Historia 87-vjeçare e aeroportit të Gjirokastrës
Aeroporti i Gjirokastrës ka një histori 87-vjeçare. Ai ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale. Ishte shtatori i vitit 1924, kur autoritetet shqiptare pranuan kontratën me shoqërinë “Adria-Aeroloyd” dhe nxitën daljen e një projektligji që do të çelte siparin e historikut të aviacionit civil në vendin tonë. Linja ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë u inaugurua në 11 gusht të vitit 1929 dhe ishte operative vetëm në kushte optimale. Vështirësia kryesore në këtë periudhë ishte gjetja e ekuipazhit. Në këto kushte, prej këtij aeroporti fillon transporti i pasagjerëve dhe i postës, duke përdorur dy ose tre aeroplanë të lehtë me tri vende secili. Në vitin 1932, pas shfuqizimit të marrëveshjes me gjermanët, koncesioni për shërbimin ajror civil i jepet shoqërisë italiane “Ala-Littoria”, me të cilën qeveria mbretërore shqiptare lidh kontratë për koncesion ekskluziv. Është pikërisht kjo, periudha kur nis edhe ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës. Në vitet ’30-’40, ky aeroport ka një funksion të dyfishtë, atë civil e ushtarak. Rreth 30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë etj. u vendosën këtu gjatë viteve të luftës. Linjat kryesore të kësaj periudhe me stacion kryesor aeroportin e Gjirokastrës ishin Tiranë-Vlorë-Gjirokastër-Tiranë dhe Tiranë- Korçë-Gjiroka-stër -Tiranë. Me Italinë funksiononte linja Gjirokastër-Brindisi. Ky lloj transporti zgjati deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me futjen e Shqipërisë në kampin socialist, shërbimi civil ajror është ndërprerë dhe nuk është menduar më për riaktivizimin e këtij lloj transporti, si një nevojë për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Vitet ’90 e gjejnë këtë aeroport në gjendje pune. Avionët e shoqërisë amerikane MAF do të rikthenin aty fluturimet civile në linjat ajrore Tiranë-Gjirokastër-Korçë-Tiranë, duke e bërë atë një nyje të rëndësishme të transportit ajror.