila kryesohej nga Avni Rustemi.
Në qershor të vitit 1921 , me njësinë e tij, ai u inkuadrua në batalionin e xhandarmërisë që marshoi në Himarë, për ta kthyer atë krahinë brenda shtetit amë. Edhe më vonë, bashkë me Ahmetin, shkoi në Kuvendin e madh zakonor të Kuçit –më 28 nëntor 1924.
Në Dibër
Nga fundi i vitit 1921, Fejzua, bashkë me Ahmet Lepenicën, komanduan forcat e xhandarmërisë së Jugut për të çliruar zonat e Matit e të Dibrës nga okupacioni serb. Me njësinë e tij ai luftoi në fshatin Buall e Qafë-Murrëz. Në ato luftime ranë edhe tre dëshmorë nga Vlora : Nuro Tërbaçi, Nuredin Cekaj e Shefit Kropishti.
Në gjindarmërinë e Gjirokastrës
Në shkurt të vitit 1922 xhaxhai i Fejzos, Ahmeti, u emërua Qarkomandant i gjindarmërisë së Gjirokastrës. Ai e mori Fejzon adjutant të tij dhe më pas e emëroi në detyra të ndryshme. Pak muaj Fajzua punoi në protokollin e qarkut deri në fund të vitit 1922. Në v. 1923 erdhi në Vlorë, ku ndoqi një kurs profesional xhandarmërie.Në prill të këtij viti u caktua në grupin e ushtarakëve shqiptarë që do të ishin pranë gjeneral Telinit (italian), për piketimin e kufirit tonë shtetëror në Jug, në bazë të vendimit të Fuqive të Mëdha. Aty provoi peripeci e pengesa të shumta dhe pa me sytë e tij dhelpëritë deri edhe krimet nga ana e grekërve, të cilët donin si e si ta shtynin kufirin brenda territorit tonë. Grekët vranë gjeneral Telinin, i cili ishte i predispozuar ndaj shqiptarëve.
Fejzua, bashkë me Ahmetin e një sërë patriotësh shqiptarë, bënë çmos , duke kërkuar vazhdimisht pranë komisioneve të Fuqive të Mëdha dënimin e vrasësve të Telinit.
Në qershor 1923 u emërua komandant poste xhandarmërie në Çajup. Ishte 21 vjeç.
Kishte inteligjencë e pjekuri për detyrat që i ngarkoheshin. Shkruan në gazetën “Zëri i Gjirokastrës” për pronat e fshatarëve, për padrejtësitë që bëheshin dhe u jepte rrugëzgjidhje problemeve. Që aty, pranë kufirit, ndjeu dhe pa djallëzitë e grekërve, të cilët akuzonin e shpifnin ndaj drejtuesve shqiptarë në vijën e kufirit.
Në dhjetor 1923 Fejzua mbrojti ligjësinë e zgjedhjeve të vendit tonë. U gradua nëntoger. Përkrahu vijën demokratike të Nolit.
Në revolucionin e vitit 1924
Në mars të vitit 1924 shkoi në Vlorë ku ndoqi një kurs tjetër kualifikimi xhandarmërie. Më 1 maj të atij viti mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit, të cilin e vranë agjentët e Ahmet Zogut. Në marshimin për përmbysjen e monarkut Zog, Fejzua komandonte një njësi xhandarmërie të Vlorës. Në përbërje të batalionit që drejtohej nga Halim Xheloja, ai, me njësinë e tij luftoi në Berat e në shkallën e Tujanit, drejt Tiranës.
Gjatë periudhës së vendosjes së regjimit demokratik, punoi oficer në drejtorinë e rekrutimeve në Elbasan e Vlorë.
Pas dështimit të revolucionit, Fejzua u përndoq nga forcat e monarkut Zog. Për të shpëtuar, ai tentoi të kalojë kufirin për në Janinë, por e kapën dhe e burgosën në kalanë e Gjitokastrës. Pas një muaji , i ndihmuar nga patriotët e Libohovës e të Gjirokastrës, u arratis nga burgu, kaloi kufirin dhe shkoi në Janinë. Por atje, i informuar nga policia shqiptare, u arrestua nga policia greke dhe u internua në ishullin e Qefalonisë, për një periudhë prej 6 muajsh. Doli nga burgu, qëndroi pak kohë në Janinë, ku u njoh me një vajzë shqiptare. Më pas, në tetor 1925 , erdhi ne atdhe, në vendlindje, sepse qeveria e e Zogut e kishte falur. Nuk e pranoi ofertën për të punuar në xhandarmëri.
Shkoi në Janinë. Ishte i papajtueshëm më politikën greke ndaj shqiptarëve atje. Në tetor 1926 e arrestuan dhe pas pak ditësh e nisën për në Shqipëri. Nga fundi i këtij viti kaloi sërish në Janinë. Atje u martua me vajzën që kishte njohur, dhe , krahas punës për mbajtjen e familjes, iu përkushtua edhe publicistikës, për demaskimin e politikës greke , që diskriminonte popullsinë çame.
Veprimtaria publicistike në Janinë (1926-1932)
Aty u lidh me rethet patriotike shqiptare dhe shkroi herë pas here artikuj në gazetat shqiptare brenda dhe jashtë vendit. U lidh me patriotët çamë si : Musa e Ahmet Demi, Haki Musai, etj. Shkonte nëpër fshatrat e qytetet çame, mblidhte të dhëna e fakte për artikujt.
Gjatë vitit 1931, qëndroi në shtëpinë e tij në Janinë, i survejuar nga organet lokale greke. U lidh me Halim Xhelon, Hysni Lepenicën, Qazim Kokoshin, Seid Qemalin, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Gani Abazin, etj. Pati korespondenca letrash me ta. Në shkurt të atij viti grekët e arrestuan, e burgosën në ishullin Zaqinthos, për disa muaj. I bënë tortura të shumta, bile duke e helmuar edhe me me narkozë të fortë . Në shtator të atij viti (1931) erdhi në vendlindje, në Lepenicë, ku qëndroi për afro një vit. Ndërtoi një shtëpi të re dykatëshe në pronat e tij.
Në gusht të vitit 1932, me shumë patriotë të tjerë , u përfshi në Grupin e Fshehtë të Vlorës, për përmbysjen e qeverisë së mbretit Zog. Grupi u zbulua, por Fejzua, në gjyqin që iu bë, u mbrojt me vendosmëri e zgjuarsi dhe nuk e dënuan. Në prill të vitit 1933 shkoi në Janinë , pranë familjes së tij. Pas disa kohësh i rralloi artikujt , sepse u sëmur. Grekët i kishin injektuar bacil tuberkulozi në gjak.
Vdiq në vitin 1937.
Figura e luftëtarit dhe publicistit
Veprimtaria e Fejzo Lepenicës kap dy periudha kohore : E para : 1918-1926- ku spikatin : veprimtaria në shoqëritë patriotike të viteve 1918-20; pjesëmarrja në luftën çlirimtare të Vlorës, në vitin 1920; puna si ushtarak në xhandarmërinë e Vlorës e të Gjirokastrës dhe pjesëmarrja në revolucionin e vitit 1924…
E dyta : Vitet 1926-1937 – në Janinë, ku kaloi afro 12 vjet. Atje krijoi familje dhe u muar me veprimtarinë publicistike në gazeta të ndryshme.
Pra , 20 vjet punë e luftë të pandërprerë në shërbime patriotike, ku u dallua si një veprimtar, luftëtar i pushkës e i penës, për idealet kombëtare. Ishte luftëtar i vendosur për përparim, çlirim e demokraci e kundër monarkisë, brenda vendit, si dhe i papajtueshëm me politikën shovene greke . U persekutua nga të dy qeveritë, nga kjo- e shtetit amë, dhe ajo e huaj- greke. E arrestuan, e brugosën, e torturuan, e bastisën shumë herë , në disa vite. Ai tregoi heroizëm qëndrese, por më së fundi, shëndeti i tij ra nga persekutimet e shumta që i bënë, sidomos shovenët matanë kufirit.
Shkëlqeu me artikujt e tij (jo të paktë) që bëri në Janinë, duke shkruar , me shifra dhe fakte , për gjendjen e mjeruar të çamëve, të cilët lëngonin nga persekutimi. U bë një avokat i talentuar i tyre; shkroi në gazetën shqiptare në Rumani, por sidomos në gazetat brenda vendit. Pati letërkëmbim me Musa Demin, patriotin e shquar çam; me Halim Xhelon, Mitat Frashërin , Azis Çamin, Karagjozajt e Gjirokastrës,etj. Një pjesë e kësaj korrespondece ende nuk është gjetur. Në artikujt duket inteligjencia e tij, intuita e hollë e kapjes së problemeve çame, nuhatja politike, vendosmëria në kërkesat që i parashtron opinionit të gjerë,deri në organet ndërkombëtare, erudicioni i tij. Bëhet kështu një perkursor i rëndësishëm i çështjes kombëtare lidhur me Çamërinë. Kritikoi ashpër qeverinë e Tiranës , e cila nuk reagonte ndaj masakrave greke në Çamëri.
Në shkrimet e tij kumbon shpirti atdhetar. Penelatat përshkruese marrin herë-herë forcë të shndritshme…Nëpërmjet artikujve të tij ai dha një pjesë të historisë së Çmërisë. Spikat për kulturën, argumentin, faktologjinë dhe erudicionin e shkrimeve.
Shkëlqeu si një qytetar i së drejtës kombëtare e ndërkombëtare , me aktakuzën që i bëri shtypjes shovene ndaj çamëve. Janë gjetur 25 shkrime të tij, por mendohet se mund të ketë edhe të tjera.
Pseudonimi “Krivova”, me të cilin i nënshkroi artikujt, flet për nostalgjinë e tij për vendlindjen e dashur si edhe për fshehjen nga përndjekjet e shovenëve. Ky emër do të shkundte pluhurin e harresës nëpër shekull.
Pasfjalë : Një yll atdhetarie
Harresa e historiografisë komuniste (gjysma e dytë e shekullit XX) nuk ishte gjë tjetër, veçse një shërbim i verbër ndaj shovinizmave të jashtëm, që rrezikonin ( e rrezikojnë ) vendin tonë. Fejzo mbeti një martir i pavdekshëm i luftës për liri e demokraci si dhe për mbrojtjen e bashkëkombasve tanë tej kufirit. Pati një jetë të shkurtër, por intensive, ndiçoi si një meteor në qiellin e atdhetarisë sonë…
4.Penelata nga publicistika e Fejzo Lepenicës
Ai shkroi artikuj në gazetën “Demokratia” e Gjirokastrës, ”Vullneti i Popullit”, ”Besa”, ”Gazeta e Korçës”, ”Shqipëria e Re” e Kostancës, në Rumani, etj.
Iu përkushtua informacionit të ngjeshur, me të dhëna e fakte nga gjëndja e çamëve. Janë gjetur rreth 60-70 faqe të artikujve të tij të botuar. Shkrimet kanë forcë stilistike, frymë polemike; janë të copëzuara në sytha të shkurtër, për lehtësi asimilimi. Arsenali i tij gjuhësor është përgjithësisht i pastër, në leksik e sintaksë. Shprehje e erudicionit të tij janë edhe përdorimi i fjalëve të përparuara të kohës si: antitudë, difikultete, konservacione, shovene, vitale, semplice, mitologjike,etj. Ka edhe ndonjë fjalë të leksikut të hershëm, por ato tingëllojnë më tepër për kolorit kohor. Informacioni i tij vlerësohet lart nga redaksitë e gazetave.
Këtu po japim disa nga penelatat shkrimore të tij :
- Nga letërkëmbimet
- I shkruan një miku nga Janina : “ Më duhet të informohen thellësisht …Çamëria ka sot rreth 40 000 banorë. Shteti grek i çan, i thellon dallimet myslimanë-helenë. Ai vjedh katundarët shqiptarë. Tatojnë rëndë çamët myslimanë, i detyrojnë të punojnë argatë te greku !…
…Shkollat shqipe i quajnë krim, njëlloj si sulltanët e Turqisë. 24 katundet e Filatit u shpronësuan.
…Tradita shovene vazhdon në të gjitha qeveritë greke. Në fshatrat çame si Kardhiqia e Dragomia gjen fëmijë të therur rrugëve, të cilët bëlbëzojnë : “bukë, bukë ”!
…Shteti ynë s’hap gojë.
Çamëve myslimanë shteti grek u shet edhe varret ! Fanatizmi fetar i grekëve është shumë i qelbur, nuk ndryshon. E barazojnë fenë me kombin. Në katundet Voshtimë e Konicë familjet shqiptare kanë dalë në shpellat e natyrës.
…Tashmë në Çamëri nuk gjallon më frymë shqiptari…
Qeveria shqiptare bën gjumë letargjik . Rrezikohet të humbasë kështu një gjymtyrë e madhe e kombit tonë-Çamëria martire…
- Nga artikujt e botuar
1927.Në gazetën “Telegraf” : Çamët janë dënuar me vdekje nga grekët. Ata po shtypen. Grekët u kërkojnë qira të larta për shtëpitë e pronat e tyre.
Pse qeveria jonë (në Shqipëri) të mos kërkojë shkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi me popullsinë greke në Shqipëri ?
…Çamëria është pjesë vitale e kombit tonë.
…1928. I shtypin vetëm se janë shqiptarë. Pronarët shqiptarë i flakin në rrugë. Foshnjat vdesin rrugës me fjalën : “ Bukë!” dhe i shtrojnë krahët dheut të ftohtë…Autoritetet lokale greke tallen me kufomat e tyre, fërkojnë duart e thonë me skërmitje : “Plotësuam një detyrë patriotike “ !
…Gjendja e çamëve është e tmerrshme. Jeta e një çami i kushton grekut sa jeta e një zezaku-një të bardhi në Amerikë. Veprimtaria e shtetit grek është një turp i shekullit të sotëm. Të mjerët çamë ! Përdoren nga greku në vend të kuajve !
…Si venë sot punët në Çamëri, nuk do shkojë shumë kohë e popullsia aty do të shfaroset plotësisht. Përpara këtij genocidi qeveria shqiptare fle gjumë …Ç’bën shoqëria e Kombeve , si Institut i Paqes e Drejtësisë Ndërkombëtare ? Na duket se edhe ajo po shkel parimet e saj !
…Shurt 1930 : Një gazetë shqiptare e vlerëson artikullin e Fejzos si “Letër ndriçonjëse nga Çamëria”. Artikulli i Fejzos vazhdon : “Grekët duan të realizojnë dënimin me vdekje të Shqipërisë.”
Gazeta shqiptare e Rumanisë e vlerëson Fejzon si “trumpetar shqiptar në Çamëri”.
…Arsimi?-Fjalë e thatë ! Asnjë shkollë shqipe…nën maskën e qytetërimit grek! Asnjë deputet çam në parlamentin grek ! Çamëria-shesh shfrytëzimi për grekët . Asaj i merren taksa të larta, ushtarë…Çamëria bën jetë fatale. Lëvizja brenda shtetit amë-shqiptar-indiferencë letargjike.Kjo përbën një krim kundrejt kombit tonë. Çështjen çame grekët e dërguan në arkivat e harresës. Grabitje e stërmadhe shtetërore ndaj popullsisë shqiptare.
…Një profesor grek në Paramithi paraqitet si bishti i rjepur i një dhelpre… me mashtrimet e tij. Qeveria i nis vetë banditët e saj kundër shqiptarëve. Nga thellësia e shpirtrave të dëshpëruar çamë del rënkimi agonik i vdekjes…I vdekjes së një pjese të popullit shqiptar.
Kjo gjendje na thërret të vrapojmë në ndihmë të tyre.
- Hajdutëri shtetërore në Filat : bastisin familjet e mëdha çame –Denatë e Sykatë…Shteti grek nxjerr ligje vdekjeje për shqiptarët.
1931 . Çamët po shuhen. Ja ç’ bëri Venizellosi . Po ç’ bën Tirana ? Çamët e mjerë po i shkulin çdo ditë !…
- Sërish për monografinë e Enver Memishaj “Fejzo Lepenica…”
…Libri u botua në vitin 2015, në një shtypshkronjë të Vlorës. Ka 255 faqe.Është një monografi voluminoze dhe e hollësishme.
Enveri, një pasardhës i sotëm i gjenezës së Fejzo Lepenicës, e ka punuar me dashuri të madhe librin.Po me këtë paion ka punuar ai edhe monografitë e tjera voluminoze si atë të Hysni Lepenicës, të Ahmet Lepenicës, të figuravë të shquara te epopesë së Njëzetës, etj.
Me plot gojën mund të themi se ky autor i ka pasqyruar me sukses të plotë këto figura madhore të historisë së popullit tonë. Fakti që dy prej tyre-Hysniu dhe Fejzua, janë në trungun e fisit të tij, i ka dhënë autorit më shumë shpirt e vullnet krijues në pasqyrimin e këtyre figurave.
…Të tre këta : Ahmeti, Hysniu dhe Fejzua, ishin figura pothuajse krejt të panjohura më parë. Dhe s’ kishte si të ndodhte ndryshe : regjimit komunist as i shkonte në mendje të lejonte njeri të merrej me këto figura të rëndësishme, pasi “ ishin nga Lepenica”, të cilën, si shumë fshatra të tjerë, ai regjim i kishte eklipsuar plotësisht.
Për këto vepra të Enver Memishait , ndodhi si me skulpturat e lashta të antikitetit : i nxorri nga dheu i harresës e i mohimit, dhe ato, falë punës së tij, ndriçojnë tashmë si statuja të bardha kombëtare plot dritë…
Bukur e shprehu poeti i spikatur vlonjat, Nertesi Asllani, punën e Enverit për Fejzo Lepenicën : “ Pena e tij ( e Enverit) derdhi lot për martirin, derdhi gjak e dhembje, derte e brenga,britma e nderime…Ai flet shekullit me një oqean faktesh për martirë të tillë…”
Ndërsa recensionuesja e librit për Fejzon, prof. dr. Kaliopi Naska, midis një analize të hollësishme, jep edhe këtë definicion : “ Enveri në këtë vepër voluminoze ndriçoi jetën dhe veprën e një ylli të patriotizmit shqiptar,- të Fejzo lepenicës, i cili iu kushtua çështjes sonë kombëtare edhe atje tej kufirit ,deri në ditët e fundit të jetës. Pena e Fejzos u bë armë e madhe në vitet 30-të të shekullit XX”.
Të tria këto figura që nxorri në dritë Enveri- mbajnë mbiemrin “Lepenica”. Libri për fejzon i kapërcen dukshëm kufijt e një monografie. Ajo jep kuadrin e gjerë kohor ku u zhvillua veprimtaria patriotike e Fejzos. Kështu libri ka edhe vlerën e një arkivi të madh për referime nga brezat e rinj të studjuesve. Me një serial të pafund të dhënash e referimesh ai ndriçon kontekstet historike. Pasioni i hulumtuesit shkëlqen. Krenaria ndrit.
Ligjërata spjeguese e Enverit është e pasur dhe e pastër gjuhësisht. Ka përshkrime emocionuese, gjithherë në funksion të ndriçimit të personazhit të monografisë. Pasazhet e gjera të spjegimeve e hulumtimeve të japin imazhin e një romani.
Libri është i tipit akademik. Forca e argumentit shndrit. Copëzimet në kapituj janë funksionalë.
Të tilla monografi, si këto të Enver Memishait, janë kontribute të çmuara në historiografinë e sotme, dhe me vlera shumë të mëdha për brezat e ardhshëm.
Kështu , Enveri është evidentuar e realizuar si një historian-monografi i talentuar e i shquar në këtë fushë. Për të tillë studiues skrupulozë ka nevojë në çdo kohë çështja jonë kombëtare.
- Dhe lira e këngës
Dhe lira e këngës flet vetë. Me melodinë e saj, me kumbimin e saj. Lira popullore labe nuk le trim a veprimtar pa përmendur, por, siç u tha më lart, vepra e Fejzo Lepenicës nuk ishte e njohur. Kur kjo lirë njihet me veprën atdhetare, ajo gjëmon, me tone madhore, me timbër elegjiak, me krenari kolektive. Sepse substanca atdhetare është hemoglobina dhe klorofila e saj. Heroizmi është aureola e saj. Për Fejzon , tashmë vonë , kanë shkruar disa poetë popullorë si N.Asllani, T. Lelo e ndonjë tjetër. Veçanërisht vargjet e Nertesi Asllanit shndritin nga një metaforizëm melankolik :
…Vjen një zë që nga Janina,
Një zë i bukur bilbili;
Udhëton trimi mbi trima,
Patriot Fejzo Tafili.
Fejzo Tafil Lepenica
e kaloi jetën e tij
nëpër dallga e sakrifica,
E merrte vdekjen në sy.
…Vjen një zë që nga Janina,
Trupi tretet, shpirti rron;
Nëpër flakë e vetëtima
Fezo Tafili gjëmon…