Albspirit

Media/News/Publishing

Jo-diga, Po-energjisë diellore

Nga Lavdosh Ferruni

Jo diga, Po energjisë diellore

Lajmi më sencacional, më unikal e më konstruktiv mbi mjedisin i dëgjuar këto 25 vjet ishte ai i djeshmi mbi kërkesën e një kompanie Shqiptaro- Gjermane për ndërtimin e një parku energjitik fotovoltaik në Novoselë me kapacitet 50 MW. Më 3 Qershor një grup i vogël ambjentalistësh hyn të paftuar në një takim të organizuar nga ambasada Greke mbi ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri, me prezence ndërtuesish e financuesish të vendit e të huaj dhe në momentin kur po fliste zv.ministri ynë i Energjitikës mbi rëndësinë e HEC të Poçemit në Vjosë, ata shpalosën një baner dhe thirrën fort “Jo diga, Po energjisë Diellore”.

Duke qënë se parku fotovoltaik i kërkuar në Novoselë është në sinkron me kërkesat e kohës, lajmi është vërtet ngazëllues. Ashtu siçc shpresojmë se reforma në drejtësi do të sjellë ndryshime pozitive në zhvillimet e demokracisë në vend, po kështu ndërtimi i një parku fotovoltaik me përmasa sa një HEC i madh do ta zhvendosë Shqipërinë në një pozicion progresist dhe inovativ nga pikëpamja e strategjisë së zhvillimit të burimeve energjitike. Ishte dëshpëruese të shihje se kudo në Botë, në cdo kontinent e në çdo shtet rritjen e gjenerimit të energjisë për elektricitet nga fotovoltaiket, në këto 20 vjet në mënyrë qartazi eksponenciale dhe nga ana tjetër 0 MW energji solare në Shqipërinë plot diell, që siç kanë kofirmuar nga Instituti i Meteorologjisë, ka më shumë orë me diell në vit edhe se në Tropik. Si ka mundësi që Italia të prodhojë elektricitet nga energjia diellore 10 herë më shumë se e gjithë energjia elektrike e prodhuar në Shqipëri, Greqia gati 2 fishi i gjithë prodhimit të Shqipërisë dhe Gjermania me 40,000 MW mbi 20 fish? Është i shtrenjtë prodhimi i energjise diellore kanë thënë vendimmarrësit tanë, a thua se Bota mbarë nuk marrin vesh nga financat e ne jemi më ekspertët. Dhe ja ku del dhe një inciativë private Shqiptaro-Gjermane që kërkon të investojë për park diellor dhe që përmbys vendimmarrjen e kalcifikuar të autoriteteve shqiptare.

Është momenti që Qeveria duhet të reflektojë, Qeveria duhet të përkrahë këtë inciativë së paku në pikëpamjen e lehtësimit të procedurave dhe nga ana tjetër Qeveria duhet të anullojë planet për ndërtim HEC-esh në planin e saj strategjik për energjinë (ku duket se bën përjashtim kaskada e Drinit, ku ka një konsensus të gjërë ekspertësh për mbylljen e kaskadës me HEC të Skavicës) dhe në mënyrë kategorike të ndalojë ndërtime HEC-esh në zona sensitive e me potenciale të mëdha në sektorët alternativë të përdorimit të lumenjve, ku nuk mund të mos përmendim Valbonën dhe Vjosën ku ka pasur edhe në mënyrë të vazhdueshme protesta qytetare kundër ndërtimit të HEC në to.

Le të bëjmë një krahasim të shpejtë të HEC-it të Poçemit dhe të Parkut fotovoltaik në Novoselë, duke qenë se janë afër në territor.

Nga pikëpamja e llogaritjeve klasike të raportit të investimit me sasinë e kapacitetit të prodhimit të energjisë së instaluar në MW, HEC i Pocemit kërkon 1 mil Euro për 1 MW ndërsa parku i Novoselës 1.4 mil Euro për 1 MW. Dritëshkurtërve u mjafton ky parametër për të dhënë me koncesion pasuritë publike jetësore, siç janë basenet lumore, duke harruar (në fakt nuk është harresë) që në hierarkinë e prioriteteve të përdorimit të rrjedhave lumore, edhe në legjislacionin e BE, përdorimi për energji është në fund të listës. Dhe kjo nuk është shpikje e Brukselit, kjo ka qenë qëkur njeriu ndërtoi strehën e tij pranë lumit (jo në shtratin e lumit sic ndodh shpesh në kohën e sotme). Nëse me HEC-in në Poçem shkatërrohet nga përmbytja e tokave prej liqenit që krijohet nga diga një fshat i tërë; nëse me HEC-in e Pocemit shkatërrohen burimet e ujit të Pocemit, që furnizohen kryesisht me burimet nëntokësore të Vjosës, burime nga të cilat marrin ujë të pijshëm mijra banorë të luginës e më gjërë: nëse me HEC-in e Pocemit zhduket peshku i  lumit si burim jo pak i rëndësishëm proteinik për komunitete në gjithë gjatësinë e lumit, cënohet rëndë biodiversiteti, bie potenciali turistik, zvogëlohet transporti i sedimenteve në det, duke rrezikuar erozionin në plazhet e Vlorës, pra nëse llogariten dhe kostot social-mjedisore, raportet përmbysen në favor të  impiantit diellor të Novoselës. Jo diga, Po energjisë diellore.

Please follow and like us: