Karagjozët e rrugës Tiranë – Elbasan…, “i 8-i i vërteti” premtim për përfundimin e saj …
Rruga Tiranë – Elbasan ka një datë të re përfundimi. Pas tre vitesh vonesë, dhe 7 premtimeve të pa mbajtura, në këto tre vjet, Autoriteti Rrugor bën të ditur një afat (premtim) të 8-të të përfundimit të saj, bashkë edhe me sihariqin se mosmarrëveshjet me kompaninë ndërtuese “Aktor” janë zgjidhur përfundimisht dhe punimet në segmentin problematik nga Sauku deri te tuneli kanë rinisur.
“Tani kemi një grafik të përcaktuar punimesh. 85 për qind e punimeve përfundon brenda këtij viti, 15 për qind vitin e ardhshëm. Rruga përfundon në qershor 2017”, thotë kreu i ARRSH, Dashamir Xhika.
Ndërtimi i rrugës 27 kilometër që lidh Tiranën me Elbasanin ka nisur në vitin 2011. Fillimisht ajo u tenderua për rreth 290 milionë dollarë. Por për shkak të 5 rrëshqitjeve në zonën e Ibës, rruga do të kushtojë më shumë.
“Kemi kërkuar një fond shtesë prej 35 milionë dollarë nga Banka e Abu Dabit. Shumë shpejt do të shkojë për ratifikim në Parlament dhe kjo mbyll plotësisht financimin”, sqaron Xhika.
Sipas Xhikës, në se kompania ndërtuese do të zvarrisë sërish punimet, ajo do të penalizohet.
“Kompania të mos guxojë më të luajë me këtë kontratë, sepse do të penalizohet”, thotë kreu i ARRSH.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor, për segmentin me gjatësi 13 kilometër nga Sauku deri te hyrja e tunelit të Krrabës kostoja totale llogaritet në 120 milionë dollarë.
Por, jo më larg se një muaj më parë, pikërisht në 30 korrik, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, për të shtatën herë, në këtë mandat të “Rilindjes” inspektoi punimet në aksin rrugor Tiranë – Elbasan dhe për të shtatën herë premtoi një afat të shtatë (të shtyrë) të përfundimit të punimeve për këtë aks.
Sipas Haxhinastos, u mësua se ishte arritur dakordësia edhe me “Bankën Islamike”, për përfundimin e këtij aksi brenda muajit mars të vitit 2017.
Por, katër javë pas këtij premtimi, vartësi i Edmond Haxhinastos, merr përsipër premtimin dhe shtyrjen e 8-të të afatit të përfundimit të kësaj rruge, duke “vulosur” qershorin 2017.
Kalendari dhe 8 premtimet e pa mbajtura për aksin Tiranë – Elbasan
Premtimi 1 – data 5 nëntor 2013
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2014”
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet në autostradën Tiranë-Elbasan, ku po punon kompania greke “Aktor”. Për sa i përket afatit të përfundimit, pritet që brenda verës së vitit 2014 kjo rrugë të përfundojë, premtoi ministri.
Premtimi 2 – data 7 shkurt 2014
“Rruga përfundon brenda vitit 2014”
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto. Kryeministri Rama premtoi cilësi, ndërsa si afat të përfundimit, fundin e vitit 2014.
Premtimi 3 – data 8 nëntor 2014
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2015”
Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka inspektuar punimet që po bëhen në rrugën Tiranë – Elbasan dhe ka vlerësuar ecurinë e tyre. Haxhinasto theksoi se nga vëzhgimi i kryer dhe nga bisedimet me përfaqësuesit e firmës që po e ndërton, rruga do të jete gati në verën e vitit që vjen (verën e 2015).
Premtimi 4 – data 25 nëntor 2014
“Rruga mund të përfundojnë brenda verës së vitit 2015”
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektoi punimet në kilometrin 14+200, rreth 3 km përpara hyrjes së tunelit, zona Kërrabë, të autostradës Tiranë-Elbasan. Problematikat vënë në dyshim përfundimin e punimeve, brenda afateve të caktuara të verës së vitit 2015.
Premtimi 5 – data 31 korrik 2015
“Rruga përfundon brenda vitit 2015”
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar përfundimin e punimeve në segmentin e 3-të të aksit të autostradës me tunel Elbasan – Tiranë. Haxhinasto e ka cilësuar si një nga rrugët e standardeve ndërkombëtare autostradën me tunel Elbasan – Tiranë , ndërsa ka premtuar se brenda këtij viti (2015) do të përfundojë i gjithë segmenti rrugor.
Premtimi 6 – data 17 nëntor 2015
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2016”
Ministri Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Ministri ndoqi nga afër punimet dhe zhvilloi një bisedë me drejtues të kompanisë që po ndërton këtë rrugë, dhe u shpreh optimist për përfundimin e kësaj rruge deri në verën e vitit tjetër (verën e vitit 2016).
Premtimi 7 – data 30 korrik 2016
“Rruga përfundon brenda marsit të vitit 2017”
Ministri I Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një inpektim në kantierin e punimeve në rrugën Tiranë – Elbasan, loti Teg-Mullet. Haxhinasto sqaroi se në bashkëpunim edhe me “Bankën Islamike”, është rënë dakord për një shtyrje të projektit dhe rritje të financimit të tij, për të akomoduar të gjithë ndryshimet në projekt. Sipas marrëveshjes së re, 85 % e projektit loti TEG – Mullet, duhet të përfundojë brenda 31 dhjetorit 2016, dhe pjesa tjetër brenda marsit 2017.
Premtimi 8 – data 26 gusht 2016
“Rruga përfundon brenda qershorit të vitit 2017”
“Tani kemi një grafik të përcaktuar punimesh. 85 për qind e punimeve përfundon brenda këtij viti, 15 për qind vitin e ardhshëm. Rruga përfundon në qershor 2017 Kemi kërkuar një fond shtesë prej 35 milionë dollarë nga Banka e Abu Dabit. Shumë shpejt do të shkojë për ratifikim në Parlament dhe kjo mbyll plotësisht financimin”.
Kështu deklaroi për mediat kreu i ARRSH, Dashamir Xhika i cili “kërcënoi” që “Kompania të mos guxojë më të luajë me këtë kontratë, sepse do të penalizohet”.