Albspirit

Media/News/Publishing

“Burrëri, dhe jo shpifje”, nga Faik Konica

Faik Konica1937 Boston-New York

“Burrëri, dhe jo shpifje

Nga Faik Konica

Kombi shqiptar ka ca veti të mira dhe ca të liga. Detyra e burrave që shkruajnë është t’i lëvdojnë dhe të përpiqen t’i rrisin vetitë e larta, t’i luftojnë me forcë vetitë e poshtra. Mjerisht, pak ka që sillen ashtu: janë disa të cilët çdo të padrejtë, çdo të shpifur, çdo shtazëri e poshtërsi, e gjejnë të mirë në qoftë se shohin ndonjë fitim për vete të tyre; nga ana tjetër, fjalët më të vërteta, puna më e kulluar, sjellja më e bukur nuk gjejnë ndonjë mbrojtës në mes të tyre, në qoftë se këta shohin që mund t’u prishet interesi duke folur. Heshtin pra. Dhe këtë heshtje e thërresin paanësi, në vend që ta quajnë dobësi. Një gjë nuk mohohet dot; janë mjeshtër. Po mjeshtëria, në qoftë një cilësi e mirë, nuk është nga ato cilësi që mund të ndihin në themelimin e një kombi. Burrëria është shumë më e nevojshme.

(Albania, nr. 1, 1907).
***

Mendime të zgjedhura – Shpifja
– Calomniez, calomniez! Il en restera toujours quelque chose. (Beaumarchais, Berberi i Seviljes) : Shpifni, shpifni! Diç ka për të mbetur gjithnjë nga shpifja.
– Audacter calumniare, semper aliquid haeret (Bacon) : Nga shpifja e guximshme, gjithnjë diç ngjit.
– Calumnies are answered best with silence (Ben Jonson) : Ndaj shpifjeve, më e mira përgjigje është heshtja.
– Carmina spreta exolescunt; si irascare, agnita videntur. (Taciti): Satirat e mos vëna re, bien; në qoftë se zemërojnë, duken sikur njihen të vërteta [Shpifjet e shpërfillura vijnë e shuhen ; po të shfaqësh acarim, njihen si të vërteta].
– Homines qui gestant, quique auscultant crimina, Si meo arbitratu liceat, omnes pendeant, Gestores linguis, auditores auribus (Plauti) : Njertëzit që përhapin dhe ata që dëgjojnë të shpifura, për mendimin tim, të gjithë duhej të vareshin, shpifarakët nga gjuha, dëgjuesit nga veshët.
– Difficilem oportet aurem habere ad crimina (Publius Sirus): Duhet të shpifurave t’u vëmë veshin ngadalë. [Ndaj shpifjeve duhet pasur një vesh ngritur].
– Back wounding calumny, The whitest virtue strikes (Shekspir, Masë për masë): E shpifura që plagos prapa kurrizit, godet edhe më të bardhin virtyt.
– Be thou as chaste as ice, as pure as snow, thou shalt not escape calumny (Shekspir, Hamlet): Qofsh aq i kthjellët sa akulli, aq i kulluar sa bora, nuk ke për të shpëtuar nga shpifja.
– Nihil est… Quin male narrando possit depravarier (Terentius): S’ka asgjë që të mos mund të duket e ligë, në rrëfehet liksht.
(Albania, nr. 2, 1907).
/ Materiali u përgatit me drejtshkrimin e sotëm nga Monet Maneshi.

Please follow and like us: