GARA PËR KREUN E TKOBAP/ GALLATA E PREMTIMEVE, NGA MBYLLJA E OPERËS TE KONTRATAT ME KAMBOXHIAN
ALMA MILE
E pse të mos e mbyllim fare Teatrin e Operës dhe Baletit?! Po ta bëjmë kuqezi?! Po një park me statuja nuk e do aty mbrapa te sheshi i mbushur me makina? (“Unë jam si biçim llogaritari, por pasioni im i vërtetë është skulptura, zonjë”. “Domethënë ti punon atje ku bëhen ata jastëkët me lule të ngrira, ëëëë…”).
Ide nga më fantastiket për menaxhimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë shpalosur dje kandidatët për postin e drejtorit të këtij institucioni. Dikush pretendonte t’i vinte drynin TKOBit dhe ta përzgjidhte trupën nga e para, një tjetër e kishte gati kontratën në Kamboxhia, një tjetër e kishte hartuar kalendarin me korale e akapela, me këngë polifonike hedhëse e pritëse…
Kishte dhe ndonjë përpjekje për të “intimiduar” komisionin, duke përmendur emrin e Kryeministrit, si të qe shok i ngushtë i kandidatit në fjalë… Me një seriozitet për t’u lavdëruar, komisioni i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës ka dëgjuar dje gjashtë kandidatët për postin e drejtorit të Përgjithshëm të TKOBAP.
Komisioni i përbërë nga sekretarja e përgjithshme e MK, Elira Kokona; Herida Duro, drejtore e Krijimtarisë dhe Edukimit përmes Kulturës; Ornela Cikuli, drejtoreshë e Shërbimeve të Brendshme; Jusuf Beshiri, muzikolog dhe Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, pasi morën në shqyrtim dosjet e paraqitura nga kandidatët, u përballën dje me ata personalisht.
Si fillim Kokona, në pozicionin edhe të kryetares së komisionit, falënderoi pjesëmarrësit në këtë garë dhe i njohu ata me mënyrën se si do të procedohej në këtë seancë dëgjimore. Më tej kandidatët, sipas rendit alfabetik, dolën përpara komisionit. Konkurrentët hynë një nga një dhe iu përgjigjën pyetjeve të komisionit, duke u mbështetur në platformat e tyre, sigurisht për ata që kishin dërguar një syresh, duke u fokusuar më së shumti në ato pika, që janë edhe më të rëndësishme për politikat e Ministrisë së Kulturës, edukimi përmes artit, vazhdimi i reformës, sigurimi i fondeve.
Të gjithë iu nënshtruan pyetjeve dhe u trajtuan si të barabartë, pavarësisht karrierave që kishin pas shpine apo “thagmave” që propozonin. Sikur të kishte pasur një publik, pa dyshim që do ishte kënaqur më shumë se në çdo komedi gazmore që drejtori Çuli (pjesë e komisionit) ka ngjitur në skenë.
Një estradë e vërtetë, që nxirrte zbuluar kandidatët për drejtorë, që me një guxim të paparë hidhnin dorashkën për të sfiduar një “industri të rëndë” si TKOBAP. Në më të shumtën e herëve, disa prej kandidatëve nuk i kuptonin pyetjet, dhe sigurisht përgjigjeshin si u vinte për mbarë, duke i futur ndonjë dozë patetizmi e patriotizmi apo ndonjë muhabet kafeneje të tipit se “filani, që kishte gruan aty, më tha se…”. Folklorizmi dhe gjuha metaforike ishte mbresëlënëse.
SI U PREZANTUAN 6 KANDIDATËT
ZANA ÇELA
E qartë, e rrjedhshme, e para që hapi seancën dëgjimore, ishte producentja Zana Çela, themeluese e Konkursit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, njëkohësisht edhe me një të shkuar si ishdrejtoreshë e TKOBAP, në një periudhë me shumë përplasje.
Duke u mbështetur në platformën e detajuar të dorëzuar pranë MK, Çela iu përgjigj pyetjeve të komisionit. Ajo u shpreh se platformën e saj e ka hartuar pas një analize të gjendjes aktuale të TKOBAP, problemet dhe specifikat, të cilat i kanë shërbyer si guidë.
Strategjia e saj mbështetej në 6 shtylla të forta, që ishin: ekselencë në programimin dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, thithjen e audiencave, edukimin e publikut, shfrytëzimin maksimal të marketingut dhe promocionit, menaxhimin më të mirë të burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime te reja, duke afruar donatorë e sponsorë si dhe ripozicionimin e vendeve të punës sipas aftësive.
Çela nguli këmbë në hartimin e një kalendari me një repertor të gjerë, duke përfshirë të gjitha epokat, që nga baroku te bashkëkohorja, për të thithur një audiencë të të gjitha moshave. Kalendari artistik do të mbështetej tek opera, baleti, muzikali dhe koncertet.
Sa i përket periudhës së rikonstruksionit, ajo u shpreh se do të mbështetej te koncertet dhe orkestra mund të kishte edhe dy formacione më të vogla, të cilat mund të zhvendoseshin lehtësisht. Në lidhje me edukimin, ajo u shpreh se do të donte të ngrinte një departament edukimi në TKOBAP, ndërsa në lidhje me zbatimin e reformave, Çela deklaroi se “nëse zbatohet çdo nen i rregullores së brendshme, gjithçka do të ishte e arritshme”.
KLEANTHI GJIKA
Me nostalgji për të shkuarën, për atë kohë kur punohej “nga mëngjesi deri në darkë”, ishtrompisti i parë i Operës provoi fatin për postin e drejtorit të TKOBAP. Gjika (Petrit Hajro) nuk kishte paraqitur në dosjen e tij një platformë, çka e plotësoi gjatë ditës së djeshme, duke dorëzuar pranë komisionit, strategjinë e tij dyfaqëshe për menaxhimin e këtij institucioni.
Ai lexoi përpara komisionit platformën e tij, ku renditi mënyrën se si ai kishte menduar të ndërtonte kalendarin artistik me koncerte nga repertori botëror dhe ai kombëtar, me koncerte ansambli, me vepra baleti, pjesë korale e akapela…, ku të ndërthurej elementi i ri me artistët e afirmuar.
Gjika pretendon vendosjen e kritereve të forta për çdo artist dhe rritjen e nivelit artistik, duke kthyer kulturën e punës, duke u mësuar të rinjve dhe artistëve “rregullin, disiplinën, korrektësinë, por edhe ndëshkimin”, për të vënë në jetë objektivat e kërkuar edhe nga Ministria e Kulturës.
Komisioni do t’i vinte në dukje mungesën e eksperiencave administrative dhe menaxheriale, por ai kishte një eksperiencë të madhe, pavarësisht se mediat kanë thënë se është i panjohur.
Kishte qenë një instrumentist “me dhunti të veçanta”. Sipas tij, çdo problem zgjidhej me punë, duke kthyer format e kohës së tij. Punë dhe organizim. Për të tjerat, ose nuk i kuptonte pyetjet e komisionit, ose as i kishte shkuar në mendje se si mund të zgjidheshin disa probleme, e si ta bënte TKOBAP një teatër të konkurrueshëm, europian.
YLBER GJINI
I treti në radhë, sipas renditjes alfabetike, ishte Ylber Gjini, bariton në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Babaxhan, me një pamje të qetë, Ylber Gjini do t’u përgjigjej pyetjeve të komisionit, duke u mbështetur në eksperiencën e tij të punës e duke pranuar se nuk ka përvojë menaxheriale.
Ai do të kërkonte një koreograf në balet, një kompozitor në Ansambël (“që të mos vazhdohet për 50 vjet “Për mu paska qen kismet”), rinovimin e korit, ristabilizimin e trupave, që sipas tij janë lëvizur pa marrë parasysh vlerat dhe aftësitë e tyre. Ylber Gjini pretendonte ta shkrinte fare bordin e jashtëm dhe të ngrinte një të brendshëm me profesorë, për të vendosur mbi mbarëvajtjen e institucionit, pasi i jashtmi nuk kishte funksionuar.
Komisioni do t’i kujtonte se këtë nuk ia lejonte ligji, kështu që do t’i duhej të gjente një zgjidhje që këto dy organizma të funksiononin pa dubluar njëri-tjetrin. Ylber Gjini, një nga opozitarët më të flaktë të Ministrisë së Kulturës për lidhjen e kontratave me afat, u shpreh se MK kishte bërë një punë të mirë me kontratat.
Sipas tij, tashmë gjithçka ishte në rregull. Pas rrëzimit të variantit të lidhjes së kontratave 3mujore, pas përfundimit të periudhës 2 vjeçare, artistët rilidhën kontratat dhe asgjë shqetësuese nuk ndodhi (“Pra krisma nuk ka pasur!”).
Në lidhje me kapjen e standardeve europiane, Gjini u shpreh se nuk duhen bërë eksperimente, por duhen marrë përvoja të gatshme nga vende europiane që kanë vetëm një teatër kombëtar, duke u kujdesur që në të të bashkëjetojnë tre breza artistësh, që ata që hyjnë në teatër në shkëlqimin e tyre, të mos hidhen në rrugë kur s’kanë më fuqi, por të rregullohen në vende të tjera, pa krijuar probleme sociale. “Duhet trajtuar me syrin e një familjari”, tha Gjini
JOSIF GJIPALI
Me timbrin kumbues të një tenori (po të mirë ama) dhe me një energji që nuk mund të mos binte në sy, Gjipali “do të zgjonte” në njëfarë mënyre anëtarët e komisionit. Me vetëbesimin që i jep një karrierë e suksesshme, por edhe origjina vlonjate, Josif Gjipali do t’u përgjigjej pyetjeve të komisionit, duke u nisur nga eksperienca personale.
Ai do të shprehej se të menaxhoje një karrierë 13-vjeçare si e tija, nëpër Europë e jo vetëm, nuk ishte dhe aq e thjeshtë e kështu do të dinte të menaxhonte edhe TKOBAP e t’i përdorte paratë si askush tjetër, duke qenë njohës i çdo roli e çdo zëri. Gjipali premtoi se artistët do të paguheshin në varësi të niveleve që kapnin me punën e tyre.
Ata që punojnë e vlejnë, do të vlerësohen. I përballur me skena të mëdha botërore, Gjipali u shpreh se për të nuk do të ishte e vështirë të hartonte një kontratë pune, qoftë edhe duke përshtatur një nga ato të shumtat që ka në shtëpi.
Ndërsa merakut të Çulit se si do të mund t’ia dilte të hartonte dhe zbatonte një kalendar 2-vjeçar, ai iu përgjigj se kishte aq shumë njohje drejtorësh artistikë e artistësh, saqë në moment po t’u telefononte e ta vinte në citofon, do t’u përgjigjeshin shumë syresh.
Gjipali parashtroi idetë e tij për thithjen e fondeve nga “miq të operës” apo duke shfrytëzuar njohjet me teatrot italianë, që do të donin “të zbraznin magazinat e tyre nga dekoret dhe kostumet” dhe një kamion këtu e pak naftë atje e zgjidhte punën.
Gjipali është vlonjat praktik, duket se nuk e tremb asgjë, por nga ana tjetër, ai shprehet se nuk do të donte që të krijonte probleme sociale përmes lidhjes së kontratave, që ai i mendon 2 apo 3vjeçare në bazë të planit të punës. Gjipali ka menduar t’ua gjejë vendin të gjithëve…
AGIM HUSHI
Tenori Agim Hushi i përgjigjet një pyetjeje konkrete mbi sigurimin e fondeve për produksione të mëdha, me një ligjëratë të gjatë, ku bëri me dije së pari një kontratë pezull për të drejtuar Teatrin Kombëtar të Kamboxhias, se dikur ka qenë drejtor artistik në Singapor dhe se ka themeluar operën e Malajzisë.
