Albspirit

Media/News/Publishing

Hysni Gurra: Ditë e re, taksë e re!

Kemi frikë të zgjohemi nga gjumi! Çdo mëngjes lajmet e para të ditës janë: rritet çmimi, shitet, jepet me koncesion… Të kujtojnë atë reklamën e dikurshme: “ti nuk je për t’u shitur”, sikur të drejtohet ty personalisht. Së fundi, rriten me 25% çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Pas lajmit se edhe ujë-sjellësi i Tiranës do të shitet, ky ishte lajmi i dytë i ditëve të fundit që të inatos aq shumë sa të vjen të qash me oi.

Unë personalisht nuk kam mjet motorik, por fillova të mendoj se avash, avash po i vjen radha biçikletës time dhe u tremba shumë! Nuk dua të jem nga njerëzit të cilët mendojnë: “gjarpri që nuk më ha mua, të rrojë 1000vjet”, se do vijë koha që do të më pickojë edhe mua. Me gjithë tronditjen e parë që merr nga lajmi, si për të amortizuar zemërimin, e mendon si raportim të gabuar të medias sepse sot, shyqyr, jemi në treg të lirë dhe kemi mundësi zgjedhjeje të shumta. Për të vërtetuar një gabim të mundshëm në raportim lajmi, ngrihesh dhe shkon në një kompani sigurimi. Pyet për çmimin – është rritur. Shkon në një kompani tjetër – çmimi njëlloj, në një tjetër po ashtu… dhe kështu vërteton se çmimi është Ì njëjtë në të gjitha kompanitë. Tmerr!

Në një vend ku është tmerrësisht e vështirë të gjesh dy vetë në një mendje, gjen pikërisht atë më të pamundurën në një ekonomi tregu, unifikim çmimesh nga një shumësi kompanish sigurimi. Kjo është e pa parë dhe e pa dëgjuar në asnjë vend të botës, madje vendet e qytetërua këtë quajnë “kartel” dhe e dënojnë ashpër me sanksione financiare. Mirëpo këtu kartel nuk janë thjeshtë kompanitë e sigurimeve, karteli këtu është edhe në parlament. Në fillim të viti 2016-të, karteli parlamentarë votoi për rritjen e taksës për kompanitë e sigurimit, nga 3% që ishte taksa u bë 10%. Ja ku jemi sot përballë faktit të kryer, rriten çmimet e sigurimit të automjeteve dhe askush nuk ndërhyn.

Ku është roli rregullator i shtetit? E arsyetojnë kompanitë me shtim të numrit të aksidenteve rrugore. Po kush është fajtori për aksidentet? Specialistët janë të njëzëri: shkaktar kryesorë janë cilësia e rrugëve dhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Pra, përgjegjësi kryesor për këtë është vetë shteti. Shumica e lexuesve janë përdorues automjetesh, unë njoh personalisht shumë të tillë. Nuk kam dëgjuar asnjëherë që drejtuesi i automjetit të marrë dëmshpërblimin e merituar në raste aksidentesh. Kompanitë e sigurimeve sajojnë lloj-lloj yçklash për të mos dëmshpërblyer klientët e tyre. I sorollatin më kot lart e poshtë. Atë më këmbëngulësit, shpesh përfundojnë në procese gjyqësore pa fund. Pra, shkon paguan me detyrim siguracionin dhe detyrohesh që të mos kesh ku të gjesh të drejtën, apo ku të hapësh gojën për dëmshpërblimin që të takon. Pse e them këtë të fundit?!

E thjeshtë fare, të gjitha mediumet janë të bombarduara nga reklamat e këtyre “karteleve”.

Dhe paradoksi nuk ka fund! Ne kemi edhe një Autoritet Konkurrence, i cili vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Duke u mbështetur në tre shtylla kryesore që përcaktojnë mbrojtjen e konkurrencës: abuzimin me pozitën dominuese; marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve dhe bashkimet ose përqendrimet e ndërmarrjeve si dhe të gjithë kuadrin ligjor që rregullojnë aktivitetin e një institucioni të pavarura në Republikën e Shqipërisë. Ky institucion e koncepton funksionimin e tij si nxitës dhe avokat të konkurrencës dhe të interesave të konsumatorit, me synimin final që tregu të gjeneroje zhvillimin.

Ky institucion paguhet me taksat tona. Për çfarë duhet xhanëm?!

Ne paguajnë tarifat e telefonisë mobile, normat e interesit të kredive dhe komisionet bankare, karburantin, sigurimin e detyrueshëm të automjeteve etj, sikur këto shërbime të ofroheshin nga një kompani e vetme në sektorin përkatës. Teorikisht ka një avokat për mbrojtjen e të drejtat të konsumatorit. Në Shqipëri, avokati si kur është individ si kur është institucion, ka te njëjtin funksion, atë të sekserit. Nuk jam as i pari, as i fundit që ngre këto shqetësime. Këtë herë jam frustruar shumë se po vras mendjen, ç’lloj takse do të sajojnë për biçikletë time?! Nuk po i bie që nuk po i bie në të.

Se nuk kam më asnjë pikë dyshimi që edhe për biçikletën time do të sajojnë ndonjë taksë!

Please follow and like us: