Albspirit

Media/News/Publishing

Trump dhe çështja e imigracionit


Kandidati republikan për presidenti, Donald Trump shtyu një fjalim mbi politikat e tij të imigracionit që kishte në plan ta mbante sot në Kolorado. Kjo mund të jetë një shenjë se ai është duke rishqyrtuar politikat e tij për këtë çështje. Kohët e fundit zëdhënësit e fushatës së tij kanë thënë se ai është tërhequr nga qëndrimi për deportimin e të gjithë imigrantëve të paligjshëm.

Në fjalimin që kishte në plan ta mbante sot në Denver, kandidati republikan për president, Donald Trump pritej të paraqiste politikën e tij për çështjen e imigracionit. Rishqyrtimit dhe ndryshimet e mundshme të qëndrimit të tij mbi këtë çështje mund të jenë arsyet e shtyerjes së fjalimit.

Dje zoti Trump u pyet nga kanali televiziv Fox News nëse është i gatshëm të ndryshojë ligjet amerikane për t’i lejuar qëndrimin në vend emigrantëve të paligjshëm që kanë kontribuar për shoqërinë amerikane, kanë respektuar ligjet dhe janë me fëmijë.

“Natyrisht që mund të ketë një zbutje të qëndrimeve, sepse ne nuk po kërkojmë lëndimin e njerëzve,” tha ai.

Në të kaluarën zoti Trump ka bërë komente të ashpra ndaj imigrantëve të paligjshëm duke bërë thirrje për dëbimin e tyre masiv dhe ndërtimin e një muri përgjatë kuftirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Por tani ai thotë se një pjesë e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkura duhet të lejohen të qëndrojnë në vend.

“T’u themi këtyre njerëzve të largohen apo në disa raste të lejojmë disa prej tyre të qëndrojnë në vend?”

Ndërkohë në një tubim fushate, të martën në Teksas, zoti Trump vuri theksin tek trajtimi i çështjes së emigrantëve të paligjshëm që kryejnë krime. Ai ftoi në podium tetë nëna të fëmijëve që janë vrarë nga emigrantë të paligjshëm.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme, sepse ato do të vendosin nëse ne do t’i mbrojmë kufijtë tanë. Sot u takova me nënat e fëmjëve amerikanë që janë vrarë nga emigrantët e paligjshëm si rezultat i politikave të Hillary Clinton-it dhe Barack Obamës”, tha zoti Trump.

Çështja e imigracionit për një kohë që gjatë ka qenë një çësthje politike që ka ndarë votuesit amerikanë. Ish presidenti republikan George W. Bush, në vitin 2007, u përpoq të ndryshonte ligjet amerikane të imigracionit, por përpjekja e tij dështoi në kongres. Përpjekjet e presidentit demokrat Barack Obama për trajtimin e kësaj çështje dështuan për shkak të përçarjeve dhe ngërçit politik.

Ndërsa, kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton ka thënë se ajo mbështet reformimin e sistemit të imigracionit që përfshinë një program për legalizimin e miliona emigrantëve të paligjshëm. Zonja Clinton është shprehur kundër dëbimit masiv të emigrantëve të paligjshëm.

Një lëvizje e zotit Trump për të ndryshuar qëndrimin e tij mbi emigracionin mund ta ndihmojë atë të tërheqë më shumë mbështetje mes votuesve të moderuar në përpjekjen e tij për të fituar zgjedhjet e 8 nëntorit.

Por ndryshimi i qëndrimit të tij mund të zemërojë disa nga përkrahësit e tij më të fortë. Zoti Trump mundi 16 rivalët e tij në zgjedhjet paraprake të republikanëve dhe një faktor i rëndëdishëm në këtë kontest ishte qëndrimi i tij i ashpër ndaj imigracionit.

Please follow and like us: