Luftë me flakët në bregdet, vatra zjarri në Shëngjin e Velipojë
Qyteti i Shëngjinit vazhdon të jetë nën pushtetin e flakëve dhe tymit. Gjatë natës në të gdhirë e premtja, flakët kanë përparuar drejt malit afër qendrës së qytetit, ndërsa deri në orën 10 të paradites, asnjë ndërhyrje nga ajri nuk kishte nisur.
Situata ndryshoi kur në Shëngjin u dëgjua zhurma e helikopterit të vetëm i cili u angazhua për fikjen e flakëve. Forcat e Zjarrfikseve ishin në gatishmëri, por terreni i thyer dhe mungesa e infrastrukturës e bën të pamundur ndërhyrjen e tyre.
Një kompleks rrezikohej nga riaktivizimi i një vatre zjarri, por me ndërhyrjen e 60 forcave zjarrfikëse u bë i mundur lokalizimi i flakëve.
Ndërhyrjet vazhdojnë më shumë nga ajri sesa nga toka. Era në Shëngjin ndryshon shpesh drejtim duke favorizuar përhapjen e flakëve në të gjitha anët.
Dy vatra zjarri shpërthyen një ditë më parë në zonën e Shëngjinit duke djegur sipërfaqe të mëdha toke. Deri tani nuk raportohen dëme në njerëz ose bazë materiale.
Policia e Lezhës pasditen e së enjtes arrestoi edhe autorin e zjarrvënies Preng Pergjoni, 63 vjeç banues në Lezhë, i cili kishte vënë qëllimisht zjarrin për ripërtëritjen e kullotave.
Ndërkohë, një vatër e madhe zjarri ka përfshirë një zonë mes Velipojës dhe Torovicës në vendin e quajtur Mali Kolaj. Për pasojë me dhjetra hektarë pyje e shkurre janë shkrumbuar nga flakë.
Zjarri ka nisur pak pas mesante dhe ende vazhdon të ketë zona të përfshira nga flakët. Aktualisht vatra e zjarrit është mjaft larg zonave te banuara dhe ndërhyrja e zjarrfikseve është e pamundur për shkak të terrenit të thellë malor.
Flakët janë duke u përhapur ne drejtim të Majës së Zezë në zonën e Rrjollit të favorizuara dhe nga era. Për fat të mirë gjatë orve të mesditës ritmi i përhapjes së flakve ka rënë .
Dyshohet që zjarri të jetë vënë qëllimisht për hapjen e kullotave të reja.