Ditët e munguara të Diasporës dhe shpresa e humbur e një samiti
“Emigrantët e kanë rënduar shumë trafikun” më thoshte taksixhiu në Tiranë, ndërsa pranonte që kjo ishte një kohë e artë për zejen e tyre, pasi vendalinjve nuk ua mbante xhepi.
Gati i nevrikosur mundohej të argumentonte, se si rrjedhojë e ardhjes së emigrantëve, ishin rritur çmimet gjithandej dhe sidomos në bregdet nuk “guxon” të shkojë njeri, pasi në shumë vende vetëm emigrantët mund t’i përballojnë. Vera mbetët stina e euro-s.
Patjetër që “muhabeti” rridhte në shqetësimet e ditës, se Shqipëria ishte mbushur më hashash, se nuk kishte bërë vaki si këtë vit që shteti të lejonte mbjelljen e tij, për shtimin katastrofik të përdoruesve të drogës (sidomos të rinj), se duhej ikur natën nga Shqipëria…
Të gjithë emigrantët që vizituan Shqipërinë, nga Velipoja deri në Sarandë, nga Valbona në Pogradec apo Korçë etj, nuk panë apo dëgjuan për ndonjë aktivitet që shteti, pushteti, qendror apo lokal të kishte organizuar për ta. Thjesht vazhduan të përballen me “stuhinë” e çmimeve me euro, që në shumë raste kalonin edhe ato të shteteve fqinje. Përjashtim bënte vetëm Shkodra ku u organizua një simpozium për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, e Kosovës dhe Bashkia e Shkodrës.
Tabloja krejt ndryshe shfaqet në anën tjetër shqiptare në Kosovë, ku ditët e diasporës janë krejt një normalitet, madje një konkurencë shumë pozitive mes qyteteve se kush i organizon më bukur.
E më kot kujtesa të shpie në premtimet e kryebashkiakut të Tiranës z.Erion Veliaj, (asokohe opozitar tepër aktiv) që vinte nëpër Londër me disa abetare në dorë, duke ua dhuruar fëmijëve të këtushëm shqiptarë. Por misioni mbaroi që në momentin kur u zgjodh Ministër e më pas kryebashkiak. Diaspora ishte thjesht pjesë e aksionit opozitar.
Diaspora mungonte në axhendat e tyre, madje kjo u pa mjaft qartë vetëm pak muaj më parë, kur thuajse në të gjitha mediat evropiane shqiptarët u “reklamuan” në çadrat e bregdetit francez, që prisnin të vinin në tokën e preferuar britanike, por askush nuk shkoi t’i vizitojë, ndonëse nuk pati ministër apo deputetë që nuk ishin në Francë, për të ndjekur kombëtaren apo kampionatin evropian të futbollit. U kujtua kush për ta?
As që mund të përmendet kryeministri Rama, që premtoi të drejtën e votës për diasporën në zgjedhjet e ardhshme. Diaspora për institucionet shqiptare thjesht është e munguar, ndonëse pranohet që të paktën një në çdo tre shqiptarë të “Shqipërisë Londineze” është emigrant,… pa hyrë gjatë tek neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë..
Diaspora e Shqipërisë përmendet në ndonjë kronikë të zezë, apo tek kronikat ekonomike, për radhën e trafiqeve nëpër dogana e lajme të kësaj natyre.
Duhet theksuar se parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj për regjistrimin e diasporës, por duket se është tërësisht joeficent, pasi pjesa dërrmuese e emigrantëve as që e dinë këtë gjë, dhe natyrisht qeveria ka qenë tepër e zënë me ca punëra andej, për të ndërmarrë ndonjë fushatë sensibilizimi.
Për t’i vënë kapak çështjes së diasporës që sjell vetëm kokëdhimbje, është vendosur që përfundimisht në nëntor, të mbahet një samit i diasporës, (disa herë të tjera është njoftuar se ky farë samiti do të organizohej në vitet që lamë pas).
Deri më tani thuajse askush nuk di asgjë se si do organizohet, por mësohet se u është kërkuar përfaqësive diplomatike që të “komandojnë” disa përfaqësues për në Tiranë. (shpresohet që nuk do të jenë si ata që u zgjodhën deputetë….)
Askush nuk di asgjë, thua të ketë ndonjë strategji kaq sekrete, saqë askush nuk guxon të thotë një gjysëm llafi. As për regjistrimin e emigrantëve s’po flitet fare, as për ambasadat ( konsullatat) që mund dhe të punohet në fundjavë, regjistrimin e fëmijëve shqiptarë që lindin jashtë, tek hapësirat dhe mundësitë për të investuar në vendlindje etj etj.
Kaq shumë çështje ka, saqë pasja e një strategjie për emigrantët është minimumi i mundshëm. Thua të ekzistojë? Duket e natyrshme zbehja e çdo shprese, duke parë retrospektivën.
Gjithsesi mbetet të shihet, nëse ky samit do të jetë fillimi i një kthese të qeveritarëve përkundrejt diasporës, apo samit ku fotot me kryeministrin mbeten tmerrësisht të preferuara. Në fund të fundit emigrantët do të vazhdojnë të mbeten spektatorët e mëdhenj…