Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Qeveria të shpëtojë ishujt e Ksamilit

Prej vitesh qyteza e vogël e Ksamilit në skajin juglindor të Sarandës është bërë pikë referimi për turizmin familjar. Në klasifikimin e plazheve më të mira shqiptare zona e Ksamilit renditet diku në krye për shkak të specifikave që ofron: det i pastër, plazhe të sistemuara dhe cilësore, peisazh natyror i jashtëzakonshëm, lidhje midis turizmit veror dhe atij historik, ku vend referimi mbetet Butrinti, si dhe një zonë e qetë, larg zhurmave, ende në zhvillim dhe me cmime konkurruese për pjesën e madhe të qytetarëve me të ardhura mesatare.

Njësitë private te shërbimit dallojnë shumë nga arroganca e zonave të tjera bregdetare. Ato dinë të mirëpresin turistët, sillen me respekt e kujdes për klientët, krijojnë komoditet pushimi dhe oferta të shumta ushqimi traditicional, investojnë cdo vit në rritjen e standardit dhe nuk bëjnë kritika ndaj rivalëve të tyre ngjitur. Shumica e tyre janë banorë të përhershëm aty dhe kanë arritur gjithcka pa ndihmë shtetërore, kryesisht përmes biznesit familjar në vite ose kredive nga bankat.

I ndërtuar me tiparet e tranzicionit, – midis nismave private dhe përpjekjeve për privatizim të publikes, aty bashkëjetojnë legaliteti dhe informaliteti, sidomos kur bëhet fjalë për “të fortët e Tiranës”, dhe te qyteteve të tjera, të cilët falë aksesit në pushtete e qeveri të ndryshme kanë arritur të përfitojnë nga oazi turistik i Ksamilit duke sjellë bashkë me investimet edhe modelin e arrogancës ndaj gjithckaje pozitive që Zoti e banorët kanë krijuar për vite e vite në Ksamil. Tipike e kësaj sjellje arrogante është abuzimi me kompleksin e pesë ishujve të Ksamilit, të cilët bashkë me Sazanin e braktisur, mbeten ishujt e vetëm në hartën e Shqipërisë. Ishujt e Ksamilit janë sinonim i mrekullisë natyrore, plot gjelbrim dhe bimësi, të vendosur në sinkron plotësues për ofertat turistike, një kartolinë e jashtëzakonshme për Shqipërinë që ka zënë vend sa e sa herë në gazetat e revistat më prestigjioze ndërkombëtare.

Por ndërsa oazi turistik dhe ishujt ndodhen aty, pak metra larg ujrave ndërkombëtare dhe në vitrinën e plazheve të Ksamilit, etja për fitim e biznes tranzicioni jashtë standardeve minimale ligjore e turistike coi në një fenomen gati kriminal: gërryerjen e ishujve për të krijuar zona plazhi e restorantesh. Pamja që vjen nga dy ishujt kryesor të Ksamilit flet vetë. Dëmtimi është kolosal, i ngjashëm me dëmtimin që i është bërë pjesës hyrëse të qytetit historik të Krujës, me dallimin se në Ksamil dëmtimi është me pasoja më të mëdha. Konkretisht, pjesa e dëmtuar e ishullit cdo vit vijon të pësojë gërryerje dhe për rrjedhojë, cdo vit sipërfaqja e ishullit zvoglohet, duke i humbur territor shtetit shqiptar dhe duke dëmtuar ndjeshëm edhe potencialin më të rëndësishëm turistik në jugun e Shqipërisë.

Në aksionet – shoë në emër të luftës kundër informalitetit, por pa standarde pune cilësore ishujt morën goditje tjetër: një pjesë e dy ishujve është djegur tërësisht nga zjarri i shkaktuar nga shpërthimi i lëndëve plasëse duke dëmtuar bimësinë dhe eko-sistemin e zonës. Megjithëse natyra po bën shumë më tepër sesa vetë shteti për ri-bimësimin e zonës së djegur, ishujt mbeten ende nën mëshirën e fatit. Askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore për prerjen e shkurtimin e ishullit, ndërkohë që premtimet për ri-pyllësim dhe marrje nën administrim të vecantë nga shteti kanë rezultuar pa sukses.

Zgjidhja është një dhe e thjeshtë: Shqipëria ka detyrim kushtetues mbrojtjen e territorit dhe ishujt janë pjesë e tërritorit. Shqipëria ka ministri mjedisi dhe nëse ka detyrë prioritare për këtë ministri është pikërisht ndërhyrja emergjente për shpëtimin e ishujve të Ksamilit. Ndalimi i gërryerjes së mëtejshme të ishujve dhe përdorimi i mjeteve e praktikave efektive për ri-pyllëzimin e tyre, përbën emergjencë dhe një prej arsyeve përse duhet ende të paguajmë taksa për burokratët e kësaj ministrie. Shqipëria ka ministri turizmi dhe asnjë investim tjetër më serioz dhe emergjent nuk është sesa ai për ta konservuar potencialin turistik të Ksamilit, për të nxitur potencialet dhe infrastrukturën turistike në harmoni me natyrën, me detin, me mjedisin, me bimësinë dhe me qëndrën turistike të Butrintit. Saranda ka një bashki të re, e cila në pamundësi praktikë të shpëtojë qytetin e betonizuar bregdetar duhet të ketë prioritet thelbësor shpëtimin e potencialeve të tjera turistike, ku Ksamili mbetet pika kryesore e referimit.

Së fundi, por simbolike, – është interesant fakti se politikanët vendimmarrës në sektorët e mësipërm zakonisht i gjen në pushime në resorte turistike jashtë vendit ose në resortet e klientelës së tyre personale në bregdet, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk e gjen të kalojë ditët e pushimeve me qytetarët e thjeshtë, në zonat turistike të rrezikuara nga denigrimi klientelist politik. Mesazhi i tyre është i qartë: reklamë për klientelën dhe financuesit e oligarkisë politike. Gjurmët e këtij mentaliteti i gjen edhe në vijën bregdetare Sarandë – Ksamil. 2-3 prej furnitorëve informalë të politikës kanë ndërtuar resorte të mëdha turistike, në toka e bregdet të marrë gati falas nga shteti falë shërbimeve elektorale dhe ku klientelë e rregullt janë familjet me pushtet, shefat e shtetit dhe vendimmarrësit qëndrorë e lokalë në gjykata, prokurori, polici, bashki, tatime, e sektorë të tjerë me potencial korruptiv.

Në një vend normal vëzhgimi i fundit dhe hetimi i dosjeve korruptive do të ishte zgjidhja e këshilla më e mirë, por në Shqipëri ku piramida e korrupsionit njësohet me piramidën politike e administrative të vendimmarrjes, shpresat janë minimale, ndaj duhet operuar me pritshmëri realiste minimale. E tillë mbetet pritshmëria për ndërhyrje emergjente, të paktën për të shpëtuar ishujt e Ksamilit, për ti kthyer ato në burime referimi turistike dhe imazhi, pra, për të shpëtuar minimalishg atë që Zoti i ka dhuruar këtij vendi, natyrën, bregdetin dhe nevojat e njeriut për pushim e qetësi.

Please follow and like us: