Faik Konica: Buxheti shqiptar dhe Greqia
Na ishte ç’na ishte,
Na është ç’na është…
Sot Greqia voton. Me referendum: për një “JO” apo një “PO” ultimatumit të kreditorëve ndërkombëtarë lidhur me borxhet e saj të papaguara. Por, si “JO”, si “PO”, është një votë dëshpëruese, në pikën e hallit të madh që ka zënë popullin grek mbërthyer për gryke në këtë ditë të zezë. “JO” a “PO” janë një përgjigje tepër relative dhe aspak përfundimtare në këtë stad ultim të ultimatumit, kur politologë dhe ekonomistë të shquar kanë vërtetuar tashmë se edhe vetë vullneti i sovranit popull është i gabueshëm në çaste kritike a kthesash historike. Na vjen keq për popullin grek që arriti gjer në këtë pikë kritike të kolapsit ekonomik e financiar për shkak të keqmenaxhimit skandaloz të një klase politike të papërgjegjshme që ka qeverisur vendin me dekada, pa kurrfarë vizioni të qartë zhvillimi shoqëror e ekonomik, dhe s’na mbetet veç të solidarizohemi edhe një herë me popullin vëlla grek për hallin që e ka zënë, ashtu siç kemi vepruar më se një herë në rrjedhë të historisë së dy vendeve tona fqinje. Dhe jemi të bindur se me një paketë reformash urgjente dhe reale për ristrukturim e lehtësim të borxhit do mund të gjendet udha e zgjidhjes në gjirin e Familjes së Madhe evropiane, pa qenë nevoja e një “Grexit”, rendja pas politikës së përjashtimit, izolimit, e të dhrahmisë, që pa dashje na kujton absurditetin e dukurisë totalitare shqiptare “Edhe bar do hamë e “parimet” nuk i shkelim”. Nga ana tjetër, klasa politike shqiptare dhe mazhoranca në fuqi, sot e nesër, le të nxjerrë mësimet e duhura nga dukuria e borxhit grek me litar mbytës në fyt, që na kujton hidhur fabulën e La Fontenit me gjinkallën duke kënduar majë peme, nën tingujt e buzuqit, dhe thneglën punëtore të livadhit të pasur duke punuar natë e ditë, si ai popull i ndritur gjerman, tejet punëtor, i shtruar e kokulur, që di të punojë tre herë për të bërë një herë qejf.
Por, le të kthehemi historikisht prapa, te Konica ynë, sa politikan mendjendritur, aq edhe ekonomist financiar në atë vit 1901, kur Greqia shpallte me të madhe se Shqipëria nuk mund të bëhej kurrsesi shtet i pavarur për “mungesë buxheti financiar”, për “mungesë fondesh të domosdoshme” dhe për “mungesë pasurish natyrore”. Na marrshin të keqen! – thotë populli ynë, – ja që u bëmë, dhe në këtë rast, fare lehtë titullin e shkrimit të mposhtëm të Faik Konicës “Buxheti shqiptar dhe shqetësimet greke”, mund të anasjellmojmë për ditët e sotme: “Buxheti grek dhe shqetësimet shqiptare”! Dhe do shohim se asgjë nuk do humbasë nga vlera aktuale e këtij artikulli konician shkruar me penë gjeniale 115 vjet më parë kur Greqia, donte dhe uronte një Shqipëri të djegur, të përvëluar, të rrënuar, anarkike, ku të sundonte gjakmarrja e vëllavrasja mes shqiptarëve, urrejtja dhe dasitë fetare. Sepse kështu ia donte “puna” Greqisë megalomane, teokratike e shoviniste, që nuk rreshti një çast duke lakmuar “mbi tre të katërtat e Shqipërisë etnike” siç thotë Konica, që na shpiku “Epirin” mitologjik për trojet shqiptare të Toskërisë, Labërisë e Çamërisë, që rrëmbeu llokme të majme në Shqipërinë e Jugut (më 1878, më 1912 dhe 1920), që rrëmbeu vetë Konicën e Faik Konicës, që donte Korçën e Gjirokastrën, që vrau e preu bijtë më të mirë të popullit shqiptar. Dhe sot, na do detin!
Po fundja, thotë Faiku mjeshtër i lojës së fjalëve, i mendimit sintetik dhe i fjalës së mençur: “Është krim të trazosh lumturinë e budallait. E le t’i lëmë ata grekë leshko në lumturinë e tyre!”…
Nuk jemi aspak cinikë. Sidomos kur tjetri është në hall, në thikë e në pikë. Po në fund të fundit, ç’i hipi në kokë – dreqi ta hajë! – kishës greke dhe qarqeve financiare të venë e të japin pensione në Himarë e gjetkë (sikur nuk e dinë që kufirin e kanë te thana!), të shpenzojnë miliona për ushtrinë nga frika e rrezikut turk, të mbajnë në këmbë një administratë të rëndë përtace me rroga të majme, të paguajnë pensione të rreme, deri edhe pensione të vdekurish, të mos taksojnë pasuritë e mëdha të Kishës, të mos kontrollojnë kontributet financiare për sigurimet shoqërore, të kenë norma të ulëta taksimi, etj. etj.?! Hë mo, ç’i thonë kësaj, në mos dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë! Ndërkohë që veç lakmojnë e rrëmbejnë, kur qoftë edhe një shkollë të vetme shqipe nuk e hapën në zemër të Athinës për arvanitasit historikë që bënë revolucionin grek dhe shkruan faqet e lavdishme të pavarësisë së tyre, apo për ata qindra mijëra shqiptarë të gjorë emigrantë që u shfrytëzuan dhe ndërtuan Greqinë e sotme pa ensima e sigurim për jetën e tyre!
Më në fund, para se t’i lëmë fjalën Konicës, Greqia megalomane e 1901-it, na pretendonte, siç shkruan rilindësi i madh, se Shqipëria është e varfër edhe në pasuri natyrore! Kulmi. Nuk po përsërisim këtu Konicën tonë për hambarin e Ballkanit që është Myzeqeja – gruri i së cilës ka shpëtuar historikisht nga uria edhe popullin grek!- po vetëm po themi se, veç pasurive të shumta nëntokësore, deri edhe me lëndë të parë strategjike, 20 lumenjtë e Shqipërisë janë po aq në numër sa vetë lumenjtë e Greqisë (me gjithë ata të “Epirit grek”), dhe se ëndrra greke për të shtënë Valbonën me ujë kristalor në qyngje nëntokësore dhe për t’ia riqitë kryet nën Akropolin e përvëluar nga vapa do mbetet thjesht një ëndërr e bukur, e tipit “Na qe, ç’na qe!” Dhe kur Athina vazhdon e digjet nga të nxehtët, nuk ka si të mos sjellim ndër mend Shatobrianin, shkrimtarin e madh frëng që u zalis e u sëmurë rëndë në Greqi, atë gusht 1806, dhe kur një vashë bukuroshe shqiptare u përkujdes për të në shtëpinë e saj, duke e shëruar gjeniun frëng me ëmbëlsinë dhe këngën e vet. / Monet Maneshi.
***
BUXHETI SHQIPTAR DHE SHQETËSIMET GREKE
Nga Faik Konica
Grekët, politika e të cilëve, siç e dimë, është aq e urtë dhe financat aq të lulëzuara, kanë bujarinë të merren me politikën dhe me buxhetin e ardhshëm të Shqipërisë. Një gazetë e Athinës, Akropolis, botoi para disa javësh, mendimet e njëfarë Kristovasilis për të ardhmen e Shqipërisë. E lexuam në greqisht këtë artikull dhe po rilexojmë në frëngjisht një përkthim të tij në revistën la Revue d’Orient et de Hongrie, të 10 dhjetorit. Ja paragrafët kryesorë të këtij përkthimi:
“Sikur shqiptarët të ishin të vetëdijshëm për gjendjen ku ndodhen dhe për rreziqet që kërcënojnë vendin e tyre, ata nuk do të vepronin siç veprojnë sot dhe nuk do të bëheshin vegla, një pjesë të Austrisë, të tjerët të Italisë, të këtyre dy armiqve të mëdhenj të racës së tyre: ata po krijojnë në këtë mënyrë një çështje shqiptare që do të thotë djegie e Shqipërisë, mbjellje dhe përhapje e anarkisë në atdheun e tyre, nga fundi në krye, duke u dhënë kështu më në fund të huajve shkakun për ndërhyrje e për vendosje të rregullit, gjë që do të çonte në rrënimin e plotë të vendit…
Ajo që do e pengojë përgjithmonë Shqipërinë të bëhet shtet i pavarur është varfëria e dheut të saj… Shqipëria është, bashkë me Malin e Zi, trualli më i varfër i Evropës. Por edhe vetë Mali i Zi ka, në krahasim me Shqipërinë, epërsi fort të çmueshme…
Shqipëria është vend malor, shkëmbor e shterpë. Nuk ka as bujqësi, as blegtori, as industri, as tregti; e megjithatë, ja që duhet që 1.500.000 banorët e saj të ushqehen. Prodhimet lokale – misri dhe lakrat – u japin fare pak për të ngrënë, dy a tre muaj në vit, shumë-shumë. 100.000 shqiptarë janë vendosur larg vendit të tyre, nga Epiri e Maqedonia, gjer në kufirin turko-persan, në Jemen e Tripolitanë. Ushtrojnë përgjithësisht zanatin e ushtarit apo bëjnë punëra të vogla. Mbi 50.000 vetë janë në ngarkim të thesarit osman, si oficerë, nënoficerë, ushtarë, xhandarë, doganierë, nëpunës civilë; të tjerët e fitojnë jetën e tyre si pojakë, shërbyes, roje nate, mbikëqyrës, kavasë (shoqërues), etj.
Jo vetëm që këta 50.000 individë nuk janë në ngarkim të vendit të tyre, por përkundrazi, e dërgojnë paranë që fitojnë në familjet që kanë në Shqipëri. Duke përllogaritur 50 cent mesatarisht për një njeri e për çdo ditë, kemi gati njëzet milionë franga në vit, viti i mirë a i keq. Nga ana tjetër, administrata në Shqipëri i ha sot nëntë të dhjetat Thesarit osman… Sikur vendi të fitonte pavarësinë e tij, apo thjesht autonominë, të gjithë shqiptarët që turren sot në arkat qeveritare turke do ta shihnin veten të dëbuar dhe do të detyroheshin të ktheheshin në vatrat e tyre. Kjo do të thoshte për Shqipërinë një humbje e thatë prej 10 milionësh në vit; për më tepër, administrata e saj autonome do t’i kushtonte të paktën 30 milionë dhe më në fund, mirëmbajtja e shqiptarëve të riatdhesuar edhe 10 milionë të tjera. Shuma e përgjithshme: 50 milionë franga që do nevojiteshin doemos… Pra, me fjalë të tjera, po ajo shumë sa është sot, po ajo do jetë edhe në të ardhmen, sepse vendi nuk ka si të shndërrohet me sot, me nesër, – ndërkohë që Shqipëria është tërësisht e paaftë të japë, përfshirë gjithçka, më shumë nga 20 milionë franga; nga ku del një deficit prej 30 milionësh.
Por pengesa të tjera jo më pak serioze i kundërvihen krijimit të një shteti shqiptar në gadishullin ballkanik: – 1. një shtet shqiptar, i rrethuar nga armiq po aq të egër sa dhe vetë interesat dhe synimet e disa Fuqive të mëdha, nuk mund të mjaftohet me një xhandarmëri të thjeshtë, sado e fortë që të paraqitet; por do të kishte nevojë për një ushtri të rregullt, relativisht të madhe në numër, me qëllim që të mos jetë vazhdimisht objekt sulmesh nga ana e malazezëve, serbëve, bullgarëve, madje edhe e vetë helenëve, këta të fundit për të mbrojtur bashkëfetarët e tyre ortodoksë, të cilët ka të ngjarë të keqtrajtohen në të ardhmen shumë më tepër nga shqiptarët sesa sot nga turqit. Mirëpo, mirëmbajtja e një ushtrie vetëm prej 25 mijë vetash do të kërkonte të paktën 15 milionë franga në vit, shumë që duhet t’i shtohet deficitit të mësipërm prej 30 milionë frangash. – 2. Fakti që Shqipëria banohet nga një popullsi që i përket feve dhe fiseve që urrejnë dhe që luftojnë shoqi-shoqin në mënyrën më të egër e më të ashpër, e pengon atë të bëhet një shtet i denjë për këtë emër…
Pra, për shkak sidomos të varfërisë së saj dhe po ashtu të kushteve etnologjike, Shqipëria nuk mund të aspirojë për autonomi, për pavarësi, veç në mos ndodhtë që Evropa, apo të paktën një nga Fuqitë e mëdha merr në ngarkim shpenzimet e administrimit të saj, ose pastaj nëse i japin Epirin dhe Maqedoninë, gjë që më duket krejt e pamundur.”
Ja pra, ç’na është e na serviret. Por ne kemi marrë për moto – sidomos në marrëdhëniet tona me ata trimosha grekë, pavetëdija e të cilëve është e barasvlershme me fanatizmin e tyre të qorrollepsur, të marrë dhe arrogant – atë fjalë të urtë aq të bukur që kam gjetur në një libër të të lashtit Desiderius Erasmus: Λέγουσιν ά θέλουσι, λεγέτωσαν ού μέλει μοι, – “Le të thonë ç’të duan: le të dërdëllisin, unë as që… pyes!” Veçse ama, ia vlen, me ca goditje të shpejta e të drejtpërdrejta, t’i tregojmë vendin e duhur këtij greku.
Fillimisht, ç’kupton ai me fjalët “vegla të Austrisë?” Austria nuk ka nevojë për vegla, dhe nuk ka shqiptarë që të jenë bërë vegla të saj. Veçse ka shumë shqiptarë – dhe e kemi për nder të bëjmë pjesë në këtë numër – që e kanë kuptuar dhe e shprehin hapur se Shqipëria nuk mund të përparojë e të bëjë jetë të qytetëruar veçse me mbështetjen dhe nën protektoratin e lartë të Austrisë; dhe me këtë, ata kryejnë një akt të vetëdijshëm, për të cilën kanë të drejtë ta mbajnë kokën lart dhe të mos i japin llogari asnjë të huaji, por vetëm popullit të vendit të tyre. “Veglat” e vërteta të Austrisë janë, të themi, individët e tipit Kristovasilis; në fakt, le t’i marrim një çast si të vërteta fjalët e këtij greku se na qenka e pamundur materialisht për Shqipërinë të krijohet si shtet i lirë; ç’do t’u mbetej tjetër shqiptarëve në mos të shpëtonin të paktën interesat e tyre ekonomike e kombëtare duke kërkuar të aneksoheshin nga një Fuqi, përfitimet politike të së cilës do ta shtynin të merrte përsipër shpenzimet e administratës së një vendi të varfër? Dhe kjo Fuqi, a mund të jetë tjetër veç Austrisë?
Ne, duke qenë patriotë shqiptarë shumë austrofilë, nuk jemi si greku Kristovasilis përkrahës të aneksimit të Shqipërisë nga Austria. Për më tepër, do të vërtetojmë se përllogaritjet e Kristovasilisit nuk nderojnë veçse fantazinë e tij të lajthitur.
50.000 shqiptarët që janë “në ngarkim të thesarit osman” nuk janë më shumë nga 30.000 ushtarë të rekrutuar me forcë në Shqipërinë e Jugut dhe të degdisur larg. Këta të mjerë kanë një pagesë prej 4 frangash në muaj, që e marrin dy herë në vit. Me 8 franga, është e vështirë të kursesh 50 cent çdo ditë, domethënë 183 franga në vit, qoftë edhe për një hajdut xhepash si Kristovasilis.
Por ja ku po tregohem bujar dhe po e pranoj Kristovasilisin kur thotë se shqiptarët dërgojnë çdo vit 10 milionë në Shqipëri, megjithëse, sipas përllogaritjeve të mia, kam sigurinë që kjo shifër duhet pjesëtuar të paktën me 40. Shqipëria, në qoftë e lirë, do ketë nevojë për krah pune për bujqësinë e punimet publike, dhe këta shqiptarë të kthyer e pa punë do të jenë të mirëpritur pikërisht në kohën e duhur.
A mund të na përmendë Kristovasilis një vend të ri që të ketë arritur të ekuilibrojë buxhetin e tij pa marrë hua deri sa jeta e tij ekonomike të zhvillohet gradualisht? Sipas këtij greku, e thënë troç, del se Shqipëria na paska një handikap që lidhet me vetë natyrën e tokës së saj si jo prodhuese. Për të kuptuar paturpësinë e kësaj gënjeshtre, mjafton për shembull, të hapet Gjeografia tregtare e Bianconi-t, botuar nga Shtëpia Chaix në Paris. Të gjithë e dinë se në Shqipëri ka kullota pjellore, fusha të pasura, si ajo e Myzeqesë, më pjellorja në Ballkan. Por le të na japë, më mirë shpjegime vetë Kristovasilis në këtë drejtim.
Që nga Lashtësia më e hershme ne, nga ana jonë, e kemi ndarë Shqipërinë në katër pjesë: Gegëria, Toskëria, Çamëria dhe Labëria. Në kohën e Aliut të Tepelenës, disa tregtarë dhe mjaft arsimtarë grekë erdhën e u vendosën në këto tri pjesë të fundit të dheut tonë. Duke qenë se u lanë të lirë pa u ndëshkuar, arritën të greqizojnë mijëra vlleh, pasues të kolonëve ardhur dikur gjatë pushtimit romak. Pak nga pak, e bënë zakon që t’i quajnë Toskërinë, Labërinë dhe Çamërinë me një emër të huazuar nga mitologjia: Epir, dhe aq kollaj, sa askush nuk i pengoi. E kush do pengonte për shembull, pedantin apo idiotin po qe se thoshte “populli galat” në vend të “populli francez”? Mbetet pra Gegëria, tek e cila bullgarët lakmojnë Dibrën dhe serbët Kosovën. Nga katër pjesët e Shqipërisë, armiqtë tanë nuk na lënë (në letër) veçse gjysmën e një të katërtës. Dhe thënkan pasandaj se Shqipëria është e varfër, e na bëkan projekte, e na grijnë sallatë, e na shkruajnë paçavure, e na e shohin veten e tyre të lumtur! Është krim të trazosh lumturinë e budallait. E le t’i lëmë ata grekë leshko në lumturinë e tyre.
Për më tepër, në suplementin tonë politik (Albania e Vogël), ne e trajtojmë këtë çështje më gjatë. Po e përfundojmë pra këtu, duke skicuar një projekt financiar për të ekuilibruar buxhetin shqiptar, me qëllim që të qetësojmë meraket “dashamirëse” të Kristovasilisit në rast se deficiti i ardhshëm i Shqipërisë do të turbullonte gjumin e tij të ëmbël.
Do duhej të krijohej në shtetin e ardhshëm shqiptar një “Ministri e veprimeve financiare për të baraspeshuar buxhetin”. Ky organ, në krye të të cilit do mund të vendosnim Z. Kristovasilis, do të kishte kështu një personel prej 5.000 nëpunësish, të gjithë grekë. Ky personel do të shpërndahej jashtë shtetit, në të katër anët e globit. Kudo ku ekspozitat, kongreset, festat etj. tërheqin turmat, nëpunësit e Z. Kristovasilis do të ishin të pranishëm, duke vizituar gjithë delikatesë xhepat, në të djathë e në të majtë. Nga ana tjetër, Ministria jonë do të kishte një shkollë zyrtare sipas modelit të shkollës së fshehtë të xhepistëve të Londrës, ku do të arsimohej arti i rrëmbimit me shkathtësi i kuletave dhe i stolive. Të diplomuarit e parë do të dërgoheshin në postet më të rrezikshme. Nga këta 5 000 nëpunës, të lëmë mënjanë 500, që do të ishin buzëlëshuar; mbeten 4 500 të cilët, po të “bëjnë” mesatarisht 15 000 franga në vit secili, do t’i japin shtetit shumën e bukur prej 67 milionë e gjysmë. Dhe po të zbresim pagat e personelit, sigurimet për nëpunësit e arrestuar dhe për shkollën përgatitore një shumë të përgjithshme prej 22 milionësh, mbeten 45 milionë, shifra e deficitit të parashikuar nga greku ynë!
E atëherë, le ta bëjë gjumin top Z. Kristovasilis!…
Faik Bey Konitza.
Albania, Viti 6, janar 1902, nr. 1
Përktheu nga frëngjishtja e përgatiti për botim M. Maneshi.