Albspirit

Media/News/Publishing

Maqedoni, shënohet 106-vjetori nga lindja e Nënë Terezës

Në kabinetin e kryetarit të Qytetit të Shkupit u prezantua edhe programi i manifestimit “Ditët e Nënë Terezës”, i cili do të mbahet në Shkup prej datës 4 shtator deri më 11 shtator

Maqedoni, shënohet 106-vjetori nga lindja e Nënë Terezës

 Në Maqedoni me aktivitete të ndryshme shënohet 106-vjetori nga lindja e Nënë Terezës, e cila më 4 shtator në Vatikan do të shpallet shenjtore nga ana e Papa Françeskut. Në kabinetin e kryetarit të Qytetit të Shkupit u prezantua edhe programi i manifestimit “Ditët e Nënë Terezës”, i cili do të mbahet në Shkup prej datës 4 shtator deri më 11 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).

Manifestimi do të fillojë ditën e shpalljes së saj shenjtore, ku do të organizohet ekspozitë në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës. Ditëve në vijim do të mbahen aktivitete të ndryshme nëpër katedrale, akademi solemne në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, aktivitete humanitare në ndihmë të të pastrehëve, si dhe aktivitete të tjera në të cilat është paraparë edhe pjesëmarrja e udhëheqësve dhe përfaqësuesve të institucioneve të shtetit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, bëri të ditur se për manifestimin e “Ditëve të Nënë Terezës” janë siguruar 1 milion denarë. “Është një krenari e madhe për të nderuar veprën e saj, për të përhapur njerëzimin dhe dashurinë të cilët e përhapi Nëna Terëza të cilën Shkupi dhe Maqedoni gjithmonë do ta përkujtojë”, u shpreh ai.

Drejtoreshë e Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Valentina Bozhinovska, tha se kjo ditë për Maqedoninë ka një simbolizëm të madh. “Maqedonia dhe Qyteti i Shkupit përkujtojnë një ngjarje të madhe historike. Duke pasur parasysh faktin se qytetarja jonë lindi pikërisht në Shkup dhe prej këtu u nis për në Indi dhe në mbarë botën për të përhapur virtytin, mirësinë dhe njerëzimin”, u shpreh Bozhinovska.

Me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë pasditen e sotme do të ndahet çmimi shtetëror “Nënë Tereza”, i cili jepet posaçërisht për arritje të mëdha nga interesi i shtetit në fushën e humanitetit dhe solidaritetit njerëzor, si dhe për stimulimin, avancimin e mirëkuptimit të ndërsjelltë dhe zhvillimin e bashkëpunimit, si mes popujve, ashtu edhe mes pjesëtarëve komuniteteve të ndryshme kulturore dhe fetare.

Ndërkaq, organizata civile “Shkupjanja Nënë Tereza” do të vendosë kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në vendin e lindjes së saj në Sheshin Maqedonia, në përmendoren e Nënë Terezës dhe dhomën përkujtimore me shenjtëroren në Kullën feudale.

Please follow and like us: