Shqiptaro-amerikani që iu kthye shqipes kur u bë 30 vjeç
Është i lindur e i rritur në New York. Edhe babanë e ka të lindur e të rritur në Amerikë kurse nënën e ka amerikane. Gjyshërit e tij kanë emigruar nga Puka fillimisht në Kosovë dhe pastaj për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, Christopher Tushaj, edhe pas dy gjeneratave ka arritur ta ruajë gjuhën shqipe dhe të shkruaj e të lexoj rrjedhshëm.
Tushaj, i cili ka studiuar në Universitetin e Arizonës, tashmë po merr pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare i cili po mbahet në Prishtinë.
Ai po merr pjesë në nivelin e tretë të gjuhës, i cili organizohet në kuadër të Seminarit të Gjuhës, mirëpo thotë se interesimi i tij për ta kuptuar dhe folur gjuhën e të parëve të tij ka filluar qysh nga fëmijëria.
“Kjo ka filluar që nga fëmijëria, kur kam qenë fëmijë gjithmonë kam qenë shumë i interesuar me kuptua se çka po flasin familja ime sepse nënën e atit e kam shqiptare, jam rritë shumë kohë me ta dhe nuk më kanë mësuar gjuhën, atëherë e kam marrë përsipër ta mësoj vet, atëherë në moshën 30 vjeçare kështu kam filluar fjalë për fjalë të shprehem hap pas hapi dhe tash jam këtu gjithmonë duke ndjekur këtë gjuhën që të mësoj më mirë, unë e di se kam mbetur me këtë dialekt, por sikur kam thënë përpara se kam shkuar në kurse në Universitetin e Arizonës, më ka ndihmuar shumë me gramatikën”, shprehet Tushaj.
Megjithatë, Christopher Tushaj thotë se edhe psepo merr pjesë në nivelin më të lartë të kursit që organizohet në Seminar, është i vetëdijshëm që ka ende punë për të bërë në këtë drejtim.
“Jam në nivelin e tretë por unë e di se kam shumë punë që ta përmirësoj shqipen që e kam tash. Më së miri për mua është që të mësoj për gramatikën që ta mësoj gjuhën standarde se kjo është një gjuhë që na bashkon nënjëfarë mënyre”, ka theksuar Tushaj.
Mirëpo, Christopher Tushaj, i cili në Kosovë ka ardhur për herë të parë në jetën e tij, kryeqytetin e krahason me një vend shumë të dashur për shqiptarët.
Megjithatë Tushaj është i fascinuar edhe për bukuritë e qyteteve tjera të Kosovës tëcilat ka pas rast t’i vizitojë.
“Në qendër të Prishtinës për mua e kam përshtypjen që duket pak a shumë si Gjermani, njëmend, unë e di se ndërtesat janë pak ndryshe por duket pak, nuk e di si thonë shqip por duket pak si me qenë se unë në vitin e kaluar isha në Munih për një muaj e kam ndjek një kurs të gjermanishtes që tëpërmirësoj nivelin e gjermanishtes do të shkoj këtë vit në Gjermani. Në Prizren kemi qenë ishte vendi shumë i bukur, sidomos kalaja ku mundet me pa krejt malet, është shumë e bukur dhe sipas mendimit tim është një prej qyteteve më të bukura që ka në Ballkan”, ka treguar Tushaj.
Tushaj ka thënë se sa herë që do të ketë mundësi do të marr prapë pjesë në Seminar pasi sipas tij këtu marrin pjesë njerëz nga e gjithë bota të cilët janë shumë të apasionuar për ta mësuar gjuhën tonë.
“Po patjetër sepse vinë njerëzit nga e gjithë bota shembull në klasën time i kemi shtatë serbë që flasin shqip më duket më mirë se unë dhe është shumë interesant, ka edhe bullgarë, ka prej gjithkahit dhe janë apasionuar për ta mësuar kulturën tonë, gjuhën, letërsinë, është shumë interesantë sidomos këta arbëreshët i kam takuar për herë të parë janë shumënjerëz të sjellshëm e të mirë, është shumë bukur, jam shumë i lumtur që kam mundësi të jem këtu në mes juve”, ka deklaruar ai.
Një nga veçoritë e qytetarëve dhe Kosovës, Tushaj thotë se është mikpritja. Sipas tij këtë e di krejt bota se shqiptarët janë mikpritës.