Albspirit

Media/News/Publishing

Duke parë hartën e Europës

Nelson R. Çabej

Duke parë hartën e Europës

Fati ndihmon të guximshmit (Audaces fortuna iuvat.)

Virgil, Eneida 10, 284

 Diskutimet e kohëve të fundit rreth çështjes së kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në Shqipëri pa dashur, më kujtuan anekdotën e atij plakut që kur e pyetën përse mbillte një pemë së cilës e dinte se nuk do t’i hante frutet, iu përgjigj se këtë e bënte për të larë një borxh të vjetër: kur ishte fëmije ai kishte ngrënë frutet e pemëve që kishin mbjellë të parët e tij.

Ky mësim i moçëm është veçanërisht i rëndësishëm kur bie fjala për perspektivën e përparimit të gjithanshëm, shoqëror-politik dhe ekonomik të Shqipërisë.

Të gjithë e dime se mbrothësia dhe zhvillimi ekonomik i një vëndi lidhet më shumë se çdo gjë tjetër me përparimin shkencor e teknologjik të tij. Shëmbujt pozitivë të përmbysjeve revolucionare që kanë sjellë politikat e drejtuara shtetërore për zhvillimin e shkencës e teknologjisë janë të shumtë, por si tipik në këtë drejtim do të përmëndja Gjermaninë, që brenda pak më shumë se një brezi pas rrenimit nga lufta e dytë botërore, doli në frontin më të përparuar zhvillimit shkencor, teknologjik dhe ekonomik botëror. Korea e jugut është një shëmbull tjetër kuptimplotë në Azi.

Historia tregon se rezultatet e kërkimit shkencor në zhvillimin ekonomik, kulturor e teknologjik të vëndit nuk janë të menjëhershme. Investimi në shkencë është investim afatgjatë. Duhet investuar sot që të kemi rezultate nesër. Por, dhe kjo është më e rëndësishmja, ai është, pa diskutim, investimi më fitimprurës se çdo investim që mund të bëjë një vënd.

Ne shqiptarët duhet ta shikojmë të vërtetën në sy dhe të zgjedhim: ose rrugën e vështirë, por afatgjatë të kthimit të Shqipërisë në një vënd me të vërtetë të përparuar, ose të shndrohemi de facto në një koloni financiare të vëndeve të zhvilluara. Të jesh i përparuar nuk mjafton as të jesh “europian” e as të hysh në BE. I përparuar mund të jesh edhe pa qënë fare në Europë. Gjasat janë që dikur Shqipëria do të pranohet në BE, por nuk duhet ëndëruar se kjo do të sjellë vetvetiu përparimin. Shqipërinë të përparuar nuk mund ta bëjë as “Europa” e askush tjetër, veç shqiptarëve. Edhe nga një vështrim i përgjithshëm mbi hartën e Europës e të botës të bie në sy menjëherë një bashkëlidhje e ngushtë midis nivelit të zhvillimit ekonomik të një vendi dhe nivelit e kulturor të popullsisë, të shkencës e teknologjisë. Ajo hartë na tregon se “Europa e Bashkuar”, ku ne do të hyjmë, si një zonë e përparimit ekonomik e shoqëror është një abstraksion, që ekziston vetëm në mëndjen tonë, sepse vëndet e veçanta europiane u përkasin kategorive më të ndryshme të zhvillimit (nga më të ultat në më të lartat) dhe stabilitetit ekonomik e financiar. Të mos harojme Greqinë që ka tre dekada në BE dhe ka thithur shuma marramëndese jo vetëm kredish, por edhe ndihmash falas.

Është truizëm të thuhet se çdo vend është aq i përparuar sa të përparuar, sa të kulturuar janë njerëzit e tij dhe njerëzit janë aq të kulturuar sa më shumë që ata mësojnë në shkollë, në punë, në familje, e në shoqëri dhe sa mirë e transmetojnë njohurinë e fituar nga studimi dhe eksperienca jetësore në brezat e njëpasnjëshme. Ashtu siç përdoret në këtë shkrim kultura e një populli është tërësia e njohurive, eksperiencës, vlerave, qëndrimeve, sjelljeve që dallojnë një popull nga një tjetër.

Shkolla dhe sistemi i kërkimeve shkencore

Institucioni themelor i transmetimit të njohurive shkencore dhe eksperiencës njerëzore është shkolla në të gjitha nivelet e saj, që nga parashkollorja deri në shkollat e larta. Sistemi i edukimit të gjithanshëm përfshin edukimin shkencor-teknologjik, moral, artistik, por një konceptim bashkëkohor i edukimit do ta vinte edukimin shkencor e teknologjik në qendër të edukimit të shqiptarëve në shekullin XXI.

Të gjithë e dimë se shndërimi i Shqipërisë në një vënd të zhvilluar europian nuk është diçka që mund të bëhet brënda viteve, por kërkon breza. Ne nuk kemi nevojë të gënjejmë veten sepse iluzionet sjellin vetëm diziluzione, jo rezultate. Ne duhet të zgjedhim midis një vizioni perspektiv afatgjatë dhe projekteve afatshkurtëra, që mund të sillnin rezultate më të shpejta, porasnjëherë premtuese për ta bërë Shqipërinë një vend me të vërtetë të zhvilluar.

Shqipëria ka burime natyrore dhe kushte të përshtatshme për turizëm, shfrytëzimi i të cilave, me investimet e nevojshme financiare, mund të ngrinte deri në një farë shkalle nivelin e jetesës së popullit. Por, prapë le të bëhemi realistë. Historia e sotme e Europës na tregon sheshit se asnjë vënd i botës nuk mund të arrijë që, me turizmin, “shitjen” e krahut të lirë të punës, dhe me eksportimin ose koncesionimin e burimeve natyrore (të cilat kthehen në pasuri vetëm pasi investohet energji, punë dhe njohuri njerëzore për të nxjerrë prej tyre produkte industriale), të futet në radhën e vëndeve të zhvilluara.

Le të kthehemi rishtas te harta e Europës së Bashkuar. Menjëherë të bie në sy se vëndet në të cilat shitja e krahut të lirë të punës, eksporti i lëndës së parë të papërpunuar/gjysëm të përpunuar dhe turizmi zë një peshë specifike më të madhe në produktin kombëtar janë më pak të zhvilluarat dhe kanë nivel jetese më të ulët nw krahasim me tw tjerat. Arsyeja është e qartë: vëndet e zhvilluara kanë njohuritë (know hows), teknologjinë e nevojshme dhe forcën puntore të aftë për të shndruar lëndën e parë në produkte industriale, që nga më të thjeshtat deri te ato të teknologjisë së lartë (high tech).

E shtruar në mënyrë vulgare, pyetja që na bëhet sot është: A meritojnë shqiptarët një fat më të mirë se sa të jenë thjesht eksportues të lëndës së parë ose ciceronë, kamarierë e guzhinierë të europiano-veriorëve? A është ky fati i pashmangshëm i shqiptarëve?

Shqipëria sot është në një udhëkryq jo vetëm politik, por edhe shkencor e teknologjik.

E parashikoj edhe “kundërargumentin” se Shqipëria sot nuk ka nevojë për projekte utopike por për projekte me këmbë në tokë; ajo ka nevojë urgjente për të kapërcyer situatën e sotme kritike jo vetëm në ekonomi, por edhe në politikë, siguri kombëtare, etj. Kjo është plotësisht e arsyeshme edhe për mua.

Por nuk ka asnjë arsye të mendohet se zgjidhjet afatshkurtëra të problemeve duke shfrytëzuar burimet ekzistuese natyrore, krahun e lirë shqiptar të punës dhe turizmin, tw cilat jemi objektivisht të detyruar t’i pranojmë, mund të pengojnë përpjekjen afatgjatë për ta kthyer Shqipërinë në një vënd të përparuar, me shkencë dhe teknologji të zhvilluar. Ato mund dhe duhet të zhvillohen paralelisht.

Le të mbajmë mend se çdo vend, absolutisht çdo vend, që është sot i zhvilluar e ka filluar dikur si një vënd i prapambetur, por elitat shoqërore dhe politike të tij kanë pasur vizionin, synimin, projektet afatgjata dhe vullnetin për ta shndëruar atë në një vënd të zhvilluar. A nuk duhet ta fillojë edhe Shqipëria “dikur” përpjekjen e saj për tu bërë një vënd i tillë? A nuk është sot ai “dikur” për Shqipërinë?

Edhe optimizmi më i keq për të ardhmen e Shqipërisë është më i mirë se sa dyshimi, mosbesimi dhe pesimizmi, që na ka bërë të humbasim besimin (dhe nuk ka mallkim a fatkeqësi më të madhe që mund ta zëjë një popull se sa humbja e besimit në vetvete). Asnjë e mirë nuk mund të pritet nga pesimizmi. Po provove mund të dështosh ose t’ia dalësh mbanë, por po nuk provove ke vulosur dështimin tënd.

Këtë thoshte edhe Shekspiri pesë shekuj më pare:

“Dyshimet janë tradhëtarët tanë,

Na bëjnë të humbim atë që mund ta fitojmë,

Duke mos na lënë të provojmë.”

(Our doubts are our traitors,

And make us lose the good ëe might ëin,

By fearing to attempt).

Rruga për ta futur Shqipërinë në radhën e vëndeve të zhvilluara është rruga e ngritjes së nivelit kulturor të popullsisë nëpërmjet një procesi në të cilin sistemi arsimor dhe kërkimi shkencor luajnë një rol vendimtar. Ngritja e nivelit të shkollës është drejtimi më i rëndësishëm i punës në një plan afat-gjatë për rritjen e nivelit kulturor-profesional të masës së popullit, të aftësive zgjidhëse dhe forcës realizuese të drejtuesve dhe shkencëtarëve. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejnë edhe botimet shkollore, shkencore-popullore dhe shkencore, edukimi informal në muzeume, programet popullore-shkencore audio-vizive, artistiko-letrare e muzikore, ekskursionet në natyrë, etj.

Në formën më të thjeshtuar, kërkimi shkencor në shkencat e natyrës dhe ato inxhinierike ndahet në kërkim bazë dhe kërkim të aplikuar. Kërkimi bazë në Shqipëri ka pasur e do të ketë objekt kryesor njohjen e natyrës e të burimeve natyrore të vëndit, por ai duhet të përfshijë edhe përvetësimin e metodave të reja të kërkimit bazë, për të mbajtur hapin me zhvillimet bashkëkohore të shkencës. Natyrisht në gjëndjen e sotme të kërkimit shkencor dhe të zhvillimit ekonomik në Shqipëri, perparësi do të ketë kërkimi i aplikuar, për t’iu përgjigjur kërkesave të zhvillimit ekonomik (bujqësi, industri, etj.) dhe kulturor të vëndit. Këto dy forma themelore të kërkimit nuk mund të shihen si të shkëputura nga njera tjetra, sepse ato janë pjesë të ndërvarura të një sistemi të vetëm të sistemit kombëtar të kërkimeve. Kërkimi bazë është dritarja e kërkimit shkencor kombëtar në shkencën botërore.

Sistemi i kërkimeve shkencore nuk mund të ndahet as nga sistemi arsimor, në të cilin përgatiten njerëzit që do të kryejnë kërkimet shkencore. Lidhja e ngushtë e kërkimit shkencor me sistemin arsimor kërkon një reformë të gjithanshme të përbashkët të të dy këtyre sistemeve, për të hedhur themelet shkencore dhe teknologjike të një Shqipërije të denjë për të qënë vetë europiane. Brezat që do të vinë do të na gjykojnë rëndë në qoftë se ne nuk do ta bëjmë këtë sot.

 

Please follow and like us: