Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Grekët duhet të organizohen dhe të krijojnë partinë e njerëzve të ndershëm

Po kësaj ç’t’i themi? Ja ku po flet Faik Konica më 1904 te Albania e tij. Dhe nuk ka më mirë…. Edhe pse Konica fjalën e ka këtu për Fjalorin e Kristoforidhit, të cilit grekët ia ndryshuan edhe emrin për t’ia bërë “Kristoforides”, fjalët e mëposhtme të Konicës kanë sot, e pakta që mund të themi, rezonancë aktuale, e jo vetëm për grekët, por edhe për shqiptarët, italianët, ballkanasit dhe gjithë thesin e qeverive të korruptuara.
Në fakt, parti e qarqe drejtuese krijohen e do krijohen në rrjedhë të kohës, dhe nuk është aspak e thënë apo e parathënë që brumi i tyre mbruhet vetëm me majanë e parasë e të korrupsionit, kur në çdo komb përparimi ka ardhur e vjen historikisht nga sumumi i ndërgjegjes kombëtare: intelektualët e ndershëm, të përkushtuar për kauzën e përparimit të kombit të tyre. / M. Maneshi.

***
Grekët duhet të organizohen dhe të krijojnë një parti të re: partinë e njerëzve të ndershëm

Nga Faik Konica

faik(…) Megjithatë, lypset të jemi të drejtë. Ka grekë që mendojnë se qeveria ka një rol tjetër për të luajtur nga ai i organizimit të vjedhjeve, dhe që vuajnë tek e shohin vendin e tyre të bjerë aq poshtë. Ky është të paktën informacioni që më dërgon një mik nga Greqia. Unë nuk është se nuk e besoj. Për më tepër që nuk çuditem tek shoh disa grekë të zgjuar e të ndërgjegjshëm që përpara atyre veprimeve të vajtueshme shohin më shumë se një faj: shohin një simptomë. Sepse vendi që përdor mjete të tilla aq të ndyra për të ngadalësuar një lëvizje, të cilën e sheh në kundërshtim me interesat e tij, nuk është larg disfatës së tij përfundimtare. Veçse grekët që janë të ndërgjegjshëm për gjendjen mund të bëjnë më shumë se sa të rrinë e të pësojnë në heshtje gjithçka mbi kurriz. Ata duhet të organizohen dhe të krijojnë në Greqi një parti politike të re: partinë e njerëzve të ndershëm.

Albania, Viti 8 Nr. 2, 1904
Përktheu nga frëngjishtja e përgatiti për botim M.Maneshi.

Please follow and like us: