Albspirit

Media/News/Publishing

Redi Shehu: Pa autoritet policor

Pa autoritet policor

 

Nuk është tashmë aspak e bezdisshme të dëgjosh përditë për ngjarje kriminale me forma dhe mënyra specifike krimi që konkurrojnë me njëra-tjetrën për nga makabriteti, e lidhur kjo me një habi për arsyet e krimit, të cilat sa vijnë e bëhen më qesharake dhe më të pajustifikueshme. Aspak e bezdisshme, sepse intensiteti i përditshëm i këtyre ngjarjeve ka kaluar efektin surprizë, më pas ka kaluar edhe efektin përbuzës, dhe tanimë ndodhet në rrethin e ndjenjave të drunjësuara, ku ndjeshmëria venitet dhe ngjarja kriminale që pulson nën vezullimin “Breaking News” është thjesht rutina e radhës.

Në një situatë të tillë ndjenjash të drunjta, secili pret që gjërat të marrin për nga e mbara, që ndjeshmëria dhe njerëzorja të rikthehen në kandarin e vlerësimit të gjërave, por faktet vazhdojnë të jenë kokëforta dhe gjendja sa vjen e rëndohet, e duket se shqetësimi më i vogël për keqbërësit sot është mundësia për të qenë i penguar nga organet e ruajtjes së rendit. Në një gjendje të tillë, individi kërkon të gjejë qetësi në strehën institucionale të ruajtjes së rendit; ai e sheh këtë të fundit si shpresën e vetme të mbrojtjes së organizuar ndaj kriminalitetit, që po shqetëson fort stabilitetin dhe qetësinë e familjeve shqiptare.

Por në vend të kësaj, audienca e trembur tani përballet edhe me një problem tjetër, siç është harta e zonave me kanabis në tërë Shqipërinë, e cila përbën ndoshta problemin më të madh që ne shqiptarët përballemi. Kjo, për shkak se sipas denoncimit të opozitës, faktet tregojnë për përfshirjen e policisë direkt në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e këtij “biznesi”. Gojët e liga, madje thonë edhe çmimin për një rrënjë kanabisi, që punonjësit e Policisë në rrethe marrin në këmbim të protektoratit. Nëse nuk paguan, atëherë ajo parcelë del në edicionin e lajmeve teksa digjet, si sukses i Policisë.

Tregohet se disa forca policie po shkonin të digjnin një parcelë kanabisi pronarit që nuk kishte paguar haraçin, mirëpo për të arritur atje u duhej të kalonin përmes një parcele tjetër që e kishte paguar tashmë “taksën” dhe policët, të ndierë në siklet, i drejtohen pronarit të kësaj parcele: “Na e bëj hallall, por e kemi me atë parcelën tjetër andej” Sikur të mos mjaftonte kjo, publiku kohë më parë u përball me deklaratën e ministrit të Brendshëm, z. Tahiri, i cili presionit mediatik për situatën e rënduar të kriminalitetit në Shqipëri, i dha një përgjigje që la me gojë hapur çdonjërin që e ka një të kuptuar elementar për qeverisjen.

“Policia nuk mban përgjegjësi për vrasjet dhe rastet kur një person vret se nuk gjen nuse, apo kur një tjetër vret bashkëfshatarin për prerjen e plepit”, ka thënë ai. Një deklaratë e tillë, në fakt, tregon tërthorazi se cili është kuptimi i këtij ministri për qeverisjen, apo edhe i vetë qeverisë së koalicionit të majtë mbi përgjegjësinë e qeverisjes. Është tipike kur një sistem listash të mbyllura -me kandidatë të parafabrikuar sipas inxhinierisë politike të liderit të partisë, kur një sistem elektoral i cili dënon faktin e të qenurit forcë e re dhe kapitullon çdo tentativë për të ofruar një rrugëdalje të re politike pa qenë i varur nga një prej dy partive të mëdha, kur transparenca e fondeve të partive, si dhe metodologjia e katapultimit në pushtet- nuk njeh shkallët e përvojës politike, atëherë pushteti natyrshëm që vjen e konsiderohet si një mandat pothuaj kolonial ndaj një populli, përgjegjësia e vetme ndaj të cilit është mënyra për t’i zhvatur ato.

Kur ministri i Brendshëm lëshon një deklaratë të tillë, është e qartë se ai nuk e kupton se detyra kryesore e tij është të menaxhojë dhe të mirëmbajë rendin publik, i cili është një konsensus kufizimesh, pra, ku secili kufizohet nga pretendimet e tij për hir të një stabiliteti dhe sigurie sociale. Është pikërisht fryma apo atmosfera që një qeverisje ndërton për të siguruar paqen sociale në një shoqëri, duke shpërfaqur autoritetin e vet si parandaluese dhe forcën e vet si ekzekutuese kur shkaktohet dëmi.

Fakti është se organet e ruajtjes së rendit, të mandatuara për të kryer pikërisht këtë detyrë, nuk po arrijnë të listohen në penguesin apo problemin kryesor të keqbërësve. Këto organe nuk po arrijnë në shumë raste as edhe të identifikojnë dhe evidentojnë shkaqet e individët e kryerjes së veprave me rrezikshmëri sociale; dhe keqbërësi, kur kryen aktin e tij, më shumë merakoset për detaje të tjera, sesa të menaxhojë frikën ndaj policisë. Pra, ato kanë dështuar të jenë siguruesi i rregullit social.

Askush nuk pretendon që policia të gëzojë aftësi telepatike për t’i parandaluar kriminelët të bëjnë vepra kriminale; ajo që zgjedhësi pret nga të zgjedhurit e vet është përgjegjësia në të kuptuarit e amanetit që kanë mbi supe. Policia e Shtetit mban përgjegjësi për t’u garantuar qytetarëve të vet një ndër të drejtat themelore universale: të drejtën për të jetuar, për të jetuar në një mjedis social ku të mos kesh frikë t’i ndalesh dikujt që ka uniformë policie, ngase nën atë uniformë disa kriminelë serbes-serbes bëjnë punën e tyre, ku të mos kesh frikë se duke pirë kafe në lokalin kryesor të qytetit, të mund të rrëmbehet njeriu, të mbahet peng e në fund edhe të vritet. Gjëra të tilla ndodhin kudo, mund të thotë dikush, por ajo që e dallon mjedisin social në vendet e tjera nga mjedisi social shqiptar në lidhje me rendin dhe sigurinë publike është rrënimi i autoritetit.

Sot proporcionalisht nga rrënimi i autoritetit të organeve të ruajtjes së rendit gjithkush mund ta projektojë veten si dhunues, gjuha e forcës e të cilit mund t’i imponohet shoqërisë, ndërkohë që tjetërkund luftohet e punohet pikërisht për të mirëmbajtur dhe forcuar më tepër këtë autoritet dhe duke zvogëluar fenomenin. Kriza jonë e rendit është krizë autoriteti, e cila vjen nga paaftësia dhe keqadministrimi.

Por, sigurisht, që e gjithë kjo që ndodhi dhe që ndodh në mënyrë të përsëritur është pasojë e trajtimit të amanetit politik të zgjedhësve si bonus, pushteti i të cilit të jep të drejtën të strehosh në vendstrehimet (lexo, institucionet) publike armatën e kushërinjve, militantëve, servilëve, sahanlëpirësve, meraklinjve e kazanxhinjve, duke lënë jashtë kriterin e profesionalizmit.

Të strukturuara si muret e trasha të kështjellës së pushtetit, institucionet e ruajtjes së rendit, krejt ndryshe nga funksioni në ndihmë të qytetarëve, ilustruar me postera policësh e policesh krenare që shikojnë tej larg në horizont, materializohen në drejtori e komisariate, të cilat përbëjnë pikën e grumbullimit të tifozllëkut partiak, që është manifestuar qartë në këto dy dekada. Shpeshherë edhe pjesë e krimit dhe e trafikut, kjo gjeneratë kushërinjsh e militantësh kanë ndërtuar një strukturë të ruajtjes së rendit, e cila thërrmohej shumë kollaj nga banditë e kriminelë, makinat luksoze të të cilëve merrnin së pari bekimin pikërisht nga këto komisariate.

Problemi së pari është politik, pra, ka implikime me qëllimin politik të vendosjes së rendit përtej retorikës qesharake të pushtetit, pastaj është profesional, që vjen si pasojë e mbivendosjes së kriterit partiako-klanor mbi atë të meritës profesionale. Prandaj, as mos të mendojmë se me të tillë metodologji dhe strukturë ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë një siguri sociale ashtu siç duhet. Shkaqet dihen dhe janë ditur, po ashtu edhe mënyrat për t’i përmirësuar janë të ditura dhe vazhdojnë të dihen.

Please follow and like us: