FITUESJA E ÇMIMIT NOBEL: JAM SHQIPTARE
-“Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin/
-“Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën në Kosovë…/
-Reportazh i 3 Shtatorit 2010: Kosova pret festë në Katedralen “Nëna Terezë”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 28 Gusht 2016/ Më 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.
Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditwn e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.
Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).
“U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja më 18 tetor 1978, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.
Arkiv-3 Shtator 2010: KOSOVA PRET FESTË NË KATEDRALEN “NËNA TEREZË”
-“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë/
PRISHTINË, 3 Shtator 2010-Behlul Jashari/ “Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën e para rreth tridhjetë vjetëve, të kujtuara sot nga akademik Pajazit Nushi, i cili atëherë i kishte organizuar pritjen si një nga drejtuesit e lartë të Kosovës.
Kujtimi i tij për Nënë Terezën dhe vizitën e saj në Kosovë vjen në prag të veprimtarive të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe e nobelistes shqiptare, të cilat do mbahen në Katedralën me emrin e saj në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian.
Për “vendet e të sajëve”, për të cilat ka folur në kryeqytetin Prishtinë para 30 vjetësh Nënë Tereza, tregon aty shumë pranë Katedralës i vendosur një shenjim në shesh që orienton për degëzimet e rrugëve: Tiranë, Shkup, Mitrovicë, Pejë…
Ajo rruga e autostradës shqiptare drejt Tiranës shpie në qytetin e prindëve të Nënë Terezës, në Prizren, ku brenda këtij viti pritet përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereze”.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, nga takimi në vitin 1975, Don Shan Zefi, derisa bisedonim në këtë verë në Katedralën në ndërtim, ku udhëheqte punimet.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregon Zefi, i cili ka pasur edhe takime të tjera.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidhë botën shqiptare”.
Kështu na tregonte Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi, derisa bisedonim në Katedralën në ndërtim në Prishtinë, e cila sot është gati për festën.
“Deri më 5 shtator 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezë, padyshim, ndërtesa e Katedralës do hyjë nën kulm”, thoshte ai.
Dhe, tashm kjo është e realizuar. Edhe të gjitha organizimet e përgatitjet tjera janë bërë gati për veprimtaritë kulmore të festës në Kosovë, që fillojnë nesër në Katedralën “Nëna Terezë”.
Sonte në Prishtinë mbërrin i deleguari i posaçëm i Papa Benediktit XVI për Kremtimin në Kosovë të Jubileut të 100- vjetorit të lindjes së Nenës Terezë në katedralen në ndërtim “Nëna Terezë”. Pritja e të Deleguarit të posaçëm të Vatikanit, Imzot Zef Gashi, bëhet në selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës, e cila është në një obrorr me Katedralen.
Nesër nga mëngjesi në Selinë e Ipeshkvisë do të priten udhëheqës të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës e mysafirë të tjerë të shumtë, ndërsa rreth mesditës mbahet koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (“Requiem Mass’ Wolfgang Amadeus Mozart) në Katedralen “Nëna Terezë”.
Presidenti i Republikės, Fatmir Sejdiu do ta vizitojė Ipeshkvinė e Kosovės, si dhe do tė mbajė njė fjalė rasti nė ceremoninė solemne me rastin e 100-vjetorit tė lindjes sė Nėnės Terezė.
Në program nesër është edhe Vigjilia e Nënë Terezës në Kishën “Shën Ndou”, në Prishtinë.
Të dielën, më 5 shtator, mbahet Mesha solemne me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes së Nenës Terezë, në Katedralen me emrin e saj.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji sot ka kujtuar: “Paraardhësi im, Imzot Mark Sopi, me rastin e bekimit të gurthemelit të Katedrales pat thënë: ‘Shpresojmë që në vitin 2010 do të festojmë 100 vjetorin në Katedrale”.
Më 26 gusht 2005, në 95 vjetorin e lindjes së Lumes Nëna Terezë dhe në 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, në Prishtinë është vënë solemnisht gurthemeli i katedrales “Nëna Terezë”.
Ceremonia e vënies së gurthemelit të Katedrales u zhvillua nën patronatin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. “Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë.
“Merita e përhershme për këtë objekt sigurisht i mbetet Presidentit Rugova, i cili gjithmonë do të jetë i pranishëm në katedrale nëpërmjet lutjes e falënderimit e të gjithë njerëzve që do të hyjnë në të, në kujtimin historik të kishës dhe të kombit, si dhe në gurin e themelit të kësaj katedrale të cilën e bekoi me dorën e vet”, është shprehur sot Ipeshkvi Gjergji për median në Prishtinë.
Në Kosovë, shënimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i filluar me një akademi solemne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe, vazhdon gjatë gjithë 2010-tës, të shpallur nga Presidenti i Republikës “Vit i Nënës Terezë”.
Në akademi Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përkujtonte: “Tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, duke ia nënshkruar Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, i shkroi këto fjalë: ‘Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve’.”
Ndërsa, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji theksonte se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.
Për Nënë Terezën Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur një seancë solemne, ku u theksuar se “populli ynë ndjehet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX”.
Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ditë më parë është hapur ekspozita e piktorit nga Shqipëria Xhovalin Paci, me piktura portretesh të humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare. Një ditë më pas, më 26 gusht, në Prishtinë u përurua pulla postare “100 vjetori i lindjes së Nënës Terezë (Gonxhe Bojaxhiu)”.
Një nga veprimtaritë e rëndësishme në Kosovë ishte edhe tryeza kushtuar Nënës Terezë në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, i cili u mbajt në dy javëve të fundgushtit në Prishtinë.
Në këtë tryezë u tha se origjina, vendi e koha ku u lind, karakteri, orientimi e vepra dhe kontributi për njerëzimin e historinë shqiptare janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë figurën e Nënë Terezës.
Don Lush Gjergji tha se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.
“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos të jetë rrezja e dashurisë së Zotit”, theksoi Don Lushi, njohës i madh i jetës dhe veprës së Nënë Terezës.
“Gjëja me e bukur: dashuria”, është porosi e urti e Nënës Terezë, e përkujtuar dhe theksuar në veprtimtariitë e 100 vjetorit të lindjes së Saj.
Edhe në pritje të ditës së nesërme, dhe të së dielës, të festës në Katedralen “Nëna Terezë”. Në kryeqytetin e Kosovës që Nënën Terezë e ka edhe monument-shtatrore në sheshin kryesor me emrin e Saj.