Hushi shprehu shqetësimin e tij për TKOBAP që është përpëlitur në këto vite, që do të donte ta shkëpuste nga politika e të ndërtonte një teatër kuqezi. Për Hushin buxheti nuk është një problem, madje ai u shpreh se artistët duhet të ndërgjegjësohen se janë duke marrë paratë e taksapaguesit, të një rruge, të një shkolle, të pensionistëve… teatri sipas Hushit ka nevojë për “menaxhim dhe për dashuri”. Ai premtoi se nuk do të bjerë në nivele të tilla që të diskutojë punë paresh. Marrëdhëniet e punës me artistët Hushi i shihte mbi bazën e kontratave sipas roleve, përveç orkestrës dhe korit.
Komisioni u detyrua t’i kujtonte se këtë nuk e lejonte ligji dhe nga ana tjetër, do të krijonte shumë probleme me artistët. Hushi do të shprehej se ligjet i bënin njerëzit dhe do t’i kërkonte ministres dhe Kryeministrit ndryshimin e tij, duke iu qasur përvojave botërore.
Gjatë prezantimit të tij, Hushi nuk la pa përmendur edhe faktin se vinte nga një familje shumë e varfër, por që kishte arritur në nivelet më të larta, falë punës. Hushi u bëri me dije anëtarëve të komisionit edhe njohjen e tij me Kryeministrin Edi Rama, emrin e të cilit e përmendi disa herë gjatë prezantimit, çka e detyroi anëtaren e komisionit, Cikuli, t’i tërheqë vëmendjen.
Ndërsa Çuli me humor do ta pyeste nëse ai tashmë i kishte mbyllur punët me Kryeministrin dhe gjithë ajo bisedë ishte e kotë… në përfundim, pyetjes së Beshirit se nëse do të dorëhiqej nga Singapori për Tiranën, ai u përgjigj se: “Të njëjtën pyetje kishte bërë edhe Kryeministri!”.
GËZIM XHAXHAJ
Me një vrull sikur do të futej në skenë, u paraqit basbaritoni Gëzim Xhaxhaj para komisionit. Nuk kishte paraqitur një platformë dhe çfarë mendonte për drejtimin ai e paraqiti me gojë. Kur iu vu në dukje se nuk kishte një eksperiencë menaxheriale, ai u shpreh se kjo nuk prishte asnjë punë se “nuk ka shkollë për drejtorë”.
Për t’iu përgjigjur pyetjes se si e shihte ai rolin e “lidershipit”, Xhaxhaj u shpreh se drejtori nuk është një diktator, por ka një bord dhe një staf të aftë që bën propozime dhe ai drejton. Por edhe pse ishte kundër drejtorëve që vetëvendosin, ai u shpreh se po të ishte drejtor do ta mbyllte TKOB dhe të hapte audicion për çdo pozicion. Xhaxhaj u shpreh se s’mund të lejohej më një korist që i ka ikur zëri apo një violinist që i është trashur gishti i fundit dhe kap dy tela në vend të një.
“Nuk merrem unë me aspektet sociale, ato i di qeveria”, tha Xhaxhaj. Me një gjuhë të pasur metaforike, ai i krahasoi artistët me makinat, që kur u kalon koha e përdorimit, shkojnë për skrap. Ngritjen e nivelit të TKOBAP, Xhaxhaj e shihte përmes binjakëzimeve me teatro europiane, sepse tek e fundit, “edhe Berluskoni, kur e pyetën se përse u lidh me Amerikën dhe jo me Gjermaninë, u përgjigj që kam nevojë për një vëlla të madh”.
“Ky institucion ka mbetur stalinian dhe nuk duhet të jetë kështu”, tha Xhaxhaj, duke vijuar paravolitë e tij të panumërta. Sigurisht, Xhaxhaj me një tonacion që vinte gjithnjë në ngritje, do të shpaloste dhe të gjitha pakënaqësitë e tij të gjithë këtyre viteve, se si ai “tru jeshil” ishte kthyer në Shqipëri, por kishte mbetur pa punë, nuk e kishin pranuar të jepte mësim në Akademinë e Arteve…/panorama.al