SHËN KOZMAI I ETOLISË DHE ALI PASHË TEPELENA, DY NJERËZ QË BËNË HISTORI
Shën Kozmai i Kolkondasit (1714-1779) dhe Ali Pashë Tepelena (1740-1822) janë dy figura, që kanë lënë gjurmë të theksuara në historinë e vrullshme të Ballkanit në shek. XVIII-të dhe në ndërgjegjen popullore në këto territore, sidomos në vendin tonë. Të çudit fakti se si këta dy persona diametralisht të kundërt për nga mendësia, jeta, funksioni dhe vepra, patën një pikë takimi në udhëtimin e jetës së tyre dhe lidhën një miqësi, që mbeti në jehonën e historisë së këtij vendi.
At Kozmai ishte ieromonak (prift murg) orthodhoks, i varfër, predikues i zjarrtë dashurisë sublime për Zotin dhe të afërmin, kurse Ali Pasha kaçak, më vonë pasha i pasur, njeri i dhunshëm, gjakësor, lakmitar i papërmbajtshëm dhe shkaktar i shumë krimeve për të mbajtur pushtetin e tij. Takimi i tyre ndodhi në gusht të 1779 në këto rrethana: At Kozmai nga Etolia që nderohet si shenjt nga Kisha Orthodhokse, kishte që nga viti 1760 me bekimin e patriarkut Serafimi i II-të “shqiptarit” me origjinë nga Delvina, duke bërë tri udhëtime ieroapostolike dhe tani i katërti, nga Kostandinopuli (Stambolli), Greqia, Maqedonia, Epiri, Shqipëria duke arritur deri në Durrës e Tiranë, me qëllimin e vetëm, të ndalonte prozelitizmin islam tek rajat e munduar prej shekujsh nga perandoria Osmane, të cilët për t’i mbijetuar trysnisë të dhunës fizike, të taksave e çdo keqtrajtimi dhe përçudnim detyroheshin të mohonin fenë e stërgjyshërve tyre. At Kozmai duke predikuar dhe hapur shkolla, gati 240, ndaloi konvertimin e mëtejshëm në fenë islame dhe zgjoi ndërgjegjen e përgjumur dhe të frikësuar të rajas për të filluar kryengritjen popullore për fitoren e të dëshiruarës (çlirimin nga Turqia), ashtu siç ai predikonte me profeci: “E dëshiruara do të vijë, kur do të vijnë dy Pashkë bashkë”. (Dhe vërtetë, në 1912-ën kur u shpall pavarësia ranë dy festa bashkë: Ungjillizimi dhe Pashka).
Në këtë kohë, Aliu që ishte biri i një familjeje feudalësh ushtarak nga Tepelena, i mbetur jetim nga vdekja e babait të tij u detyrua për mbijetesë të bashkohej me një grup grabitësish dhe të bënte jetën e një kaçaku, duke qenë përgjegjës për bastisje të ndryshme. Në gusht të vitit 1779 at Kozmai udhëtonte nëpër Epirin Verior. Ai kishte arritur afër Tepelenës. Në kohën kur u predikonte turmave të popullit, e sulmuan qehajallarët e koxhabashëve dhe hebrenjve. Ata filluan të zihen me grushte me njerëzit. Aty u bë një përleshje e madhe dhe shenjti shpëtoi duke u larguar. I ndjekur hyri në Tepelenë. Atje në një rrugë pa derën e hapur të një shtëpie dhe një grua që i bëri me shenjë, që të hynte për ta fshehur. Kur mbas pak arritën përndjekësit, duke iu marrë fryma nga lodhja, e pyetën gruan: “A e kishte parë Shën Kozmanë?”. Ajo u tregoi rrugën duke thënë: “Po tani sa kaloi këtej, vraponi dhe do ta arrini”. Ajo grua ishte Hankoja me famë, nëna e Aliut. Në mbrëmje erdhi Aliu, ishte rreth 35 vjeç, kusar dhe kryetar çete. I vunë përpara një qengj të pjekur dhe bukë gruri. Në kohën e ngrënies at Kozmai i dha këshilla të mira. Ndërsa Hankoja, që e dinte dhuratën profetike të shenjtit, e nxiti Aliun ta pyesë at Kozman për rrugën e karrierës së tij. “Do ta marr Beratin?” – e pyeti Aliu? – “Do ta marrësh” – i tha at Kozmai. Aliu u kënaq, sytë e tij vetëtinë. Mbas pak ai pyeti përsëri. “Po Përmetin dhe Janinën, a do t’i marr?”. Siç e shihni oreksi vjen duke ngrënë. Shën Kozmai e pa drejtë e në sy dhe prapë iu përgjigj: “Dhe Përmetin, dhe Janinën do t’i marrësh. Do të marrësh edhe Prevezën”. Por shenjti shtoi: “Të mbash mend gjithmonë, që t’i duash dhe t’i mbrosh të krishterët, po deshe që pushteti yt t’u mbetet trashëgimtarëve të tu”. Ditën tjetër Aliu e përcolli shenjtin, që do të shkonte në veri. Por, para se të ndaheshin, e pyeti përsëri për të ardhmen e tij. “A do të shkoj në qytet?”. Shën Kozmai u përgjigj me sy të menduara. “Edhe në Kostandinopojë do të shkosh, por me mjekër të kuqe”. Aliu mbeti i kënaqur, por nuk e kuptoi profecinë që do të thoshte, se koka e tij do të shkonte e gjakosur, siç e dërguan me të vërtetë mbas vrasjes së tij, te sulltanit në Kostandinopojë. Mbas pak ditësh at Kozmai u martirizua nga njerëzit e Kurt pashës të Beratit në Mujalli, fshat afër Fierit në 24 gusht 1779. Aliu u hidhërua shumë dhe mori hak duke vrarë shumë njerëz. Më 1788 Aliu u bë komandant i rrethit të Janinës dhe zot i Beratit. Atëherë kujtoi profecinë e at Kozmait dhe ngriti një manastir madhështor në vendin e martirizimit të tij. Ai vetë dha shumë para për atë. Bëri dhe fushatë ndihmash në Epir, si dhe në Etolo-Akarnania.
Në urdhrat përkatëse ai shkruante: “Nga unë më i larti vezir Ali Pashai. Ju të krishterët të rrethit të Beratit, Myzeqarë dhe Vllehë, Grabovarë, fshatra dhe çifligje, ju lajmëroj se vura një kujdestar që të më ndërtojë manastirin e at Kozmait, ndihmova edhe unë me aspra. Të ndihmoni edhe ju, siç do t’ju thotë dhespoti, që të ndërtojë këtë manastir. Dhe kush të mos ndihmojë, do të më mbetet hatri dhe pastaj do të kërkoj të paguani dyfish. Prandaj vazhdoni siç ju urdhëroj”. Ali Pashai e shkroi këtë letër më 12 shtator 1813 në Gjirokastër.
Më 1814 ai dha edhe një urdhër të dytë për Mitropolitin e Beratit, ku shkruante: “U gëzova shumë që u interesuat për plakun Kozma. Ja tani që vjen igumeni bashkë me kryemjeshtrin, ta vini të ndërtojë dhomat dhe kubenë e manastirit, që do të mbetet e veçantë dhe më e bukur nga të gjithë manastiret. Dhe me ardhjen time, dua ta gjej gati. Vetëm se duhet të mundoheni të gjithë për ta ndërtuar. Dhe të ndihmojnë gjithë të krishterët e Beratit, të vegjël dhe të mëdhenj. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit që t’ju ndihmojë në çdo punë. Bëni siç ju shkruaj. (Në Janinë më 12 shtator 1814).
Ali Pashai ndërtoi gjithashtu një këllëf argjendi për kafkën e shenjtë të at Kozmait, të veshur me ar dhe me diamante të ngjitura përsipër. Vendosi gjithashtu edhe të kremten përkujtimore të Shën Kozmait. E kremtja e Shën Kozmait filloi që në vitin 1815, sipas urdhrit të Vezir Ali Pashait, i cili u shkroi të gjithë kryepriftërinjve që të urdhërojnë popullin, të mbyllet tregu ditën e 24 gushtit, dita e martirizimit të shenjtorit. Biografi i Aliut, Davenport na ka lënë shumë informata që kishte mbledhur nga njerëzit, të cilët e kishin parë me sytë e tyre këtë nderim të madh që i kishte bërë pashai i tmerrshëm “plakut Kozma”. Po më mirë na e ka përshkruar këtë litani francezi Jeraume de la Lance, i cili gjithashtu ka bërë biografinë e Aliut më 1822.
Aliu organizoi në Janinë një litani madhështore për nder të shenjtit. Ai solli nga Kolkondasi Lipsanet e tij të shenjta, të mbajtura nga murgjit, i priti gjithë kleri i Janinës, të veshur me petrahile të çmuara dhe me lambadhe.
Njerëz të panumërt djathtas e majtas rrugës bënin kryqin gjatë kalimit të procesionit. Nga psaltët, kleri dhe populli, bashkë me temjanin e shumtë ngjitej në qiell një lutje me zë të lartë: “Mëshirona o Zot, mëshirona o Zot…”. Kur Litania arriti në pallat afër sheshit të sotëm, njerëzit panë të vërshojë një re e bardhë nga largësia e shkallës së madhe. Ishin 150 fëmijë të veshur me të bardha që mbanin temjanica të argjendta. Mbas tyre vinin 300 gra të pallatit me ferexhe të bardha. Së fundi u duk Ali Pashai me zonjën Vasiliqi të veshur me të zeza, që shikonte me turp përtokë. Dhe ndërsa murgjit ngrinin Lipsanet dhe ngjiteshin në shkallët prej guri, gjithë ai popull ra në gjunjë. I pari dha shembullin Aliu…
Mijëra njerëz të gjunjëzuar i faleshin shenjtorit. Atëherë zëri i priftit u dëgjua i qartë: “Nga murtaja, nga sëmundja dhe nga lufta o Zot shpëtona”. Aliu dhe Vasiliqia u ngritën dhe puthën Lipsanet e Shenjta me respekt të thellë fetar. Fëmijët tundnin temjanicat e tyre, që mbushnin atmosferën me re të bardha tymi. Nderin që Ali Pashë Tepelena, besimtar i një feje tjetër, i bëri të krishterit Kozma, disa myslimanë fanatik e kritikonin. Por, Aliu mbrohej me guxim duke thënë: “Sillmëni një mysliman si ky i krishteri dhe do t’i puth këmbët”.
Një herë tjetër që puthi me respekt arkën me kafkën e shenjtit, një sheh fanatik e konsideroi mëkat dhe i thirri: “Bëre mëkat”!
Por, Pashai pa u tronditur, iu përgjigj: “Po ti je i çmendur, o shehu i gjorë. Ta dije, nuk flisje kështu. Ky murg ore haxhi, ishte profet i vërtetë. Erdhi në shtëpinë time në Tepelenë dhe më dha uratën dhe më tha të gjitha ato që bëra, sikur t’i kishte të shkruara në qitap. Por, për një gjë harrova ta pyes, dhe po ta kisha gjallë do ta pyesja dhe do t’i jepja 10.000 qese me flori. Por, nuk e kam…”. Aliu kishte harruar ta pyeste se ç’do të thoshte Shën Kozmai duke profetizuar se do të shkonte në Stamboll me mjekër të kuqe?
Ali Pashë Tepelena pavarësisht nderimit që i bëri Shën Kozmait, ai nuk ia mbajti këshillën që iu tha me profeci: “Të mbash mend gjithmonë që t’i duash dhe t’i mbrosh të krishterët, po deshe që pushteti yt t’i mbetet trashëgimtarëve të tu”. Pavarësisht se Aliu në oborrin e tij mbante të krishterë dhe u përpoq të zbatonte në shtetin e tij legjislacionin frëng të barazimit, ku të krishterët të ndjeheshin të barabartë si myslimanët, po ashtu edhe gruaja e tij e fundit, Vasiliqia që ishte e krishterë, ai nuk e detyroi atë të ndryshonte besimin, por përsëri ai dhe të afërmit dhe njerëzit e tij janë përgjegjës për shumë krime që u bënë në zona dhe fshatra të krishtera, duke bërë masakra në burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm, dhe kështu duke i detyruar të largohen nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ose të pranonin konvertimin në fenë islame, që disa herë bëhej me dëshirë për shkak të privilegjeve që fitonin në pashallëkun e Aliut. Historianë vendës dhe të huaj na kujtojnë fakte tragjike dhe të trishtueshme të dhunës të urdhëruar nga Aliu dhe me vetë dorën e tij tek banorët e Hormovës, Kardhiqit, Libohovës, Picarit, Lazaratit, Sulit. Këta historian na kujtojnë për hakmarrjen me dredhi të Aliut tek burrat dhe gratë hormovite. Burrat i poqi të gjallë në hell. Grave ia rrojti kokën, i çnderoi me ushtarët dhe i shiti skllave. Po ashtu, në Kardhiq në atë kohë kishte 1000 shtëpi u shkatërruan kur Aliu vrau 700 burra të krishterë dhe popullata u tkurr në 300 banorë. Mbas këtyre masakrave, fshatra dhe krahinat i nënshtroheshin pa një pushkë pushtetit të tij. Aliu me të gjitha makinacionet, intrigat, ryshfete, vrasje, aleanca por edhe me guxim arriti të bëjë karrierë. Në vitin 1784 fitoi gradën e pashait si komandat ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Në këtë kohë fitoi me luftë qeverisjen e Sanxhakut të Delvinës dhe në vitin 1786-’88 u bë derbendpash dhe qeveritar i Saxhakut të Thesalisë, shtriu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjese të trojeve jugore shqiptare. Rreth viteve 1787 u thirr në Stamboll si dervince Ali Pasha Tepelena marshall për gjithë Thesalinë. Ai u përpoq të mënjanote pushtetin qendror osman dhe duke rënë në bashkëpunim me çifligarë të rinj dhe borgjezinë tregtare, të shndërrojë trevat e pashallëkut të tij në një formacion shtetëror, në fakt autonom nga Porta e Lartë. Për hir të së vërtetës, këto vise që qeveriseshin prej tij me dorë të fortë dallonin nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomiko-kulturor dhe duke nënshtruar me luftë qeveritarët, rivalë të sanxhaqeve fqinj, të vetëqeverisura të Sulit dhe të Himarës, ai arriti të zgjeronte pushtetin e vet nga gjiri i Prevezës deri në lumin Shkumbin. Bëri aleancë me francezët, rusët, anglezët. Por, me shumë kujdes për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, Portën e Lartë. Ai u përpoq për bashkimin e krahinave shqiptare në pashallëkun e Janinës, duke i bërë rezistencë të hapur sulltanit dhe kështu u bë shkak për një lëvizje çlirimtare antiosmane të popullit shqiptar. Por, orvatjet e tij për t’i bashkuar feudalët e Shqipërisë së Veriut nuk dhanë rezultat dhe kështu në vitin 1820-1822, Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e pashallëkut nga forcat e Perandorisë Osmane dhe për ta shkëputur nga vartësia e perandorisë. Ali Pasha kërkonte të përfitonte edhe nga aleanca e kryengritjes greke të Etolisë dhe Akarnanisë, por kjo aleancë nuk mundi të zhvillohej më tej. Aliu mbeti i vetëm, i tradhtuar nga fëmijët e tij, ushtria dhe aleatët e huaj. I bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë deri sa i ngujuar në një ishull të liqenit të Janinës u vra më në fund nga turqit me pabesë më 24 janar 1822. Koka e tij u pre dhe u çua në tepsi në Stamboll dhe trupi ju varros në Janinë, ku është edhe sot e kësaj dite dhe kështu u realizua profecia e fundit, që i tha Shën Kozmai 43 vite përpara se “Do të shkosh në qytet (Stamboll) me mjekër të kuqe”. Dështimi i përpjekjeve të Aliut për të fituar pavarësinë e pashallëkut të tij e shtyu dhe për shumë kohë çlirimin e trevave të Shqipërisë nga robëria turke, ndryshe nga ajo që ndodhi në vendet e tjera fqinje. Fatkeqësisht jo vetëm Aliu, por edhe të tjerë që morën pushtetin për të qeverisur këtë vend nuk ju përmbajtën “aksiomës” profetike që Shën Kozmai i tha Aliut: “T’i duash dhe t’i trajtosh mirë të krishterët që pushteti yt të mbetet”. Këtu më vijnë shumë qeveritarë të kaluar, por edhe ata të afërt që qeverisën në kohë të demokracisë, mbas viteve 1991. Për shembull, qeveritarët e qeverisë së shkuar që lejuan me vetëdashje një gënjeshtër dashakeqe në dëm të krishterëve orthodhoksëve, duke lejuar që në censusin e vitit 2011, të krishterët nga 23% e popullatës që ishin, të deklarohen 6.12%, ose më afër akoma, veprimet arrogante të kësaj qeverie aktuale që është në vitin e fundit të mandatit 4-vjeçar, e cila lejoi dhe organizoi prishjen e objekteve të kultit të kishës orthodhokse si ajo e kishës së Shën Marisë të Pazarit në Përmet (gusht 2013) dhe të kishës së Shën Athanasit në fshatin Dhërmi (gusht 2015). Këto dy kisha të mbetura edhe sot e kësaj dite gërmadha janë si dy plagë të hapura në trupin e Krishtit, që është Kisha Orthodhokse dhe që i trishtojnë dhe shqetësojnë besimtarët e krishterë, të cilët i luten Zotit Perëndi, autoritetit suprem e çdo pushteti në qiell e mbi dhè, të bëjë gjyqin e drejtë, duke i ndriçuar në radhë të parë qeveritarët t’i korrigjojnë sa më shpejt gabimet dhe t’i frymëzojë që t’i duan dhe t’i mbrojnë të krishterët e mirë, që kështu pushteti i tyre të jetë i bekuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mirën e të gjithë vendit, ashtu si Shën Kozmai këshilloj Aliun. “T’i duash dhe t’i trajtosh mirë të krishterët që pushteti yt të mbetet”.
Miron Çako
Please follow and like us: