Albspirit

Media/News/Publishing

Mbytja e dy djemve në Korçë, 2 zyrtarë dhe një biznesmen nën hetim penal

Dy zyrtarë lokalë dhe administratori i një kompanie janë vënë zyrtarisht nën hetim lidhur me vdekjen tragjike të dy djemve në Korçë, të cilët u gjetën të mbytur në një rezervuar te vendi i quajtur “Gropa e Danielit”.

Drejtoria e Policisë në Korçë, bëri të ditur sot se në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Qatrom, në të cilën humbën jetën (u mbytën) dy kushërinjtë e mitur Albert dhe Rei Tahirllari, 17-vjeçarë, ka nisur procedimin penal për tre persona.

Ata janë ish-Kryetari i Komunës Drenovë, si dhe Administratori i kësaj Njësie Administrative, që akuzohen për “Shpërdorim detyre” si dhe Administratori i Shoqërisë që ka shfrytëzuar tokën.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin për veprën penale: “Shpërdorimi i tokës” ndaj Vasil Kapurani, 53 vjeç, banues në Korçë, me detyrë administrator i një shoqërie private, në fushën e qeramikës”, – i tha NOA-s zyrtarja e policisë lokale.

Nga verifikimet e kryera, kjo shoqëri ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, si dhe në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, pikërisht në gropën ku humbën jetën, dy kushërinjtë Albert dhe Rei Tahirllari.

Gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale: “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të Flamur Sala 57 vjeç, banues në Korçë, me detyrë ish-Kryetar i Komunës Drenovë dhe Marsel Mejdanlli, 31 vjeç, banues në fshatin Qatrom, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Drenovë.

Dy zyrtarët, duke qenë me detyrë Kryetar dhe Administrator, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar, në territorin e kësaj njësie.

Policia tha se materialet për veprime të mëtejshme hetimore, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Ngjarja ndodhi më 19 gusht 2016. Albert dhe Rei Tahirllari, të dy 17-vjeçarë dhe kushërinj me njëri-tjetrin, shkonin rregullisht për të peshkuar në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”.

Por e premtja ishte fatale për ta.

Dëshmitarët thanë se gjetën tesha të tyre buzë rezervuarit. Nikolin Nasto, shoku i të humburve ishte i pari që konstatoi mungesën e tyre dhe lajmëroi familjaret e policinë.

Për të kryer kërkime ne vendin e ngjarjes u thirrën edhe palombarët e RENEA-s pasi vendi ku u mbytën të rinjtë është rreth 7 m i thellë dhe i rrezikshëm për shkak të prezencës së llumit e baltës.

Palumbarët kanë bërë të mundur nxjerrjen trupave pajetë të dy adoleshentëve të mbytur në rezervuarin e fshatit Qatrom ne rrethin e Korçës.

Rezervuari i vogël është krijuar rreth 2 vite më parë nga gërmimet e kryera nga një firmë private për të marrë dhè për një fabrikë tullash.

Please follow and like us: