Albspirit

Media/News/Publishing

Mogherini reagon për sulmin në Şırnak: BE solidarizohet me Turqinë

“BE-ja shpreh solidarizimin dhe ndan dhimbjet me qeverinë dhe popullin turk. Do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin për të parandaluar dhe për të luftuar me terrorizmin”.

Mogherini reagon për sulmin në Şırnak: BE solidarizohet me Turqinë

  Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, në një deklaratë pas sulmit terrorist në rajonin Cizre të qytetit Şırnak në Turqi ka theksuar se solidarizohen me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mogherini ka bërë një deklaratë në lidhje me sulmin, ku pasi ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e personave që kanë humbur jetën, ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit. Ajo ka theksuar se “BE-ja shpreh solidarizimin dhe ndan dhimbjet me qeverinë dhe popullin turk. Do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin për të parandaluar dhe për të luftuar me terrorizmin.”

Ndër të tjera Mogherini ka theksuar se në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së i cili do të mbahet më 2-3 shtator në kryeqytetin e Sllovakisë e cila është edhe kryesuesja e rradhës e BE-së, do të dëgjojnë nga ministri turk i Çështjeve të BE-së dhe Kryenegociatori Ömer Çelik vlerësimet mbi situatën në vend pas tentativës së dështuar të puçit.

Mogherini ka vënë në dukje se bashkë me komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Johannes Hahn do të vizitojnë Ankaranë për të marrë pjesë në takimin e Dialogut Politik të Nivelit të Lartë BE-Turqi i cili do të mbahet më 9 shtator. Ajo ka shtuar se “takimi do të na japë mundësinë që me ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministrin e Çështjeve të BE-së Ömer Çelik krahas çështjeve të përbashkëta të diskutojmë edhe shqetësimet tona të përbashkëta.”

Pasi ka vënë theksin se Turqia është një vend kandidat dhe një partner kyç i BE-së Mogherini u shpreh se “BE-ja për të kapërcyer sfidat e përbashkëta vazhdon vendosmërinë e saj për të punuar së bashku me një Turqi demokratike, të hapur dhe gjithëpërfshirëse”.

Please follow and like us: