Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Partitë politike në Shqipëri

faikËshtë mëse e njohur poezia dritë flori e Faik Konicës Anadollaku në mësallë, që si një “ka, – ha e ha, shembur me pilaf, fryrë me hoshaf, që llup bakllava, hallva, revani e muhalebi, që kërkon syltiaç e kulaç, të tëra për një darkë, të tëra për një bark… “ Veçse kjo poezi koniciane e përkryer, e cila shënon kulmin e poezisë sonë satirike, është edhe kaq aktuale lidhur me llupësinë e pangopësinë politike, sa nuk ka si të shmanget edhe vetë shprehja e viteve ‘90 e ndoca “politikarucëve” tanë: “hani derra, pini, derra”! Mes sofrës shqiptare shtruar paq.
E shkëlqejnë atëherë vargjet lapidar të Faik bujar Konicës në mbyllje të Anadollakut në mësallë: “More Dudum kokë-kungull / Gojë buall e bark- rrumbull / Thuamë, – të rëntë pika ! / Ç’t’u desh ty politika ?”
Shkrimi i mëposhtëm konciz i Faik Konicës “Partet” (partitë) politike në Shqipëri, me një ironi asgjësuese të paparë, është botuar në revistën e tij Albania, nr. 5, 1907. Po e japim me drejtshkrimin e sotëm. Komentet janë të tepërta. /Materiali u përgatit nga M. Maneshi.

***

Partitë politike në Shqipëri
Faik Konica
“Tani, nisën të duken partitë politike që ka në Shqipëri. Ka një parti xhonturke, anëtarë të të cilit janë gjithë shqiptarët me mend. Ka një parti greke, me anëtarë gjithë ortodoksët pa mend. Ka një parti gegësh, me anëtarë gjithë gegët e Kosovës. Qëllimi i kësaj partie është të godasin serbët ku t’i gjejnë dhe të mos paguajnë gjë te qeveria. Ka një parti malësorësh, me anëtarë gjithë malësorët që s’interesohen për gjë tjetër veç kanunit të Lek Dukagjinit ; më së fundi, ka dhe një parti kombëtare shqiptare, qëllimi i së cilës është vetqeverimi i Shqipërisë. Kryetar i kësaj partie është Perëndia, anëtarë janë gurët dhe drurët e Shqipërisë dhe ka katër qendra veprimi: një në Pol të Veriut, një në Afrikë të Mesme, një në Alaskë, dhe një në Kinë”.

Please follow and like us: