Albspirit

Media/News/Publishing

Fushë dhe fushë, fushë prapë, fushë e qëndisur që bën edhe mjaltë

Fushë dhe fushë, fushë prapë, fushë e qëndisur që bën edhe mjaltë

S. Demolli

Mbase kështu do t’i këndonte Çajupi fushës së Maliqit e të Korçës, po ta shihte këtë vjeshtë të begatë, ku prodhimi bujqësor që po vjelin fermerët nuk ka të sosur. Vetëm në Bashkinë Maliq, një nga më të mëdhatë në vendin tonë me 75. mijë banorë, janë rreth 25 mijë ha tokë e punuar, prej së cilës 20 mijë ha tokë nën ujë. Fusha e Maliqit shtrihet në veri – lindje prej këmbëve të Malit të Thatë e arrin, deri në jug – perëndim në kodrat para Malit të Lenijes. 18 mijë ha prej saj, janë përfituar nga tharrja e ish – kënetës së Maliqit. Kjo fushë, është një fushë e vërtetë beteje për fermerët që e kanë në pronësi dhe sot aty realizohen rendimente, të cilat në grurë, patate, mollë etj. janë rekord në shkallë vendi dhe, Maliqi sipas nënkryetarit të bashkisë Vaskë Çinoku, është sot prodhuesi më i madh i tyre në Qarkun e Korçës.

Uji është jetë dhe padyshim, ndër hallkat më të rëndësishme të prodhimit bujqësor janë ujitja dhe kullimi i tokës bujqësore. Me vendimin e qeverisë nr. 1108 dt. 30. Dhjetor 2015, veprat ujore dhe një pjesë e shërbimeve të bordit të kullimit u kaluan bashkive dhe, sot Bashkia Maliq ka në administrim të gjitha kanalet e dyta të kullimit, ata të ujitjes bashkë me skemat e saj, 29 ujëmbledhësa, të cilët me punë dhe investime të vazhdueshme po vihen në funksion të plotë.

Me fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për ujitjen e kullimin, në një vlerë prej 9 milion lekë , bën të ditur Nexhip Merolli drejtori i Agjencisë Ujitje – Kullim Bashkia Maliq, vetëm këtë periudhë prej fillimit të majit e deri në muajin gusht, u pastruan mbi 65 mijë metro linear kanale, duke lëvizur rreth 74 mijë metro kub dhera.

Për këtë nga ana e agjencisë veç mjeteve të saj, një mjet të organizatës së ujitjes të Pirgut, u morën për shfrytëzim edhe dy ekskavatorë të tjerë me qira.
Bashkia Maliq përbëhet nga 7 njësi administrative dhe për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, gjatë kësaj kohe u punua jo vetëm për kullimin, i cili mundëson futjen e mjeteve të mekanikës, për të kryer në afat mbjelljen e kulturave bujqësore, por edhe për ujitjen, duke përmirësuar gjendjen e ujëmbledhësve, pastrimin e kanaleve ujitës, ndërtimin e pritave mbi kolektorë të kanaleve kullues, për të rritur gjatë verës sasinë e ujit nëpër kanale dhe për të mundësuar imfiltrimin e ujit nëpër ngastrat e mbjella me bimë të ndryshme.

Sipas të dhënave nga kjo agjenci, njësia administrative Pirg, e specializuar kryesisht në pemtari e prodhimin e perimeve të dimrit, ka burim ujëmbledhësin e Leminotit me kapacitet mbi 1 milion metro kub ujë, atë të Çaushlisë e Vërçunit me kapacitete mbi 100 mijë metro kub ujë. Pojani ka burim ujor Lumin Devoll dhe kolektorin e Shamollit, kurse njësia administrative Vreshtas ka burim ujor ujëmbledhësin e Podgories me kapacitet rreth 500 mijë metro kub ujë, faqet e brendëshme të të cilit këtë vit u veshën me gurë, si dhe u kryen mjaft punime të tjera për të rritur kapacitetin e tij.

Sezoni i ujitjes u shpall fushatë pune pa orar, thotë specialisti Astrit Zholi, dhe pas bilancit për sipërfaqen e ujitur deri në fund të korrikut, numuri i faturave të prera nga ana e fermerëve ishte mbi 2.000 dhe me një vlerë prej 1644190 lekë. Megjithatë përsa i përket mënyrës së faturimit dhe kontrollit të faturave gjatë procesit të ujitjes, nga ana e agjencisë mbetet ende mjaft për të bërë, për të shtuar të ardhurat.

Në qendër të vëmendjes në Bashkinë Maliq, ka qënë edhe sistemimi i rrugëve bujqësore, që lidhin blloqet dhe ngastrat e fermerëve, të cilat lehtësojnë lëvizjen e mjeteve për të kryer shërbimet gjatë vegjetacionit të bimëve të mbjella, vjeljen dhe transportin e prodhimit të tyre. Ditët e fundit u sigurua nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për këtë qëllim një traktor i rëndë prej 145 kuaj fuqi dhe priten të vijnë në dispozicion të agjencisë ujitje – kullim edhe tre ekskavatorë të rinj. Këto dhe masa të tjera nga ana e qeverisë, siç janë edhe mbështetja konkrete e fermerëve, nëpërmjet skemave financiare për prodhimin bujqësor, e kanë bërë edhe më pjellore fushën e Maliqit dhe më të begatë jetën e banorëve të saj.

Please follow and like us: