Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Pashai dhe Myzeqeja

 

Nga Naun Kule

Në kujtesën e banorëve dhe folklorin e krahinës, emri, bëmat dhe gjëmat e Ali Pashë Tepelenës, ruhen ende ndër myzeqarë ndonëse, në dokumentat e shkruar historikë, gjenden me pakicë. Dy janë rrugët dhe “dyert”, përmes të cilave Pashai i Tepelenës dhe më vonë “Luani i Janinës”, synoi dhe luftoi të futej në Myzeqe- thënë më saktë, të fuste Myzeqenë nën sundimin e vet. Këto “porta” ishin Berati dhe Kolkondasi. Sigurisht, iu kthye rrugës së dytë, pasi dështoi me të parën. Madje, dështimi ishte i tillë që nisi me miqësi e krushqi dhe sosi me luftë, me vrasje  e shkatërrime, siç dinte të bënte Pashai mizor. Dhe e tërë kjo, sepse Aliu nuk njihte kthim pas. Për tri dekada radhazi, ai ushqeu ambicien e sunduesit për ta futur në dorë Myzeqenë dhe bregdetin e saj.

Në kapërxyellin e shekujve 18/19-të, Pashallëku i Janinës dhe Vezir Ali Pashai, ishin në zenit. Këmbëngulja e Aliut për të krijuar kundërpeshat politiko-ushtarake ndaj Portës së Lartë, konkretizohej me masat që merrte për ta zgjeruar sundimin e vet drejt Beratit dhe Myzeqesë. Ishte koha kur rivalët e tij të Beratit dhe, më tej, Bushatllinjtë- sunduesit e Shkodrës, paçka qëndrimeve pro dhe kundër Pashait të Beratit, thuajse e kishin pranuar rrjedhën e lumit Shkumbin si kufindarës të pronave të tyre. Synimi kryesor i Bushatllinjve rrihte në zgjerimin e kufijve veriorë që ngjiteshin gjer në territoret malazeze. Kështu që pronat e Pashait të Beratit, posaçërisht trikëndëshi Berat-Shkumbin-Vlorë, fusha e madhe e Myzeqesë me skelat grykëlumore në bregdetin e saj, të gjitha këto pasuri, nuk mund të mbeteshin jashtë vemëndjes, planeve dhe projekteve ambicioze të Ali Pashait.

***

Aliu në Berat

Ç’projekte e “linin pa gjumë” Valiun e Janinës?

Aliu ngutej të gjente mjetet, rrugët dhe njerëzit për të sunduar Myzeqenë dhe Beratin, kryeqendrën e gjithë Nahijetit i cili, numëronte deri 28 Ziamete dhe 489 Timare, shtrirë  deri tej Vlorës dhe qyteteve të jugut, kufi me Pashallëkun e Janinës.

Është i njohur projekti politik i Pashait të Janinës për të krijuar një shtet greko-shqiptar me qendër Janinën dhe gjuhë zyrtare greqishten, të qeverisur nga grekë dhe shqiptarë. Kësisoj Aliu krijonte një fuqi ekonomiko-politiko-ushtarake me synimin e kahershëm të shkëputjes nga Porta e Lartë. Ideja deri dhe projektet për një shtet greko-shqiptar, gjithënjë si kundërpeshë ndaj pushtuesit osman, kishin qënë më të herëshme dhe jo vetëm të Aliut. Që në luftën e përbashkët të Kollokotronit me Ali Farmakun (kapedani mysliman i Laljotëve), është folur dhe shkruar disa herë për këtë projekt  bashkimi dhe bashkëqeverisje të dy popujve fqinj të cilët, sipas autorëve, e bënin me bindjen se kishin ç’t’i jepnin dhe ç’të fitonin nga njeri tjetri në luftën e përbashkët kundër të njëjtit pushtues; atij osman.

   Lidhjet, njohjet, lakmitë dhe projektet e Pashait për Beratin  dhe gjithë Pashallëkun e kësaj kryeqendre të Shqipërisë së Poshtëme, zenë fill që në  djalërinë  e Aliut. Fillimisht ato mbështeten në miqësinë mes këtyre dy familjeve të cilat, kishin edhe lidhje gjaku.

E ëma e Aliut, Hankoja, ishte bijë e Zenel beut të Konicës i cili, ishte martuar me të motrën e Kurt Pashës së Beratit. Pra, edhe Aliu  mbahej për nip në familjen e Pashait të Beratit dhe  si jetim, pas vdekjes së të atit, Veliut, e shikonte këtë derë pashallarësh si  derën e njerëzve të nënës.

Por njohjet e para mbi karakterin dhe trimëritë e Aliut, Kurt Pashai duket se i mësoi nga emri i përsëritur i hajdutit Ali Velia nga Tepelena i cili, që i ri ishte bërë tmerri i banorëve që gjoja merrte nën mbrojtje  të ruante tek  kontrollonte rrugët nga plaçkitësit e  karvanxhinjëve. Kurt Pashai i Beratit ishte i ngarkuari i Portës së Lartë si dervenxhiu i gjithë rrugëve të Shqipërisë së jugut. Ai kontrollonte, urdhëronte dhe ndëshkonte hajdutërinë e gjithë këtyre udhëkalimeve. Dhe ja,  gjithënjë e më shumë i vijnë lajme se këtë detyrë tashmë na e bëkërka edhe  kaçaku Ali Velia nga Tepelena, biri i Hankos dhe i Veliut të vdekur. Kurti merr vesh gjithashtu se egërsia ndëshkuese e këtij djaloshi-kaçak, është aq e madhe sa banorët e disa fshatrave vijnë në Berat dhe i ankohen Pashait të tyre për Aliun dhe shokët e tij hajdutë të cilët, janë të pamëshirshëm në vrasjet dhe rrëmbimin e plaçkës së sulmuar. Ankesën e parë  të këtyre gjëmave e lexojmë në vargjet e “Alipashaidës” së Haxhi Shehretit, ku zagoritët i numërojnë Kurt  Pashait zullumet e Aliut me lutjet që Pashai t’i shpëtonte nga kjo hata…

Le të shkojmë te Kurt Pashai e t’i themi dhimbjen tonë,

 Se mëshirë më nuk  presim nga kjo derë në Tepelenë

…Duke bluar këto halle, rrugën morën për Berat

      Pavarësisht karakterit krijues dhe letrar të “Alipashaidës” të shkruar nga H.Shehreti, duke besuar parimin se e “vërteta zbukurohet edhe pa u ndryshuar”, mund të hetojmë mes mijëra vargjeve të kësaj poeme  të gjatë biografike për Aliun, edhe fakte, vite, njerëz dhe ngjarje që na shërbejnë për të rikonstruktuar dhe ndriçuar momente të rëndësishme të jetës dhe të veprës së Vezirit të Janinës.

Posaçërisht, duke krahasuar të dhënat e   nxjerra nga kjo vepër e H.Shehretit, me dokumente dhe botime të tjera, besojmë se  mund të krijojmë kështu tablo më të plota të teatrove luftarakë të kohës së Aliut, synimeve dhe arritjeve të tij.

Njohim dy variante që rrëfejnë se si djaloshi Ali Velia  i Tepelenës,  u gjend në oborrin e Pashait të Beratit.  Nga vepra e H.Shehretit mësojmë se e ftoi vet Kurt Pashai, pas emrit që kishte bërë Aliu si luftëtar trim i cili, vendosi qetësi në rrugët e Shqipërisë së Poshtëme.

Biri im, Ali Velia, merre rrugën të të vish….

Ti je bir i atij babe, zemërbardhë e fatzi,

Që sa rrojti faqe botës, nuk kish tjetër si ai,

Dhe vejusha, nëna jote, më beso sa shumë më dhemb

Dhëndërr dua të të bëjë, ti i parë të jesh në këmbë …”

      Por duam të besojmë se më mbushamendës është varianti  tjetër, trajtuar gjatë nga Prof. I.Koçollari në librin e tij “Policia sekrete e Ali Pashës” në të cilin shkruan se:

”…Aliu u kap rob nga njerëzit e Kurt Pashait. Ndërsa shokët e Aliut Pashai i vari, Aliun e mbylli në burg. Ishin lutjet e shumta të Pashalleshës së tij dhe të së ëmës së Aliut,  Hankos, mbesë e kësaj dere, që ia kursyen jetën Aliut”.

Duke e njohur nga afër zgjuarsinë, trimërinë dhe bukurinë e djaloshit Ali, Pashai i Beratit zuri ta vlerësonte edhe si  mik e aleat  në projektet e përplasjeve të pritëshme mes rivalëve.

 Aliu mund të ndjehet i qetë “tek miku i babait/Do ta ketë mik përjetë, krah t’i gjendet si vëllait…”

Udhëtari suedez Biornstahl më 1770, shkruan se:

 “…Kur ishte në të njëzetat, Ali bej Tepelena, u rekrutua në shërbim ushtarak të Pashait të Beratit… Ishte njeri nga djemtë më të pashëm të vendit,…një kryetar bande, djalosh i fuqishëm, i pasur, me shumë reputacion mes shqiptarëve…” 

   Sidoqoftë, në vitin 1775, Aliu është në Berat, madje, në shërbimin luftarak të Kurt Pashait. Pashai i Beratit ishte në konflikt me mytesarifin e Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliun. Përplasja  ndodhi sepse Sulltani i dha Kurt Pashës në zotërim pronat e Valide Sulltanës që shkonin nga Vlora në Lezhë të cilat, gjer tani i kishte zotëruar Bushatlliu. Luftimet kundër forcave të Pashait shkodran u zhvilluan në fushën e Kavajës dhe në rrethinat e Tiranës. Në këtë luftë, forcat e Kurt Pashës komandoheshin pjesërisht nga Ali bej Tepelena dhe nga kushuriri i tij, Islam bej Këlcyra. Aliu u shqua për trimëri duke i dhënë fitoren Pashait të Beratit. Lëvdatat, hyneret dhe peshqeshet e Kurt Pashait për Aliun, ishin të shumta. Por Aliu ishte zog i egër…!

Kurrsesi nuk mund të pranonte komandë e urdhra mbi vete. Ndaj projektonte arratisjen nga pashallëku ose marrjen e tij nga brenda. Hyri në lidhje me vajzën e Kurt Pashës dhe kërkoi  ofiqin e dhëndërrit. Synimi merrej vesh. Dhëndërri merrte pronat si prikë ose, pse jo, gjithë pashallëkun. Nxiti edhe të ëmën, Hankon e cila i shkroi letër Kurt Pashës ku i kërkonte dorën e të bijës, për birin e saj, Ali Velia.

             “Lajm i çuan Kurt Pashait, bijë e tij vatrës të vijë,

              Krahpërkrah Ali Velisë, porsi yll me të të rrijë…!”

       Por kërkesat e Aliut e të Hankos dhe sidomos lutjet e Pashalleshës, për ta bërë dhëndërr Aliun, nuk e bindnin Kurtin plak. Ky Pasha i regjur me dredhira e pabesi, shihte më larg se  emri i mirë dhe premtimet për miqësi e besnikëri të kaçakut trim e bukurosh të Tepelenës. Ndaj i shfryhet të shoqes:

“Bijën tonë po t’ia japim, do të bëhemi  pishman,

Duart larg nga Myzeqeja, ti njëherë e mirë i lan…”

Madje, Pashai ka filluar t’i trembet Aliut dhe e sheh si rrezik.

I ndodhur nëpër këmbë mes oborrtarëve, kaçaku i Tepelenës mund t’i dali nga duart e t’i kthehet kundër. Dhe, përpara se t’i ndodhi kjo, Pashai dhelparak ka filluar të mendojë,

      “…Për ta vrarë a mbyt në puse/

       Mos m’u lut moj pashalleshë, çupën tonë t’i japim nuse…”

 Edhe të afërmit e familjes së tij e këshilluan Pashain që; ose t’i jepte vajzën për nuse, ose t’i priste kokën…

Por pabesia dhe rivaliteti kokëngrënës ndër pashallarë, ishte domosdo e kohës. Përndryshe s’mund t’i shpëtoje gjallë asaj xhungle egërsirash. Dhe Ali Velia i Tepelenës do të vërtetonte se ishte mjeshtër i kurtheve dhe pabesive, siç shkruajnë studiuesit biografë:

“Tradhëtitë, kurthet, pabesitë dhe mizoritë e Aliut, nuk janë dëgjuar në historitë e botës” 

  Ndërsa Kurt Pashai lodhej të bindte Pashalleshën dhe ta hiqte qafe pretendentin për dhëndërr, Aliu, pas kundërshtimit të të atit, i kërkoi të bijës që ta helmonin Kurt Pashën dhe Aliu ta zëvendësonte si Pasha i Beratit. Por vajza nuk e kapërxeu dot mizorinë e këtij krimi ndaj të atit, paçka emrit të mirë të Aliut, trimërisë dhe bukurisë së tij.

Njëherësh edhe Kurti, që e kishte ndjerë rrezikun e një dhëndrri dhelparak, nxitoi dhe e martoi të bijën me Ibrahim Pashë Vlorën.

***

Aliu,  armik i Pashait të Beratit  

Menjëherë dhe në fshehtësi, Aliu e la Beratin dhe u rikthye në sinoret e tij në Tepelenë. Tashmë, me përvojën dhe emrin që kishte fituar filloi të përgatitet t’ia marrë Pashait të Beratit ato që ai s’ia dha. Ndërkohë, Kurt Pashai mësoi edhe planin e Aliut për ta helmuar e për tu vetshpallur si dhëndërr dhe Pasha i Beratit, ndërkohë që ky e nderonte si mik dhe nip të oborrit. Në kulmin e zhgënjimit dhe të zëmërimit kulmor, gjen njerëzit, paguan 5000 grosh dhe i nis ta vrasin Ali Tepelenën. Por Aliu i kishte  spiunët  brënda oborrit të Pashait. Ky i bleu vrasësit. Këta i çuan Kurtit  gjoja  gunën e Aliut me mbllaca gjaku dhe vrima plumbash  dhe  i morën paratë e vrasjes.

Ali_Pasha_Tepelena_Oil_paint_of_Agim_Sulaj  Ndërkohë Aliu filloi përgatitjen dhe organizimin ushtarak për ta sulmuar Pashain e Beratit, i bindur se  kjo ishte e vetmja rrugë e   mbetur. Tani që miqësia kishte mbaruar, shpata dhe plumbi do vendoste fatin e dy kundërshtarëve kaq të dëgjuar për miqësi dhe pabesi ndaj njeri tjetrit. Ja, përbetimet e Aliut për Kurt Pashën, sipas poemës biografike të  Haxhi Shehretit:

Unë jam  vet  Aliu, miku yt, i vjetri mik

Që  të bëj të ikësh natën, lakuriq nëpër çiflig,

Se Kurt Pasha gur nuk la që oxhakun tim ta shuaj,

Pronat dhe argatët unë, mbi vete do t’i shkruaj…!

Mblidhe mendjen se do shohësh çdo të bëj  ty Aliu

Ku do shkojnë kufijt e Kurtit, more Pashë faqeziu   

  Pas kësaj ngjarjeje, të dy palët hetonin hapat e njeri tjetrit  dhe përgatiteshin t’i gjejnë ditën për t’i ngrënë kokën.

Berati, Janina dhe Shkodra ishin tri qendrat e pashallëqeve shqiptare të kohës, në  kapërxyellin e shekujve 18/19-të, por Janina dhe Berati  ishin në konflikt gati të përhershëm mes tyre, konflikte  të cilat, shpesh herë i shfrytëzonin edhe shtetet e huaja.

Në vitin 1804, guvernatori rus i Korfuzit organizoi një lidhje të feudalëve të jugut,  emërtuar si“Lidhja  e Çamëve” kundër Ali Pashë Tepelenës.

Në të bënin pjesë Ibrahim Pasha i Beratit (i cili pasoi Kurt Pashain), Mustafa Pasha i Delvinës, etj. Ibrahim Pashai, tashmë shumë më i fuqishëm së paraardhësi i tij Kurti, pronar sulltanor i Beratit, Vlorës, Myzeqesë dhe i serës (minierës) së Selenicës, ishte njeriu rreth të cilit grupoheshin gjithë armiqtë e Aliut.

Në korrik 1808,  agallarët e Çamërisë u mblodhën në Berat dhe vendosën sulmin kundër Aliut të Janinës të cilin, do ta drejtonte Ibrahim Pashai i Beratit. Këtë sulm e mbështeste qeveria franceze e cila, i dha Ibrahim Pashës 33.330 franga, duke i vënë në dispozicion:

-Një artilier francez, një topçi (Fransua Sheze),

-Regjimentin e artilerisë që ishte në Korfuz,

-2-3 mijë luftëtarë nga Çamëria (pjesa tjetër nga Berati dhe krahinat.),                                                                                                                

Por çuditërisht dhe pavarësisht nga këto mbështetje dhe ushtri, para dhe armatime, pas një viti, Ali Pashai realizoi pushtimin e Beratit dhe vuri aty Myftarin, djalin e madh si sanxhakbej. Në këtë fitore, Aliu kishte mbështetjen e banorëve të Beratit dhe krahinave të cilët, i ishin lutur t’i shpëtonte nga  shfrytëzimi i tmerrshëm që u bënte Ibrahim Pashai.

Luftën nuk e përballojmë sepse jemi fukarenj,

 Ali Pasha ta mësojë, Ibrahimin s’e ndihmojmë,

 Po arrite bir Ali, Ibrahimit t’i marrç   fronin

Ne, në krahun tënd, lavdinë tënde lart do çonim.

 

Kozmai si spiun dhe litar i lënë jashtë i Aliut

Kozmai si spiun dhe litar i lënë jashtë i Aliut

Gjithsesi sot, përveç letrave të plota, njohim mirë produktin e tyre, ndërtimin dhe veprimtarinë për gati 200 vjet të manastirit në Kolkondas, me emrin e murgut grek,  pagëzuar kështu nga Pashai i Tepelenës, për arsyet e politikës së tij sunduese. Ndërkohë, fshati Kolkondas dhe nahija, përqark meshonin këtu, në kishën e tyre të shën Marisë e ndërtuar në shekujt 16/17-të.

(Është ndoshta i pari rast në botën e krishterë kur kisha me emrin e shënjtores Mari, shartohet me emrin e Kozmait, një misionar helenist i cili punoi të greqizonte në fe e në gjuhë, popullsitë ortodokse jo greke të Ballkanit).

Momenti ishte i tillë kur Pashait i duhej mbështetja e krishterëve të Myzeqesë. Këtë e shtoi  duke ua lëvduar sa më shumë “shënjtërinë” e murgut dhe duke shtuar e përhapur sa më shumë profecira, mite e legjenda për gjoja miqësinë mes tyre, deri edhe parashikimet për  fundin e Pashait me “mjekër të kuqe”.

Tashmë është i njohur fakti se asnjë miqësi s’mund të ndërtohej me Pashanë e Janinës, pa interesat e tij, pa shërbime apo shpërblime të posaçme. Jashtë këtyre interesave, Aliu nuk llogariste as djemtë e tij jo më miq dhe shënjtëri. Krishti dhe Muhameti, për Ali Pashanë ishin në tokë, jo në qiell…!

Aliu u kushtonte vëmendje të posaçme të krishterëve, manastireve dhe kishave të tyre për dy arsye; shumica e banorëve në pashallëkun e tij, ishin të krishterë dhe së dyti, sepse shihte që pushteti i priftit apo i dhespotit ndër turmat e paditura, ishin si zoti mbi tokë.

Nga shkollimi greqisht që në fëmijëri, të bindur dhe nxitur nga fjalët e priftërinjëve grekër, katundarët e varfër e të paditur, besonin se i përkisnin ortodoksisë greke…

Mosbindja ndaj priftit, sillte dënimin dhe terrorin e kishës greke ndaj katundarit injorantë, të cilit i refuzonte deri edhe pagëzimin e fëmijës dhe varrimin e të vdekurit… Pushteti i kishës është arma më e fortë në fushën e propagandës greke…”           

Ali  Pashai -me njohjen dhe zgjuarësinë proverbiale që zotëronte:

“…Shërbëtorët e perëndisë, i ktheu në marioneta. Priftërinjtë ortodoksë Aliu i përdori si agjentë të fshehtë të policisë sekrete nga Arta në Berat, nga Preveza në Sul e gjetkë. Një i tillë për Aliun ishte edhe kryepeshkopi i Artës, Ignatus.…….Pikërisht ky kryepeshkop grek – shkruante V.M.Lik–  ishte agjent i Ali Pashait dhe merrej fshehur me drejtimin e policisë sekrete të qytetit të Artës….

Edhe për të futur në dorë Prevezën – shkruan diplomati tjetër, Hjuz– Aliu rekrutoi një agjent të fshehtë-turp ta thuash- një prift…!”  

   Ndërkohë që e mbante të rrethuar me muaj Sulin e panënshtruar, Aliu e njihte gjendjen brenda tij si në pëllëmbë të dorës. Papa Josifi (Josifi i zi), prifti i fshatit-Sul, ishte agjent i shitur tek Aliu. Gjithë vetërrëfimet e bashkëfshatarëve para priftit, Papa Josifi ia përcillte Ali Pashait, përmes kryepeshkopit të Artës, i cili gjithashtu, qe agjent i Aliut…!

Për të bindur suljotët të dorëzoheshin, Ali Pashai dërgoi në Sul edhe murgun Kozma Etoli i cili, u kërkoi suljotëve të rrethuar t’i dorëzoheshin Pashait.

Krenaria dhe kokëfortësia janë pjellë e djallit!…

Falja dhe kokëultësia na shpjenë në parajsë…!

Por suljotët e përzunë murgun Kozma i cili, iku duke i sharë  e mallkuar…

 shen Kozmai afreskDuke njohur këto fakte dhe qindra të tillë, a mendon njeri se murgu grek Kozma Etoli, mund të bënte përjashtim dhe të vepronte ndryshe nga kolegët e tij, priftërinj e peshkopë, në pashallëkun e Janinës? Kurrsesi! Pikërisht me këto shërbime ndaj Ali Pashait, spjegohen qartë miqësitë e mëdha të Kozmait me Aliun, dhe gjoja nderimet e Pashait për plakun Kozma.

Alibitë e rrëfyera, janë profecira dhe folklorizma mesjetare të mbjella nga njerëzit e Aliut dhe të ushqyera nga kisha greke, për të fshehur shërbimin agjenturor të murgut Kozma në dobi të Aliut dhe jo vetëm, si edhe, për të bindur besimtarët e paditur gjoja në “shënjtërinë” e këtij murgu. Sidoqoftë, këto ishin shërbimet në ngjallje të Kozmait ndaj Aliut. Zgjuarsia e njohur e Ali Pashait bëri që Kozmai t’i shërbente këtij edhe i vdekur, madje edhe 34 vjet pas varrosjes, në Kolkondas.

Shenjtëria e plakut Kozma, miqësia me Aliun dhe profecitë e murgut, u duheshin besimtarëve të paditur për të besuar se “shënjti” u vra nga Kurt Pashai i Beratit- armik i Aliut, pikërisht për “shënjtërinë ortodokse”, që Pashai i Beratit, kërkonte t’ua zevendësonte me  islamizimin e tij…

Se sa i vërtetë ishte misioni antiislamik i Kozmait mjafton të shënojmë se ai shëtiste me fermanin e Sulltanit në xhep, pra me lejen e pushtuesit osman. Në letrën që i dërgon kadiut të Filatit më 13 qershor, 1767, murgu Kozma shkruante:

“…Unë, imzot, si i krishter i padenjë dhe shërbëtor i sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t’u mbushur mendjen të krishterëve të ruajnë besën e zotit dhe t’u binden urdhërave të Sulltanit, siç kam porosi edhe nga Patriku dhe nga të parët e kishës tonë…” 

   Pikërisht me alibi dhe profeci të tilla është ushqyer edhe opinioni  i besimtarëve sidomos  ndër banorët ortodoksë të Myzeqesë.

Në tetor 1848, piktori anglez, Eduard Lear, në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, tek zbriste nga Ardenica për në Kolkondas, (Itinerari i tij-Durrës-Lushnjë-Berat-Ardenicë-Kolkondas-Apoloni-Vlorë), shkruan edhe për manastirin dhe për shkollën e Kolkondasit.

“…Rreth orës 12 mbërritëm në një pyll që i bënte hije një kishe dhe manastiri të ndërtuar ngamashtruesi Ali Pashai, në ditët kur mundohej të bënte për vete të krishterët e Myzeqesë dhe të nxiste njerëzit për kultivimin e këtyre tokave të pasura…

  Në zemër të këtij peisazhi ishte vendosur një fshat i vogël dhe një shkollë, një ndërtim fshatar i mbajtur nga një rresht i gjatë harqesh dhe i hijeshuar nga pemët… Rreth 30-40 fëmijë qëndronin ulur në një radhë duke u mësuar të lexonin me ton të ultë. Pjesa më e madhe e tyre ishin fëmijë të priftërinjëve të këtyre anëve ndërsa të tjerët ishin të fshatarëve të kamur. Kishte aty fëmijë me sy të mëdhenj dhe të veshur me kujdes që e shtonin interesin e kësaj skene…” 

  

***

Traditat e popullsisë myzeqare për shkollim janë të njohura që në lashtësi. Kujtojmë se jemi fare pranë qytetit “famëmadh dhe hijerëndë”, siç e quan Ciceroni, kryeqëndrën antike të Myzeqesë, Apoloninë, ku mësuan artet e kohës edhe burra të shquar të Senatit romak. Kjo traditë ka vazhduar në shekuj pasi Myzeqeja dhe posaçërisht Kolkondasi, janë gjendur mes faktorëve shumë të rëndësishëm kulturorë për kohën  të cilat, mundsonin lëvizjet për larg të  kësaj popullate. Dhe dihet që lëvizjet  shtojnë njohjet dhe prurjet kulturore. Një mundësi e tillë ishte rruga Egnatia dhe sidomos dega jugore e kësaj rruge e cila, lidhte Durrësin me Apoloninë, duke çarë vetëm ca qindra metra larg që këtu, nën kodrat perëndimore të Ardenicës.

Faktori i dytë ishin portet grykëlumore të Adriatikut lindor, të Spinaricës, Pirgut, Semanit e Karavastasë, për të arritur tek portet e mëdha e të hershme si Dyrrahu e Aulona, mes të cilëve gjallonte gjithë Myzeqeja dhe Kolkondasi që në lashtësi.       

     Sigurisht, jo të gjitha sa përmëndëm përkojnë në kohë me veprimtarinë e Ali Pashait në Myzeqe, me dekadën e dytë të shekullit 19-të dhe kohën e letrave të Aliut për ngritjen këtu të manastirit. Por, është fare i padyshimtë fakti  se gjithçka e mirë dhe progresive këtu, nuk mund të ngrihej nga askush në terren të zbrazur dhe në  “tokë djerrë”. Përkundrazi, mendojmë se gjithçka është “mbjellë” dhe selitur në  “tokë të lëruar e me vlagë” dhe nga njerëz me përvojë të pasur diturore. Pra shkolla dhe shkollimi në këtë fshat si edhe në gjithë Myzeqenë, është shumë më i lashtë se ky manastir dhe ardhja këtu e murgut Kozma Etoli.(1779)

“Kjo shkollë ka qënë nga më të vjetrat dhe më e vlefshmja në këtë qark këtu e 400 vjet më parë”,  shkruajnë qeverisë banorët e  këtushëm…

Kjo mbështetet edhe nga fakti se nuk mund të jetë e rastit që pikërisht nga Kolkondasi ngrihen deri në altarin e shënjtë të dhespotit të Beratit, dy burra tepër të shquar për shkallën diturore dhe fetare të kohës, siç ishin  dy Josafët e Kolkondasit të cilët, bashkë me “…Metodin prej Bubullime”, drejtuan Mitropolinë e Beratit për gati një shekull e gjysmë. Emri i ndritshëm i këtyre burrave të shquar në dituri dhe në përkushtimin hyjnor, ishte aq i madh sa kur vdiqën;

-më 1801, Josafi i parë dhe më 1855, Josafi i dytë-

megjithë amanetin që të varroseshin në vendlindje, Kolkondas, kryepeshkopi i Janinës, nuk e lejoi këtë gjë, për shkakun e vetëm që të mos i bënin hije varrit të murgut grek Kozma, i varrosur në Kolkondas më 1779…!

Shtojmë këtu edhe emrat e disa mësuesve, gjithashtu myzeqarë nga Kolkondasi, të cilët shërbejnë në shkollat e Nahijetit të Beratit që në shekujt 17-18.

Ali Pashai urdhëron gjithashtu që manastiri i Kolkondasit të bëhet qendër e drejtimit peshkopal me një zonë shumë të gjërë administrimi (Berat-Lushnjë-Shkumbin-Vjosë) si dhe me kompetenca të plota kurorëzimi dhe shkurorëzimi. Manastirit iu dhanë edhe disa prona në fshatrat e Kolkondasit, Mojallisë, Korkutas, të Fierit, në Bubullimë të Lushnjes dhe në Nartë të Vlorës. Dhe pas gjithë këtyre,

…të hapej këtu edhe një shkollë shtatë klasëshe, më e larta e kohës, ku mësonin dhe ushqeheshin mbi 100 nxënës konviktorë nga Shqipëria e Poshtëme”.

Duke organizuar dikasterin e arsimit, qeveria e parë shqiptare në vitin 1913, udhëzonte përmes zëdhënëses së saj, gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, se “…për të përhapur arsimin kombëtar duhet të merren si qendra për shkolla të gatshme, edhe manastiret siç është i Kolkondasit, i Ardenicës…

Veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit 19, dhe deri në çerekun e parë të shekullit 20, “…prej shkollës së Kolkondasit delnin mësonjës mjaft të fortë dhe të pjekur në arsim të cilët, merreshin si mësonjës në Myzeqe dhe në qytetet e sundimtarisë së Beratit”.

Lashtësia kulturore dhe jeta qytetare e Beratit si metropol i kulturës shqiptare, doemos ndikonte edhe ndër shkollat e vjetra të Myzeqesë. Kjo edhe sepse shkollat funksiononin ndër kisha  dhe, në shumicën e rasteve, mësuesit ishin priftërinjtë. Por edhe sepse programet dhe planet  shkollore, deri edhe kontrollet mësimore ishin kompetencë e Mitropolisë dhe hartoheshin nga klerikët. (kujtojmë që murgun Kozma  e emëroi Patriarkana me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të shkollave greke).

Dhe, për dekada me radhë, Mitropolia e Beratit, që administronte kishat ortodokse të Myzeqesë (siç edhe sot), ushtronte të njëjtat kompetenca edhe për shkollat (skolitë), edhe për dhaskenjtë…

Me kontributin dhe përkushtimin dijedashës të banorëve ndër këto fshatra, shkolla e  Kolkondasit mundi të mbijetojë edhe përballë politikave të mbrapshta të qeverive të ndryshme, edhe përballë varfërisë shpesh të skajshme të këtyre bujqërve. Mësues të shumtë të këtyre anëve si Kov Saqellari(Gjeçi), Papa Spiro Saqellari, Papa Isaija, Ikonom Kozma Dhima, Jani Minga nga Shën Pjetra e Semanit, At Theodhori Rista nga Bubullima e Thanas Zegali nga Mazhaj, Ikonom Anastas Laska, Zoji e Jovan Ndreko, Naun Doko Prifti etj, ishin vetëm disa nga  ai brez i tërë mësuesish atdhetarë, që ushqyen dhe mbajtën gjallë veprimarinë mësimore të shkollave shqipe në gjithë Myzeqenë.

Në mënyrë të përsëritur, banorët e fshatrave të Kolkondasit i kërkojnë qeverisë t’i ndihmojë pasi:

”…Neve- i shkruajnë ata qeverisë  gati 100 vjet më parë- me ato thërrimet tona u kujdesëm dhe mbi 40 fëmijë nuk kursehen të lagen prej shiut, të ndyhen prej llucës dhe të dridhen prej të ftohtit,  zbathur e zhveshur, heqin gjithë këto me dëshirë që të mësojnë…” 

Përmes sakriificave të tilla të kësaj fshatarësie, nxitur gjithënjë nga  dëshira dhe nevoja për dije dhe kulturë, “…Shkolla e Kolkondasit- shkruan revista “Dituria” më  1937, me mësuesit e saj vendas e të ardhur, deri nga Korça dhe Elbasani, për më shumë se 80 vjet, i bëri një shërbim të madh arsimit tonë kombëtar…”

  

***

 E shtjelluam gjatë manastirin në Kolkondas dhe shkollën e hapur aty, pasi në saj të tyre dhe lidhur ngushtë me to, ekziston ende sot në memorien historike të myzeqarëve (dhe jo vetëm), emri dhe bëmat e Ali Pashë Tepelenës në Myzeqe. Sepse, nëse ka një investim të drejtpërdrejt të ndonjë figure historike a burrështetas që është marrë deri edhe me ndërtime dhe emërtime të posaçme në trevën e Myzeqesë (sigurisht aspak për Myzeqenë dhe myzeqarët) ky është Ali Pashë Tepelena  dhe manastiri i tij në Kolkondas.

Por duhet theksuar se në raportin shkak-pasojë, binomi shkollë-manastir, rrjedh nga një binom tjetër kohësisht përpara tij. Madje është pjellë e një përqasje dobish, shërbimesh dhe interesash mes dy bashkëkohësish, kaq herë të lakuar sëbashku; siç është binomi Ali Pasha-Kozma Etoli. Pikërisht ky ishte shkaku që solli në tablonë e ngjarjeve të kohës edhe manastirin e Kolkondasit, me gjithçka gjallon ende sot lidhur me emrin e Vezir Ali Pashait dhe shërbëtorit të tij besnik (por jo mikut), murgut grek, Kozma Etoli.

Ndërtimi i manastirit  pranë varrit të murgut Kozma në Kolkondas, dhe  amplifikimi i profecive për të, e mitizuan figurën dhe bëmat e murgut deri në “shënjtërinë” e sajuar. Por çuditërisht, për gati 250 vjet, këto mitizime i bënin banorët e fshatrave rreth Kolkondasit dhe thuajse asnjë zë nuk ndihej nga kisha mëmë e murgut Kozma, për misionarin e saj të përkushtuar. Duket se pas tentativës së Patriarkanës greke të Stambollit për ta shënjtëruar murgun Kozma në vitin 1853 dhe dështimit të saj për shkak se Kozmai njihej si agjent i disa fuqive të kohës, i njohur më shumë si misionar helenik  se sa fetar, kisha greke dhe Patriarkana e saj në Stamboll, për më shumë se një shekull, thuajse heshti për emrin e  Kozmait dhe varrin e tij në Kolkondas të Shqipërisë.

Kjo mendojmë se është edhe arsyeja që në asnjë kishë ortodokse të Myzeqesë nuk gjendet  ikona a portreti i murgut grek “shen” Kozmait. Ortodoksit myzeqarë (dhe jo vetëm) nderojnë dhe festojnë të shenjtët e tyre të trashëguar ndër shekuj.

***

Pse shteti dhe kisha greke iu rikthyen shën Kozmait?

 Diplomacia greke dështoi për marrjen e “Vorioepirit”, krahinave jugore të Shqipërisë, përmes tryezave diplomatike europiane.

Kufijtë e Europës në mezin e shekullit njëzetë, ishte  e pamundur t’i lëviznin kancelaritë e vendeve progreke e sllave. Mirëpo, Greqia nuk mund të hiqte dorë nga projekti dhe ëndrra e herëshme e “Vorio Epirit”. Historikisht ajo kish pretenduar dhe ua kishte “argumentuar” burrështetasve europianë, se kufijtë e saj jugorë shkojnë deri te lugina e Shkumbinit.

(Jo rastësisht edhe kufijtë e sotëm të Vorio Epirit grek, përkojnë me kufijtë e shtetit të pavarur greko-shqiptar, që kërkonte të bënte Ali Pashë Tepelena, etj. në shekujt 18-19. Gjithnjë, kufindarës është Shkumbini dhe brënda tyre, Myzeqeja…?!)   

Dhe, paradoksalisht, kishte ndodhur që politika greke t’i fitojë këto territore shqiptare, pikërisht në tryeza bisedimesh mes liderëve europianë.

“…Pas Luftës së dytë Ballkanike,(1914), Epiri iu dha  Greqisë…(?!)

Por Konferenca e ambasadorëve  e mbledhur në Paris, më 1921, e anulloi këtë vendim  duke ia rikthyer Shqipërisë. Ende sot shumë grekë digjen  pas kthimit të këtyre territoreve shqiptare në Greqi.”   

 Dihet që me gërmimet në fshatin Melingus (afër Janinës), Anastas Karapanos, mes disa rrënojave gjoja kishte zbuluar “Dodonën” të cilën, ua serviri diplomatëve europianë në Kongresin e Berlinit më 1877, duke u “vërtetuar” atyre me këtë dëshmi, karakterin grek të  Vorio Epirit.

Por, siç shkruan Fallmerayer:

”…Grekët dëshirojnë vetëm të rrëmbejnë…Prej vitesh nuk pushojnë se ankuari dhe së kërkuari para, ndere, privilegje dhe territore… Por edhe sikur t’ua japësh të gjitha, këta mbeten po ata që ishin që në kohën e Paleologëve-një turmë barbareskash të krishtera që kanë mbetur të pandëshkuar vetëm nga dobësia foshnjore e politikës europiane…”.           

    Duket se, fakte të tilla e kanë detyruar ish kryeministrin e Anglisë Llojd Xhorxh që, në debatet dhe negociatat me ish kryetarin e delegacionit grek, Venizellos, ta vlerësonte këtë me  paranojën “Greku grabitqar…!”

Mirëpo, tashmë përplasjet diplomatike dhe “argumentet historike” të grekëve, kishin dështuar ndersa “Vorio Epiri” i ishte rikthyer Shqipërisë. Qarqet nacionaliste greke kurrsesi nuk mund të pajtohen  përfundimisht me këtë statusquo. Ndaj shikojmë pikërisht që në këto vite, ithtarët vorioepirotë ta rinisin betejën për marrjen e territoreve të pretenduara shqiptare vorioepirote, por tashmë nën “flamurin e shën Kozmait.”

 “…Deri në vitin 1980, edhe në Epir kishte njerëz që nuk dinin nëse ekzistonte Vorio Epiri…

    Kurse tani, edhe gurët në Greqi flasin për Vorio Epirin…!”  

 Pra luftën për “Vorio Epirin”, politika greke e zhvendosi nga tryezat diplomatike, në fushën e  religjoneve, përmes propagandës fetare të kishës ortodokse dhe “shenjtërive” të saj, të shkollave dhe gjuhës greke, gjithnjë duke u mbështetur tek parrulla e njohur mesjetare

një komb, një fe”.

  Pra, Vorio Epiri dhe shen Kozmai u “stampuan” në të njëjtin flamur shovinist, të cilin, mezi presin ta ngrenë dhe tundin në mes Myzeqesë, sa herë mblidhen në odat e ndrequra nga kryepeshkopi Janullatos (më bukur se sa i bëri dikur Ali Pashai), në manastirin e Kolkondasit tonë, pranë kishës së lashtë të shen Marisë.

***

 “Shën” Kozmai në Ardenicë…?!

Ndërkohë që kërkojmë vemendjen e kryepeshkopit për ringjalljen dhe investime në manastirin e Ardenicës, i cili vazhdon të degradohet në shurdhmemecërinë e lënë qëllimshëm nga KOASH-i, mësojmë se në projektet e Janullatosit, përgatitet tjetër gjë. Investimet në këtë manastir mund të kushtëzohen nga prurja dhe rivarrosja aty e eshtrave të murgut Kozma të cilat, kisha greke i mban nëpër sirtarë duke pritur momentin që t’i përdori si “argumente historike” në dobi të “flamurit Vorio Epirot” i cili, nga kodra dominuese e Ardenicës, mund të duket më mirë tej e tej Myzeqesë deri në Shkumbin…!

Kësisoj, edhe këtë kompleks arkitekturor të ortodoksisë dhe historisë tonë, ku u kurorëzua Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, (26 prill 1451), si edhe vendvarrimi i dy  Josafëve, dhespotë të Beratit, (1752-1855), kryepeshkopi i sotëm grek kërkon ta kthejë në“manastir të Ajos Kozmait” që të krijojë hapsira të reja kulturore-fetare-greke, duke hyrë gjithnjë e më në thellësi të Myzeqesë dhe Shqipërisë…!

“Janullatosi, realizon kështu në Ardenicë, manastirin e “Malit të shënjtë Athos” për ta mbushur me rasoforë, kallogjerë dhe murgj grekë…

   Ja pra, me një veprim politiko-ushtarak kryer për qëllime sundimi, dy shekuj e ca më parë, Ali Pashai,  i  jep ende mundësi Greqisë dhe kishës greke, që ta tundin edhe sot flamurin e Vorio Epirit nën mbrojtjen e  etnomartirit grek, “shen” Kozmait.

Kjo është edhe arsyja pse në festat e përvitshme të “ringjalljes” së Kozmait, më 24 gusht, (1779-ditëvrasja e tij), manastiri i Kolkondasit shndërrohet në qendër pelegrinazhi ku shovinistët vorioepirotë, shumica të fshehur nën veladonin e prifitit, apo nën “shenjtëri” të rreme, demonstrojnë karshillëk nacionalist, duke pohuar se murgu grek, Kozmai nga Etolia,  këtu qenka “në tokën e vet…!?”

“Lëreni shënjtin të prehet në tokën e vet….!”  

Kështu  foli prerë dhe  vrazhdë, ish ministri i jashtëm i Greqisë, Karolos Papulias, në vizitën e tij në Kolkondas (1986),  kur qeveritari vendas i propozoi që;

“Tani…eshtrat e murgut Kozma,  mund t’i  merrni në Greqi… !”

Pra, murgu grek i shekullit 18, qenka këtu në tokën e vet?! Dhe këtë nuk e tha dikushi, por politikëbërësi i Greqisë fqinje, deri edhe president e kryetar i shtetit grek…!

Ja pse themi se bëmat dhe gjëmat e Ali Pashë Tepelenës për Myzeqenë, vërtetë nisën nga Berati, por sosën në Kolkondas, mes Myzeqesë! Dhe gjallojnë ende tri shekuj më pas, për shkak të një manastiri ngritur për tjetër qëllim dhe një varrimi bërë këtu, fare rastësisht, dhe, po aq fatkeqësisht, me litarin mbetur jashtë…!

Për këtë arsye, shteti dhe kisha greke i detyrohen një shtatore të lartë Aliut të Janinës, sepse i la ngulur në mes Myzeqesë “gozhdën e Nastradinit” ku priftëria nacionaliste greke, edhe pas 300 vjetësh, vazhdojnë të “varin xhaketën…” e “Vorio Epirit”.

E, sikur të mos u mjaftonte Kolkondasi me manastirin e  tij, synimet e sotme të greke shkojnë akoma më larg.

Litari i lënë jashtë në varrin e murgut Kozma, sot është shenjtëruar dhe pagëzuar si “Flamur i Vorio Epirit”…!?  Tashmë, ai pret ditët e volitshme që të ngulet, tërkuzet, dhe ngrihet në ballkonin e bukur të Myzeqesë-Ardenicë…

 

Please follow and like us: