Fillon evakuimi i qytetit të rrethuar në Siri
Civilët dhe luftëtarët rebelë kanë filluar të largohen nga qyteti Darayya i Sirisë, pas një marrëveshje të arritur për t’i dhënë fund rrethimit katër vjeçar nga qeveria.
Autobusët e parë u larguan nga qyteti, në afërsi të kryeqytetit Damask, të shoqëruar nga ambulancat dhe makinat e Kryqit të Kuq.
Por OKB-ja ka shprehur shqetësimin rreth planit, duke thënë se është themelore që ata që largohen ta bëjnë këtë në mënyrë vullnetare, njofton rrjeti britanik BBC.
Ushtria e Sirisë e rrethoi Darayyan në vitin 2012 dhe vetëm një dërgesë me ndihma arriti në qytetet prej atëherë.
Autobusi i parë që u largua nga qyteti transportonte kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Rreth 700 burra të armatosur dhe 4 mijë civilë do të evakuohen si pjesë e një marrëveshjeje, thonë mediat shtetërore siriane.
Luftëtarëve kundërshtarë pritet t’u hapet një rrugë e sigurt drejt qytetit që kontrollohet nga rebelët, Idlib, ndërkohë që civilët do të vendosen në strehimoret qeveritare në Damask.