Ju rrëfej mëkatet e Vito Kapos me shoqe dhe shokë…
Nga Enkel Demi
Savra është një katund në Myzeqe, i cili u ngrit nga asgjëja, me qëllimin e vetëm për të themeluar një kamp internimi mes një moçali, ku të grinte mushkonja, uji qe i ndotur, ndërsa në barakat e drurit ishte pothuaj e pamundur të jetoje nga brejtësit, lagështia, sëmundjet ngjitëse. Sipas studiuesit Jozef Radi në Savër kaluan jetën familjet e Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines. Të gjithë këta kanë qenë kryeministra të Shqipërisë dhe padyshim burra të kulturuar e patriotë.
Në shtëpitë dhe pronat e këtyre njerëzve, të cilët në çdo vend tjetër do ishin etërit e kombit, u futën përdhunshëm kasta e re e komuniste që vinte mbathur me opinga nga baltrat e kënetave si Savra dhe gërxhet e malit. Vito Kapo u martua me një nga dallkaukët më të arrirë të kësaj klase të re politike që vrau më shumë sesa pushtuesit. Ai është Hysni Kapo, i cili ka nisur të vrasë pas shpine shokët qysh në kohë të luftës.
Këto janë dy realitete që nëse huazojmë vargjet e Shefqet Musaraj në një kontekst krejt tjetër i bie: U ngritën këmbët, t’i bien kokës. Kështu ndodhi që vegjëlia e opingës zbriti nga shpati, plot gurë dhe shkurre, therri parinë dhe i rrëmbeu katandinë. Një nga vajzat e familjeve të mëdha të saj kohe e hoqën në mesnatë nga djepi, tek flinte gjumë dhe pa ndërruar aspak shtrojet vunë të flinte të bijën e pushtetarit të ri që u derdh nga mali. Vajza që e shkulën nga shtrati u internua foshnje, vajza që u vu në shtrat u bë gocë Blloku.
Shumë nga kjo pari e re prishi vaskat e porcelanit, se nuk dinte t’i përdorte dhe deri vonë, kur dilnin në tribuna me veshje dhe kasketa kineze vinin era përç.
Të përmbysurit shkuan jetën në Savër dhe gjetkë. Lasgush Poradeci detyrohej të përkthente me normë, Mitrush Kuteli përfundoi në kufijtë e urisë, Hil Mosin e vdiqën dhe sot një birbo kërkon t’i heqin shtatoren nga Elbasani.
Askush në Europë nuk ka dyshim që krimet e nazistëve kanë ndryshim nga ato të komunistëve. Janë e njëjta gjë, krime ndaj njerëzimit, genocid. Veç në Shqipëri mund të ndodhë që Vito Kapo, Nexhmije Hoxha, soji e sorrollopi të flasin, madje me prepotencë për një kohë, kur u vranë mendimtarët, vizionarët e kombit, klerikët, u zhduk një rend që e dënoi Shqipërinë me primitivizëm.
Nëse sot, shqiptari është një figurë e përçudnuar, hajdut, vrasës, trafikant, prodhues dhe shpërndarës droge, i pabesë në politikë dhe sipërmarrje, persekutues ndaj shtresave në nevojë, dhunues i grave, meritën kryesore e ka Vito Kapo, Nexhmija, burrat, shokët e tyre dhe fëmijët që vazhdojnë të mbijetojnë në politikë dhe media.
Falë tyre jemi bishti i kavallit, ndërsa duhet edhe t’i dëgjojmë të shpalosin idetë, ditën kur nipi bën pushim dhe dërdëllit gjyshja.